"Bashkësia e fateve të përbashkëta" mund "Amerika e para"

2018-01-26 09:44:55 CRI Komenti juaj Printoni

Një vit më parë, presidenti i Kinës Xi Jinping ishte në Zvicër për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit dhe në Konferencën e Nivelit të Lartë të Gjenevës, ku mbajti përkatësisht dy fjalime të rëndësishme që tërhoqën vëmendjen e publikut. Krahas qëndrimit pro globalizimit të ekonomisë, kreu i shtetit kinez shtjelloi konceptin e krijimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit, një nismë që pasuron filozofitë kryesore mbi strukturën e marrëdhënieve ndërkombëtare të shekullit të 21-të.

Fill pas përfundimit të vizitës së presidentit Xi në Zvicër, Donald Trump-i hyri në Shtëpinë e Bardhë me sloganin "Amerika e para" ("America First"), shprehje që tronditi gjithë botën.

Presidenti i Kinës Xi Jingping mbajti fjalim në Forumin e Davos-it, 2017

2017-a është një vit kur shumica e vendeve të botës filluan të kuptonin dhe të mendonin për nismën e Kinës për bashkësinë e fateve të njerëzimit dhe filluan ta pranonin dhe përqafonin përhapjen e saj në botë. Një shembull i thjeshtë që është edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara ka përdorur në disa dokumente të saj shprehjen "krijim i bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit". Ndërsa pothuajse të gjitha reagimet e botës ndaj shprehjes "Amerika e para" kanë qenë negative. Vendet e ndryshme ose kanë heshtur, ose nuk e kanë mirëpritur, ose e kanë bojkotuar këtë shprehje.

Lidhur me të ardhmen, thirrja për krijimin e një bashkësie të fateve të përbashkëta do të prodhojë energji pozitive për shekullin e 21-të, do të jetë emëruesi i përbashkët i globalizimit ekonomik dhe diplomacisë botërore, si edhe një objektiv që do të pasurohet vazhdimisht nga të gjitha. Një përfundim i tillë rrjedh nga këto arsye:

1. Koncepti "Krijim i bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit" pasqyron marrëdhëniet e shkallës më të lartë në epokën e globalizimit, fazën e përparuar të zhvillimit të shoqërisë njerëzore. Vendet e botës janë të ndërlidhur me njëri-tjetrin si kurrë më parë. Interesat e një vendi kanë të bëjnë me shumë palë të tjera dhe kështu rrjeti i interesave është ndërthurur më ngushtë. Secili vend është futur thellë në këtë rrjet. Çdokush mund të ushtrojë ndikim ndaj të tjerëve që ndodhen larg, janë të panjohur ose që nuk do t'i takojë kurrë në jetë, dhe anasjellas.

2. Më shumë çështje globale gjenden përballë njerëzve, si ndryshimi i klimës, terrorizmi, siguria kibernetike, epidemitë e rënda etj., të cilat përbëjnë rreziqe dhe kërcënime për të gjithë vendet, përtej kufijve gjeografikë. Për luftimin e këtyre problemeve duhet bashkimi i përpjekjeve të të gjithëve. Njëkohësisht, veçimi nuk shërben për zhvillimin e një vendi. Proteksionizmi tregtar, në shumë raste, zbatohet jo me qëllim të mbylljes së dyerve ndaj botës, por për të mbrojtur dhe forcuar pozitën e favorshme të vendit në tregtinë ndërkombëtare me anë të dëmtimit të interesave të të tjerëve.

3. Kina luan rol pozitiv dhe konstruktiv si nismëtare e çdo hapi gjatë konkretizimit të konceptit të "bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit", sidomos me nismën "Një brez, një rrugë", duke dëshiruar përfitimin e të gjitha palëve. As elita mediatike perëndimore më e rreptë nuk i vë konceptit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit në mënyrë flagrante etiketën "gjeopolitikë". Nëse Kina vazhdon t'i japë dinamizëm dhe të mos shqetësohet nga kundërshtimet e pabaza, ky koncept do të zmadhohet si ortek dëbore, duke grumbulluar përpjekjet dhe forcat pozitive të shoqërisë.

4. "Amerika e para" e Uashingtonit në këtë kohë, bie në kontrast me forcën tërheqëse të "bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit". Kjo e fundit synon barazinë dhe përfitimet e ndërsjella, ndërsa e para pasqyron egoizmin e fshehur të një vendi. Pavarësisht se sa e vështirë do të jetë krijimi i bashkësisë së fateve të përbashkëta, vullneti dhe veprimi i saj nxitës do të jenë më të pëlqyer sesa "egoizmi i një vendi të madh". Morali dhe drejtësia njerëzore kurrë nuk arrihen shpejt dhe lehtë, por edhe është shumë e qartë që ato nuk ngrihen mbi egoizmin, por mbi vullnetin e mirë.

5. Bashkësia e fateve të përbashkëta është bërë konsensus i shoqërive në shumë vende. Nga pikëpamja historike, tani popujt e botës ndodhen në prag të strukturimit të një superbashkësie me interesa të përbashkëta dhe një rendi të qëndrueshëm botërore. Tashmë në këtë drejtim janë duke u përftuar disa arritje të rëndësishme.

Propozimi i presidentit kinez Xi Jinping në Forumin e vjetshëm të Davosit për të krijuar bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit është një thirrje dhe inkurajim për të gjithë në këtë nyjë kyçe të zhvillimit të historisë njerëzore. Propozimi i tij ishte plot ndjenjë përgjegjësie dhe përcolli mesazhin e drejtësisë dhe të ndërgjegjësimit, duke u sjellë dritë njerëzve. Krahasuar me propozimet e tjera për qeverisjen botërore, publiku është i mendimit dhe bie dakord që ky propozim është zgjedhja më e arsyeshme dhe më e realizueshme.

Forumi Ekonomik Botëror i Davosit mbahet përvit dhe në të shumë figura të rëndësishme kanë thënë fjalë të mëdha, që për fat keq në shumicën e rasteve u zhdukën si meteorë. Krijimi i bashkësisë së fateve të përbashkëta është një përparim i madh i mendimit njerëzor mbi shoqërinë, i cili e ka origjinën nga Kina, u shpall në Zvicër dhe do të zhvillohet në gjithë botën. (Wang Xianya/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore