Historia e panjohur që qëndron pas sistemit të pozicionimit "Beidou"

2018-02-24 10:23:21 CRI Komenti juaj Printoni

Kina lëshoi me sukses më 12 shkurt dy satelitë të sistemit të pozicionimit satelitor "Beidou" dhe këta janë satelitët e 28-të dhe të 29-të të këtij sistemi. Parashikohet se deri në vitin 2020, sistemi "Beidou" do të ketë gjithsej 35 satelitë dhe do të jetë në gjendje të ofrojë shërbime globale, duke u bërë rival i fortë i sistemit amerikan "GPS" (Sistemi i Pozicionimit Global).

Në fakt, saktësia e pozicionimit të sistemit "Beidou" arrin në shkallë milimetrike dhe kjo epërsi e detyron sistemin "GPS" të ulë çmimin e terminalit nga më shumë se 1000 dollarë dikur në 1 dollar sot.

Prapa zhvillimit të sistemit të pozicionimit satelitor të Kinës, qëndrojnë edhe disa histori të panjohura.

I.

Në vitin 1991, gjatë Luftës së Gjirit, trupat amerikane shpërthyen operacionin "Stuhia e shkretëtirës" në Irak. Para fillimit të sulmeve ajrore, një njësi helikopterësh me emrin "Normandy" fluturoi ulët natën, kapërceu qetë vijën e mbrojtjes dhe shkatërroi me saktësi dy batalione të paralajmërimit të hershëm me radar të ushtrisë së Irakut. Ky veprim krijoi kushte për bombardimet e vijueshme masive.

Në shkretëtirën me rërë pa fund dhe pa shenja të dukshme relievi, pozicionimi është shumë i vështirë. Trupat amerikane mund të godisnin saktësisht objektivat në shkretëtirë gjatë natës, pikërisht mbështetur tek "GPS". Mund të themi se satelitët 20 mijë kilometra lart në hapësirë i ndihmuan trupat amerikane për fitimin e kësaj lufte tokësore. Kështu, "Stuhia e shkretëtirës" quhet "Lufta e parë e Yjeve" në historinë e njeriut dhe me këtë rast, "GPS" filloi të bëhej i famshëm.

"GPS" nisi në vitin 1958. Me përvojën e gjatë, famën e madhe dhe sferën e gjerë të shërbimit, ai është bërë sot sinonimi i sistemit të pozicionimit dhe ka monopolizuar tërë tregun global të pozicionimit satelitor.

Sipas Raportit mbi Tregun e Sistemit Satelitor të Pozicionimit Global (GNSS), në vitin 2015 tregu global i GNSS-it pati të ardhura prej afro 250 miliardë eurosh dhe "GPS" kishte peshë të konsiderueshme.

Por ShBA-ja i ka ofruar botës vetëm versionin civil të "GPS"-it, saktësia e të cilit është shumë më e ulët se versioni ushtarak, që përdoret vetëm nga ShBA-ja. Më e rëndësishmja është se ShBA-ja mund ta hapë e ta mbyllë këtë sistem sipas dëshirës, ose mund të shtojë me qëllim gabimet e rastësishme të sistemit.

Më 23 korrik 1993, ShBA-ja nën pretekstin e marrjes së informacionit të fshehtë, e akuzoi anijen kineze të mallrave "Yinhe" për transportimin Iranit të lëndëve të para për prodhimin e armëve kimike. ShBA-ja mbylli drejtpërdrejt shërbimet "GPS" në anijen "Yinhe", gjë që e bëri anijen kineze të mos lëvizte. Kjo ishte ngjarja e anijes "Yinhe", që befasoi gjithë botën.

Operacioni ushtarak "Stuhia e shtetëtirës" dhe ngjarja me anijen "Yinhe" treguan se sistemi i pozicionimit satelitor është element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, prandaj nuk mund të kontrollohet nga vendet e tjera në asnjë mënyrë. Kina duhej të kishte sistemin e vet të pozicionimit satelitor.

II.

Në vitin e dytë pas ngjarjes së anijes "Yinhe", Kina nisi kërkimet për sistemin e pavarur të pozicionimit satelitor "Beidou". Dhjetë vjet më vonë, në vitin 2003, sistemi "Beidou" u fut zyrtarisht në funksionim dhe Kina u bë vendi i tretë në botë që zotëronte sistemin e pavarur të pozicionimit satelitor.

Por, për shkak të vonesës së nisjes, sistemi "Beidou" ishte i prapambetur teknikisht krahasuar me sistemin "GPS" dhe përfshinte vetëm territorin e Kinës, prandaj nuk kishte vlerë të madhe tregtare.

Prandaj, Evropa paraqiti projektin abicioz "Galileo" dhe e ftoi Kinën të merrte pjesë në të, për të sfiduar bashkërisht sistemin amerikan "GPS". Edhe Kina shpresoi të përfitonte nga kjo mundësi dhe të dyja palët arritën unanimitet shumë shpejt. Në vitin 2004, Kina dhe Evropa nënshkruan marrëveshje. Kina angazhohej të investonte 230 milionë euro dhe të paguante shumë shpejt këstin e parë me vlerë 70 milionë euro. Për pjesëmarrjen në projekin "Galileo", Kina la mënjanë përkohësisht sistemin "Beidou", që sapo kishte hyrë në funksionim.

Projekti "Galileo" ngjalli frikë të madhe te ShBA-ja, e cila madje paralajmëroi se, nëse do të ndiente kërcënim, do t'i prishte drejtpërdrejt satelitët e "Galileos".

Historia nuk eci sipas parashikimit. Në vitin e dytë pas nisjes së projektit "Galileo", në Evropë erdhën në pushtet disa politikanë proamerikanë. Me ndyshimin e erës politike, Evropa iu afrua shpejt ShBA-së dhe filloi ta linte mënjanë Kinën.

Në projektin "Galileo" Kina investoi fonde kolosale, por nuk mund të merrte pjesë në vendimmarrje dhe madje pati pengesa të shumta edhe në bashkëpunimin teknologjik. Përveç emrit si pjesëmarrëse, Kina nuk fitoi asgjë nga ky projekt.

Nga ky mësim shumë serioz u kuptua se sistemi i pozicionimit satelitor është mjet jetik i një vendi, që ka të bëjë me interesat kombëtare dhe për të nuk mund të mbështetesh te të tjerët. Kina duhej të zhvillonte në mënyrë të pavarur sistemin "Beidou".

III.

Kina u detyrua të punonte veças dhe rifilloi kështu sistemi "Beidou", që ishte ndërprerë prej disa vjetësh.

Në prill 2007, u lëshua me sukses sateliti i parë në orbitën e mesme të Tokës.

Në prill 2009, u lëshua me sukses sateliti i parë gjeostacionar.

Në janar 2010, u lëshua me sukses sateliti i dytë gjeostacionar.

Më 5 nëntor 2017, u lëshuan me sukses satelitët e 24-të dhe të 25-të.

Më 12 janar 2018, u lëshuan me sukses satelitët e 26-të dhe të 27-të.

Më 12 shkurt 2018, u lëshuan me sukses satelitët e 28-të dhe të 29-të.

Parashikohet se në vitin 2020, sistemi "Beidou" do të përfshijë gjithë globin dhe do të jetë në gjendje të shërbejë për mbarë botën.

Nga ana teknologjike, sistemi "Beidou" e kalon "Galileon" dhe mund të krahasohet me "GPS"-in.(Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore