Pritet të shtrohet "banket kulturor" për Vitin e Ri Kinez në epokën e re

2018-02-14 11:23:09 CRI Komenti juaj Printoni

Nga ekspozita e porcelanit në Muzeun e Pallatit të Ndaluar deri në shfaqjet teatrore për fëmijë dhe shfaqja e disa filmave, si "Detektiv në Qytetin Kinez 2"(Detective in Chinatown 2), "Mbreti Majmun 3: Mbretëria e Grave" (The Monkey King 3: Kingdom of Women), "Shpëtimi i Madh" (The Big Rescue) ... pritet të "shërbehen" edhe më shumë "pjata të shijshme kulturore" gjatë Vitit të Ri Kinez 2018. Sipas vlerësimit, konsumi i produkteve kulturore në Kinë ka potencial të arrijë në 4.7 trilionë juanë (afërsisht 740 miliardë dollarë), por tani shifra është 1 trilion juanë, domethënë ka edhe 3 trilionë juanë hapësirë për rritje.

Me rritjen e nivelit të zhvillimit ekonomiko-shoqëror të Kinës, po ndryshon edhe zakoni i konsumit të banorëve kinezë, të cilët nuk kënaqen më vetëm me pasurinë materiale, por synojnë edhe pasurinë shpirtërore. Kësisoj, më shumë kinezë dëshirojnë të shpenzojnë në sektorin e arsimit, kulturës, argëtimit, sportit etj.

Përvoja ndërkombëtare tregon që kur PBB-ja e një vendi ose e një rajoni i tejkalon 3000 dollarët amerikanë për frymë, pritet rritja e shpejtë e konsumit kulturor; kur PBB-ja për frymë i afrohet ose e kalon shifrën 5000 dollarë, konsumi kulturor hyn në "erën e zgjerimit". Në rastin e Kinës, PBB-ja për frymë i kalon 8000 dollarët. Kjo nënkupton që shpenzimet e kinezëve në sektorin e kulturës në raport me sektorë të tjerë do të rriten në vazhdimësi, dhe pritet të vijë periudha e zhvillimit progresiv të konsumit kulturor.

Faktikisht kërkesa e kinezëve për produkte kulturore është duke rritur me një ritëm të shpejtë. Të marrim si shembull disa shifra të vitit 2017: shpenzimet mesatare për frymë në arsim, kulturë, argëtim ishin 2086 juanë (afërsisht 329.4 dollarë), me një rritje prej 8.9% në krahasim me 2016-n dhe duke zënë 11.4% të të gjiha shpenzimeve. Ky është viti i pestë me radhë që ky raport e kalon 10 për qind, domethënë që konsumi në arsim, kulturë dhe argëtim ndodhet në fazën e rritjes së qëndrueshme. Në vitin e kaluar, të ardhurat nga shitja e biletave të kinemave në Kinë arritën 55.911 miliardë juanë, 13.45 % më shumë se në vitin 2016; të ardhurat nga shfaqjet e drejtpërdrejta në internet kapën shifrën 30.45 miliardë juanë, me një rritje vjetore 39%; numri i pajtimtarëve për shërbimet video është rritur me 202.6 miliardë në krahasim me 2016-n, me një fjalë tjetër, çdo ditë shtohen 110 mijë pajtimtarë të rinj. Për sa i përket sektorit të animacionit dhe të vizatimeve, vëllimi i përgjithshëm i prodhimit arriti në 150 miliardë juanë, 13.6% më shumë se në vitin 2016. Të gjitha këto shifra tregojnë që sektori i kulturës do të kontribuojë më shumë për zhvillimin e ekonomisë kineze.

Por në krahasim me tregjet kulturore dhe konsumin e vendeve të zhvilluara, mund të themi që Kina ende është në fazën fillestare të zhvillimit të sektorit kulturor, sepse nuk është çliruar tërësisht energjia e konsumit kulturor. Për sektorin e kulturës, pasurimi i produkteve dhe përshtatja me zhvillimin e informatikës e të internet, janë punë parësore.

Së pari, duhet të nxirren më shumë produkte kulturore dhe të pasurohet tregu kulturor. Vjet, mbi 40 % e pajtimtarëve për shërbimet video paguan për të shikuar programet në internet, dhe numri i pajtimtarëve me pagesë është rritur vazhdimisht. Njerëzit janë të ndërgjegjshëm për të paguar për produktet në internet, një dukuri pozitive për sipërmarrësit, të cilët duhet të prodhojnë lloje të ndryshme produktesh dhe të investojnë në përmbajtje cilësore e të shëndetshme. Konsumatorët që kanë lindur pasi viteve '95 dhe 2000 po bëhen grupi kryesor ndër të gjithë konsumatorët. Ata janë në moshë të re, i pranojnë shumë shpejt produktet e gjërat e fundit dhe kanë më shumë kureshtje dhe pritshmëri për gjërat interesante. Kompanitë e internetit duhet të mendojnë si t'i tërheqin më shumë konsumatorët që i përkasin kësaj grupmoshe me produktet që përputhen me shijet e tyre.

Së dyti, ka nevojë që të rregullohet struktura e sektorit kulturor dhe të ofrohet më shumë mbështetje për të prodhuar produkte të reja. Të lindurit pas viteve '90 dhe '95 janë ndryshe nga brezat e mëparshëm. Ata kanë parapëlqime për veprat vizatimore ose të animuara, videolojërat etj. Për fat mirë, në Kinë shihet prirja e rritjes së shpejtë në fushat e sipërmendura, sidomos në Pekin, Shanghai dhe metropole të tjera. Vjet, vetëm në Pekin, kompanitë që merren me filmin ose videot e animuara e vizatimore kanë prodhuar 62.7 miliardë juanë, 20% më shumë sesa në 2016-n. Por në këtë sektor ende nuk është formuar një zinxhir i plotë dhe i pjekur tregtar. Bësohet se inovacioni në modelin e biznesit do të nxitë prodhimin e më shumë produkteve shpirtërore.

Së fundi, duhet të ketë më shumë shërbime të individualizuara që kënaqësia e konsumatorit të ngrihet. Konsumatorët do të kenë më shumë kërkesa për cilësinë e produkteve, kështu përmirësimi i përmbajtjeve në internet dhe inovacioni i metodave, si aplikacionet për celularët e tabletët, do të jetë në favor të përmirësimit të përvojës së konsumatorëve dhe të zgjerimit të hapësirës tregtare. Gjatë Vitit të Ri Kinez ose festave të tjera, edhe institucionet publike, si bibliotekat dhe muzetë, duhet të jenë të hapura, kështu që qytetarët mund të kenë qasje në gjërat kulturore "kurdo dhe kurdo që kanë dëshirë".

(Autori është Yi Shaohua, studiues i Shkollës së Studimeve të Strategjive të Financave pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës. Përkthyer nga Wang Xianya.)

Mrekulli
Lajmet Kryesore