Një fjalim me ndikime të thella ndërkombëtare

2018-01-18 15:30:30 CRI Komenti juaj Printoni

Më 17 janar 2017, presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti një fjalim në ceremoninë e hapjes të sesionit vjetor të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Ky fjalim ngjalli diskutime të gjera në bashkësinë ndërkombëtare dhe shumë studiues perëndimorë janë të mendimit se fjalimi i Xi-së në Davos ishte një sukses i plotë. Duke përgjithësuar forcën ndikuese të këtij fjalimi, revista amerikane "Newsweek" vuri në dukje se Kina konsiderohet tani si "kyç i stabilitetit të ekonomisë botërore".

Sipas studiuesit britanik John Ross, gjatë vitit të kaluar, fjalimi i presidentit Xi ka luajtur rol shumë të madh për të orientuar opinionin ndërkombëtar në trajtimin siç duhet të globalizimit ekonomik dhe kjo forcë ndikuese është në zgjerim e sipër.

Pse ky fjalim ka ushtruar ndikime aq të mëdha? John Ross analizon disa arsye.

Së pari, më e rëndësishmja është përmbajtja e fjalimit. Ligjerata e presidentit Xi Jinping vërtetoi një shprehje të urtë kineze që "Të vërtetat vijnë nga praktika". Xi vuri në dukje: "Globalizimi ekonomik është kërkesë objektive e zhvillimit të forcave prodhuese dhe rezultat i pashmangshëm i përparimit tekniko-shkencor." Shembuj dhe studime të panumërta tregojnë se niveli i hapjes dhe i ndërkombëtarizimit të një ekonomie ka bashkëlidhje pozitive me shpejtësinë e zhvillimit të saj. Pas Luftës së Dytë Botërore, globalizimi i zhvilluar pandërprerë ka luajtur rol vendimtar në ruajtjen e qëndrueshmërisë së ekonomisë botërore dhe të rritjes ekonomike. Kjo përbën kontrast të fortë në krahasim me fragmentarizimin e ekonomisë botërore gjatë viteve 1929-1939, që shkaktoi krizën më serioze ekonomike në historinë moderne.

Në bazë të gjykimit që zhvillimi ekonomik mbështetet te globalizimi ekonomik, ruajtja e ekonomisë së ndërkombëtarizuar dhe të hapur ka rëndësi jetike dhe është në favor të qeverive dhe popujve të vendeve të ndryshme. Globalizimi i ekonomisë i ka sjellë fitime kolosale pjesës dërrmuese të popujve të botës dhe shumë vende janë përfituar nga ai. Si një nga përfituesit, përmirësimi i jetesës së popullit kinez pas Reformës e Hapjes ka tërhequr vëmendjen e mbarë botës. Gjatë dekadave të fundit, 75 % e njerëzve të shkëputur nga varfëria janë kinezë. Gjithashtu, në valën e globalizimit ekonomik, edhe disa vende afrikane kanë pasur rritje ekonomike prej 6-9% në vit. Të gjitha këto vërtetojnë forcën e teorisë ekonomike përkatëse.

Në fjalimin e tij, Xi Jinping-u shtjelloi qartazi se globalizimi ekonomik përputhet jo vetëm me interesat e vetë Kinës, por edhe me interesat e përbashkëta të vendeve të ndryshme. Këto interesa të përbashkëta formojnë bazën më të fortë të bashkëpunimit ndërkombëtar. Fjalimi i Xi-së konsiderohet gjerësisht se mishëron "qëndrueshmërinë globale".

Sipas profesorit John Ross, koha kur Xi mbajti këtë fjalim ishte shumë kyçe. Megjithëse ShBA-ja kishte përkrahur globalizimin ekonomik gjatë pjesës së madhe të kohës pas Luftës së Dytë Botërore, John Ross shpreh keqardhjen që zërat e proteksionizmit janë bërë mbizotërues në shoqërinë amerikane. Shumë vende nuk janë të sigurta nëse ShBA-ja do të vazhdojë të këmbëngulë në premtimet e saj për globalizimin ekononik. Me këtë rast, në fjalimin e Xi-së në Davos u bë e qartë se Kina do të vijojë të këmbëngulë në hapjen ndaj botës dhe në ndërtimin e ekonomisë së hapur botërore. Si ekonomi e madhe dhe me forcë të gjerë ndikuese, Kina i premtoi botës nxitjen e globalizimit ekonomik dhe këmbënguljen në leverdinë e ndërsjellë e përfitimet e përbashkëta. Pjesa dërrmuese e vendeve të botës e njohin rëndësinë e globalizimit ekonomik për zhvillimin, prandaj kanë reaguar pozitivisht ndaj fjalimit të kreut të shtetit kinez.

Faktori i tretë i suksesit të fjalimit të Xi Jinping-ut në Davos, sipas profesorit John Ross, është mjeshtria e shkëlqyer oratorike, që mundi të ngjallte jehonë publikut. Në fjalimin e tij, presidenti Xi përdori fjalë të thjeshta, duke iu referuar shprehjeve të njohura të shkrimtarit të famshëm britanik Çarls Dikens, që janë të kuptueshme për audiencën perëndimore.

Në fillim të veprës së tij "Pasuria e kombeve", Adam Smith-i vë në dukje: "Përmirësimi më i madh i forcave prodhuese (...) duket se ka qenë rezultat i ndarjes së punës." John Ross është i mendimit se, me zhvillimin e ekonomisë moderne, ndarja e punës duhet mbështetur te globalizimi. Ekonomia që orvatet të mbështetet vetëm te forcat e veta, patjetër do të dështojë.

Studiuesi John Ross është i mendimit se fjalimi i presidentit Xi Jinping në Davos do të ketë forcë ndikuese dhe efekt afatgjatë, sepse ai foli për problemet themelore të botës së sotme. (Wang Lei)

Mrekulli