"Sekreti" i Kinës për garantimin e sigurisë publike

2018-02-11 12:00:08 CRI Komenti juaj Printoni

Kina konsiderohet nga gjithnjë e më shumë njerëz si një nga vendet më të sigurta në botë dhe radhitet në vendet e para në listën e klasifikimit global të sigurisë. Ndërkohë, niveli i shpenzimeve të saj për mbrojtjen e sigurisë publike dhe forcat policore për frymë është më i ulët se mesatarja e botës. Si e garanton Kina sigurinë publike me kosto të ulët për qëndrueshmëri të lartë? A ka Kina ndonjë "metodë sekrete"?

Në vitin 2017 Kina vazhdoi të jetë një nga vendet e botës me përqindjen më të ulët të vrasjeve. Vjet krimet serioze të dhunës u ulën 51.8% në krahasim me vitin 2012, ndërsa niveli i kënaqësisë së qytetarëve kinezë me sigurinë publike u ngrit në 95.55 %. Profesori i Universitetit të Sigurisë Publike të Popullit Kinez Wang Dawei është i mendimit se treguesi i sigurisë i shoqërisë kineze radhitet në vendet e para në botë, si nga vlerësimet subjektive, ashtu edhe nga treguesit objektivë.

"Aktualisht lidhur me standardet botërore për vlerësimin e sigurisë publike ekzistojnë dy kategori, treguesit subjektivë dhe ata objektivë. Treguesit subjektivë përfshijnë ndjenjat e publikut për sigurinë, kënaqësinë e qytetarëve të thjeshtë, miratimin nga ana e tyre të punës së policisë etj., ndërsa treguesit objektivë janë përqindja e ndodhjes së krimeve dhe e zbulimit të tyre. Kina ka epërsi të dukshme në përqindjen e kriminalitetit dhe të zbulimit të krimeve, ndjenjat e publikut për sigurinë, si dhe treguesit e tjerë subjektivë e objektivë, në krahasim me statistikat përkatëse të botës."

Një mendim të ngjashëm me Wang Dawei kanë edhe shumë politikanë e specialistë të vendeve të tjera. Madje, vlerësohet se zhvillimi i vrullshëm ekonomik dhe qëndrueshmëria e përgjithshme shoqërore janë dy mrekullitë që Kina i ka shfaqur botës. Prapa mrekullisë, fakti që nuk duhet shpërfillur është se numri i forcave të policisë për frymë në Kinë është shumë më i ulët se niveli mesatar botëror dhe shpenzimet për mbrojtjen e sigurisë publike dhe të qëndrueshmërisë shoqërore kundrejt PBB-së janë të ulëta në krahasim me vende të tjera.

71-vjeçarja Wang është aktiviste për sigurinë publike në lagjen "Liulitun" të distriktit Chaoyang të Pekinit. Pak kohë më parë, ajo zbuloi një të ri të porsashpërngulur në lagjen e saj që nuk punonte jashtë shtëpisë, por hynte e dilte shpesh herë nga lagjja me të panjohur. Njëkohësisht ky i ri që banonte vetëm porosiste çdo ditë shumë ushqime nga restorantet me celular. Gjyshja Wang e denoncoi të riun te policia e lagjes. Në bazë të hetimit serioz, policia e distriktit Chaoyang zbuloi se në shtëpinë e tij i riu mbante gjashtë vajza që ushtronin prostitucion, duke e shkatërruar këtë rrjet.

Njoftohet se deri në fund të vitit 2017, mbi 140 mijë banorë të thjeshtë të distriktit Chaoyang u regjistruan si vullnetarë të sigurisë publike, që do të thotë se çdo kilometër katror i distriktit Chaoyang mbrohet nga 300 vullnetarë.

Sipas profesorit Wang Dawei, pikërisht "vija e masave" është "shkopi magjik" i administrimit të gjithanshëm të sigurisë publike në Kinë.

"Vija e masave për administrimin e gjithanshëm është traditë e çmuar për sigurinë publike në Kinë. Rrënjët e krimeve ndodhen në shoqëri, prandaj forca kryesore për frenimin e krimeve janë masat popullore. 'Gjyshet e distriktit Xicheng', 'Banorët e distriktit Chaoyang', 'vullnetar në internet', këto janë novacione në kohën kibernetike për administrimin e gjithanshëm dhe ne duhet ta kuptojmë thellësisht përparësinë e tyre e t'i shfrytëzojnë më tej."

Krahas "masave popullore të distriktit Chaoyang" që janë shumë të njohura, janë futur në funksionim edhe shumë metoda të teknologjisë së lartë, si dronët, të dhënat e mëdha etj.

Vitet e fundit policia kineze ka përtërirë edhe konceptin në punën e saj, duke studiuar teoritë e praktikat lidhur me antiterrorizmin, gjendjet urgjente dhe shërbimin e zbulimit. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore