Dhjetë lajmet kryesore ndërkombëtare në 2017-n

2018-01-03 17:03:45 CRI Komenti juaj Printoni

Radioja e Jashtme e Kinës dhe gazeta "Renminribao" kanë publikuar bashkërisht dhjetë zhvillimet më të rëndësishme ndërkombëtare të vitit 2017. Le t'u hedhim një sy këtyre ngjarjeve sipas renditjes kronologjike.

1. Koncepti i Kinës bëhet konsensus ndërkombëtar, plani i Kinës bëhet veprim global

Më 17 dhe 18 janar, presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti fjalime përkatësisht në Forumin Ekonomik Botëror në Davos dhe në selinë e OKB-së në Gjenevë, ku shprehu idenë që procesi i globalizmit ekonomik duhet ribalancuar dhe bëri thirrje për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit. Koncepti i Kinës i "bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit" dhe parimi i "konsultimit, ndërtimit dhe ndarjes së përbashkët" u përfshinë në disa rezoluta të OKB-së. Në Forumin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për "Një Brez, një Rrugë" dhe Takimin e 9-të të Liderëve të BRICS-it, me nxitjen e Kinës, u arritën rezultate historike që orientojnë zhvillimin e botës. Kina kontribuoi gjithashtu mençurinë e vet në qeverisjen globale. Statusi dhe ndikimi i Kinës në arenën ndërkombëtare u forcua historikisht.

2. Tërheqja e ShBA-së pasqyron unilateralizmin, "Amerika e para" godet qeverisjen globale

Pasi u tërhoq nga Marrëveshja e Partneritetit të Trans-Paqësorit (TPP) më 23 janar, ShBA-ja shpalli tërheqjen e saj edhe nga "Marrëveshja e Parisit" , UNESCO-ja dhe Marrëveshja Globale mbi Migracionin. Politika "Amerika e para" e administratës së Trump-it tregon thellimin e unilateralizmit të ShBA-së e mospajtimin ndërmjet Uashingtonit dhe bashkësisë ndërkombëtare lidhur me qeverisjen globale. Diplomacia e "tërheqjes" e Trump-it shpjegon që Amerika po heq dorë gradualisht nga përgjegjësitë e saj ndërkombëtare, gjë që shton pasigurinë e strukturës ndërkombëtare.

3. Përshkallëzimi i provave bërthamore dhe i manovrave ushtarake, situata në Gadishullin Korean u bë më e tensionuar

Më 12 shkurt, Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike me rreze të mesme. Pas këtij lëshimi, pavarësisht nga kundërshtimet e bashkësisë ndërkombëtare, Pheniani vazhdoi provat e veta bërthamore dhe lëshimin e raketave. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, nga njëra anë, miratoi disa rezoluta me radhë për sanksione ndaj Koresë së Veriut, nga ana tjetër, u bëri thirrje palëve përkatëse ta zgjidhnin këtë çështje me mjete diplomatike, paqësore dhe politike. ShBA-ja dhe Koreja e Jugut ishin aktive në bashkëpunimin ushtarak, i cili u shikua nga Pheniani si provokim i mëtejshëm dhe kësisoj tensioni në këtë gadishull të Azisë Verilindore u bë më i thellë. Një shembull konkret është që më 4 dhjetor, forcat ajrore të Koresë së Jugut dhe ato amerikane të dislokuara në këtë vend kryen një manovër ushtarake në shkallë më të gjerë.

4. "Brexit"-i eci me vështirësi, sfida për integrimin europian

Qeveria britanike shpalli nisjen e procedurës së "Brexit"-it. Pas disa raundesh negociatash, Theresa May arriti të gjente gjuhën e përbashkët me Bashkimin Evropian mbi marrëveshjen e fazës së parë të "Brexit"-it. Teksa procesi i integrimit evropian mori një goditje nga "divorci" me Britaninë e Madhe, zgjedhjet parlamentare në Holandë, Francë, Gjermani dhe Austri ngadalësuan më tej hapat e këtij procesi, sepse partitë kryesore të këtyre vendeve filluan të luftonin me partitë e ekstremit të djathtë. Pluralizmi i interesave në shoqëri e ka shpërqendruar spektrin politik në Evropë. Me një fjalë, procesi i integrimit evropian ndodhet përballë sfidave edhe më të shumta.

5. Takimet Xi–Trump tërheqin vëmendjen e botës, Kina e ShBA-ja nxisin marrëdhëniet dypalëshe

Më 6 dhe 7 prill, presidenti i Kinës Xi Jinping pati një takim dyditor me homologun e tij amerikan Donald Trump në Mar-a-Lago të Floridës në ShBA. Të dy presidentët arritën konsensus mbi katër mekanizma të dialogut të nivelit të lartë, që janë përkatësisht dialogu i diplomacisë dhe i sigurisë, dialogu i gjithanshëm ekonomik, dialogu i forcimit të ligjit e sigurisë kibernetike dhe dialogu shoqëror-kulturor, të cilët nënkuptonin tranzitin e qetë të marrëdhënieve kino-amerikane. Në nëntor, presidenti amerikan Donald Trump bëri një vizitë zyrtare në Kinë. Dy krerët arritën konsensus në shumë aspekte mbi zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Takimi luajti rol orientues strategjik për zhvillimin e ardhshëm. Marrëdhëniet e shëndetshme dhe të qëndrueshme midis Kinës dhe ShBA-së janë bërë pritshmëria e të gjitha palëve.

6. Katari ndërpreu marrëdhëniet me vendet islamike, element shqetësues për Lindjen e Mesme

2017-a ishte një vit me luhatje drastike për vendet e Lindjes së Mesme. Në qershor, Arabia Saudite dhe disa vende të tjera islamike ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit u shpërbë. Kriza vazhdon deri në ditët e sotme. Ish-presidenti i Jemen-it Ali Abdullah Saleh u vra në luftën civile më 4 dhjetor. Një ditë më pas, më 5 dhjetor, Trump-i shpalli njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, duke prekur çështjen më sensitive në Lindjen e Mesme dhe duke nxitur protesta. Procesi i paqes palestinezo-izraelite është më i brishtë se më parë.

7. Qetësohet situata në Detin e Kinës Jugore, arrihet korniza e "Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore"

Në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Kinës dhe ASEAN-it, që u mbajt nga 6 deri në 8 gusht, u arrit korniza e "Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore". Gjatë Samitit të 31-të të ASEAN-it dhe takimeve mes liderëve të Bashkëpunimit të Azisë Lindore, kryeministri i Kinës Li Keqiang shpalli që Kina dhe vendet anëtare të ASEAN-it nisën konsultimet lidhur me tekstin e "Kodit". Pekini dhe vendet e ASEAN-it rikonfirmuan dhe konsoliduan konsensusin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve, duke nxitur vendet përkatëse të hartojnë bashkë rregullat e Detit të Kinës Jugore.

8. Zhduket "mjegulla" e krizës financiare, shpejtohet rritja e ekonomisë globale

Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi më 10 tetor "Parashikimin e ekonomisë botërore", ku rriten pritshmëritë për ekonominë botërore. Në vitin 2017, 75 % e ekonomive të botës do të kishin një shpejtim të rritjes, që ishte rritja më e madhe në dekadën e fundit qysh nga kriza financiare. Sipas FMN-së, Kina do të kontribuonte për 34.6 % të rritjes së ekonomisë botërore, duke qenë shtylla kryesore në rritjen ekonomike globale. Raporti ekonomik i OKB-së, që u publikua në dhjetor, vuri në dukje përmirësimin e ekonomisë globale në 2017-n.

9. Kongresi i 19-të i PKK-së u mbyll me sukses, Kina kontribuon me mençurinë e saj

Kongresi i 19-të i Partisë Komuniste të Kinës u mbajt nga 18 deri në 24 tetor në Pekin. Me këtë rast, u përfshi në statutin e Partisë "Mendimi i Xi Jinping-ut për socializmin me karakteristika kineze në epokën e re". Në kongres u përcaktua që në epokën e re, diplomacia kineze do të ketë objektivin e "formimit të strukturës së re ndërkombëtare dhe krijimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit". Rruga, teoria, sistemi dhe kultura e Kinës janë zhvilluar pandërprerë. Rasti i Kinës shërben si shembull për modernizimin e vendeve të tjera në zhvillim. Në këtë kuptim, Kina ka dhënë kontribut me mençurinë dhe zgjidhjet e veta për problemet njerëzore.

10. Spastrohet "Shteti Islamik", situata antiterroriste mbetet e rëndë

Më 21 nëntor, kryeministri i Irakut Haider al-Abadi dhe presidenti i Iranit Hassan Rouhani shpallën eliminimin e forcave ekstremiste në Irak dhe Siri, gjë që nënkupton zhdukjen ushtarake të "Shtetit Islamik". Fill më pas, edhe Rusia shpalli përfundimin e misionit të trupave të saj në Siri dhe fillimin e tërheqjes së tyre. Nga ana tjetër, terrorizmi u shfaq në shumë vende të botës, sulmet e dhunshme dhe terroriste akoma nuk janë ndalur tërësisht, kështu që presioni terrorist përballë botës po shtohet. (Wang Xianya)  

 

Mrekulli
Lajmet Kryesore