Reforma institucionale nga prizmi i komunikatës së plenumit të tretë të PKK-së

2018-03-02 15:55:46 CRI Komenti juaj Printoni

Në prag të dy sesioneve vjetore të Kinës, u zhvillua plenumi i tretë i Komitetit Qendror të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës. Në përfundim të punimeve të plenumit u publikua një komunikatë e gjatë, përmbajtja më e rëndësishme e së cilës është diskutimi dhe miratimi i programeve të reformës institucionale të Partisë Komuniste të Kinës dhe të shtetit. Me gjithë që programet konkrete do të bëhen të ditura pas mbledhjes së parë të legjilaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, disa nga përmbajtjet dhe informacionet në komunikatë janë shumë të rëndësishme.

Shtrirja e reformës

Arsyet e reformës së tanishme institucionale janë dy "mospërshtatje të plota": organizimi dhe funksionet e tanishme të institucioneve partiake e shtetërore, së pari, nuk përshtaten plotësisht me nxitjen e zbatimit të planit të integruar të "pesë sferave" dhe të planit strategjik të "katër gjithëpërfshirjeve" në mënyrë të koordinuar; së dyti, nuk përshtaten plotësisht me objektivin e modernizimit të sistemit dhe të aftësisë së qeverisjes të vendit. Pengesat dhe problemet duhet të zgjidhen me anë të reformës institucionale.

Komunikata përmend se, pasi u krijua Republika Popullore e Kinës, gjatë procesit të ndërtimit të socializmit e të Reformës dhe Hapjes, funksionet të Partisë dhe të shtetit kanë ardhur duke u përmirësuar dhe duke u standardizuar. Sistemi duhet të përputhet me realitetin. Reforma institucionale e kësaj here vazhdon me këtë logjikë historike, mirëpo bëhet në emër të "Partisë dhe shtetit", prandaj, në krahasim me reformën e kaluar të Këshillit të Shtetit ose të qeverisë, reforma e kësaj here do të zhvillohet në mënyrë më të gjerë, më të thellë, dhe do të ushtrojë ndikim më të madh.

Reforma institucionale prek katër aspekte: Partinë, qeverinë, forcat e armatosura dhe organizatat shoqërore. Janë përcaktuar tashmë objektivat për secilin prej këtyre katër aspekteve. Ndër to, detyra me e rëndësishme është përmirësimi dhe vijimi i udhëheqjes së plotë të Partisë Komuniste të Kinës, për arsye se kjo është baza dhe pika kyçe për realizimin e modernizimit të sistemit dhe të aftësisë qeverisëse. Kjo ide është karakteristika më e dalluar që kur kryetari i PKK-së Xi Jinping u bë president i Kinës. Që zhvillimi i Kinës të ecë në rrugë të mbarë, Partia luan rolin kyç. Gjatë pesë vjetëve të kaluara, koncepti i qeverisjes së rreptë dhe të gjithanshme të Partisë ka arritur rezultate të rëndësishme. Në vijim të këtyre rezultateve, me anë të reformës institucionale, qeverisja e e rreptë dhe e gjithanshme e Partisë do të institucionalizohet.

Dy pikat

Komunikata e vuri theksin gjithashtu në dy pika.

Pika e parë thekson koordinimin e marrëdhënieve mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, duke marrë parasysh edhe raportin e Kongresit të 19-të të PKK-së, ku thuhet që "duhet marrë parasysh organizimi i organeve të ndryshme dhe të përcaktohen në mënyrë shkencore dhe të qartë të drejtat dhe përgjegjësitë e organeve të Partisë dhe qeverisë, si dhe departamentet e varura prej këtyre organeve...më shumë autonomi do t'i jepet pushtetit vendor në nivel province dhe më poshtë". Reformat e kaluara të organeve qeveritare i kanë kushtuar shumë rëndësi "sinkronizimit", pra organet e nivelit më të ulët "kopjojnë" strukturën e organeve të tyre eprore. Në sipërfaqe, duken njësoj, por faktikisht një strukturë e tillë nuk përputhet me rrethanat konkrete vendore. Garantimi i një autonomie më të madhe pushtetit vendor do të ishte në të mirë të ndryshimit të kësaj dukurie. Por ky hap nuk nënkupton lirinë e plotë dhe të pakontrolluar, sepse siç thekson edhe komunikata, organizimi i organeve duhet të përcaktohet nga ligji. Kjo është pika e dytë.

Organizimi

Organizimi ka të bëjë me caktimin e funksioneve, të departamenteve, të personelit dhe të drejtuesve të ndonjë organi.

Megjithëse Kina ka ligje dhe rregulla për strukturën e një organi, të gjitha kanë qenë "parimisht".

Për arsye të mungesës së ligjit përkatës, ka raste që disa organe të pushtetit vendor merren me punën e organizimit sipas dëshirës së tyre. Kjo sjell punësimin e tepërt të nëpunësve civilë, shpenzime të tepërta administrative dhe mungesën e fondeve për përmirësimin e jetesës së popullit

Ekziston gjithashtu rasti i "administrimit sipas individit", i cili sjell edhe krijimin e organeve e të departamenteve qeveritare më shumë se ç'duhet, përsëritjen e funksioneve në disa organe etj.

Për të zgjidhur këto çështje, më e rëndësishmja është nxitja e forcimit të ligjit në punët e organizimit institucional. "Administrimi sipas ligjit" duhet të zëvendësojë "administrimin sipas individit".

Megjithëse në përmbajtjen e komunikatës nuk përmenden programet e reformës institucionale, por aty janë bërë të qarta parimet dhe drejtimet, të cilat nuk janë përcaktuar sipas dëshirës individuale, por sipas ligjit dhe rregullave.

(Autor: Dugu Jiuduan, redaktuar dhe përkthyer nga Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore