Pesë pikat e punës ekonomike të Kinës për vitin 2018

2017-12-22 10:08:03 CRI Komenti juaj Printoni

Mbledhja Qendrore e Punës Ekonomike e Kinës, një mekanizëm i përvitshëm i cili daton që nga viti 1994, është tubimi ekonomik i nivelit më të lartë në Kinë, i organizuar nga Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Kinës dhe Këshilli i Shtetit të Kinës. Gjatë kësaj mbledhjeje zyrtarët e lartë kinezë rishikojnë arritjet dhe çështjet e punës ekonomike në Kinë gjatë vitit në mbarim, dhe përcaktojnë përparësitë e zhvillimit të ekonomisë në vitin e ardhshëm.

Sekretari i Pëgjithshëm i PKK-së dhe Presidenti i Kinës Xi Jinping mbajti fjalë në Mbledhja Qendrore e Punës Ekonomike 2017

Mbledhja e sivjetshme u mbajt nga 18 deri më 20 dhjetor në Pekin, në vijim të mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, dhe në të u trajtuan një sërë çështjesh të rëndësishme lidhur me ekonominë kineze, duke e vënë theksin në pesë pika.

1. Ruajtja afatgjatë e qëndrueshmërisë ekonomike, duke synuar progresin e saj

"Qëndrueshmëria" dhe "progresi" përbëjnë një unitet dialektik. Duhet marrë parasysh si një tërësi që ritmi dhe masa e punës të mbeten në kontroll, duke pasur si objektiv bashkërendimin e përgjithshëm të politikave konkrete. "Progresi në qëndrueshmëri", një shprehje që u paraqit për herë të parë në vitin 2011 dhe është përsëritur në çdo vit në vijim, u interpretua hollësisht në mbledhjen vjetore ekonomike në vitin 2014.

"Qëndrueshmëri" do të thotë që ekonomia kineze duhet të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme, dhe ajo pasqyrohet në ulje-ngritjen jo drastike të rritjes së ekonomisë, punësimit dhe çmimeve në treg, si edhe në mosshfaqjen e ndonjë rreziku sistemor brenda sistemit financiar. "Progresi" është rregullimi i strukturës ekonomike dhe thellimi i Reformës e Hapjes, duke synuar arritje dhe rezultate të reja gjatë ndryshimit të mënyrës së zhvillimit të ekonomisë dhe nxitjes së këtij zhvillimi me anë të inovacionit. Në përgjithësi, objektivi i ruajtjes së "qëndrueshmërisë " dhe të "progresit" është që treguesit ekonomikë të luhaten në një hapësirë normale, rreziqet e sistemit financiar të mbahen nën kontroll e struktura ekonomike të jetë e shëndetshme.

2. Zhvillimi i përgjithshëm kërkon cilësinë e lartë të zhvillimit të ekonomisë

"Socializmi me karakteristika kineze ka hyrë në epokën e re, e po ashtu edhe zhvillimi i ekonomisë kineze. Një karakter i zhvillimit të tillë ekonomik është kalimi nga zhvillimi me shpejtësi të lartë në zhvillimin me cilësi të lartë," vuri në dukje Mbledhja Qendrore e Punës Ekonomike, e cila dha orientime për mënyrën e realizimit të zhvillimit me cilësi të lartë.

"Nxitja e zhvillimit me cilësi të lartë përputhet me kërkesën e natyrshme të zhvillimit të vazhdueshëm e të shëndetshëm të ekonomisë, përshtatet me ndryshimin e kontradiktave kryesore shoqërore në Kinë dhe objektivin e ndërtimit të një shoqërie relativisht të begatë dhe një vendi modern socialist, dhe përputhet me ligjet e zhvillimit ekonomik. Kësisoj, tani dhe në të ardhmen, për caktimin e drejtimit të zhvillimit, hartimin e politikave ekonomike dhe zbatimin e makrorregullimit, vendimmarrësit duhet të mbajnë parasysh objektivin e zhvillimit me cilësi të lartë. Për të realizuar këtë objektiv, një sërë sistemesh duhet t'i nënshtrohen ristrukturimit ose rregullimit, si p.sh. sistemi për treguesit, politikat, standardet, statistikat, vlerësimin e performancës qeverisëse etj. "

3. Reforma e sistemit të strehimit dhe krijimi i mekanizimit afatgjatë për zhvillimin e shëndetshëm të tregut të pasurive të paluajtshme

Mbledhja e vjetshme kërkoi studimin për krijimin e një mekanizmi afatgjatë, i cili jo vetëm të jetë në përputhje me gjendjen e përgjithshme kombëtare dhe ligjet e tregut, por edhe të frenojë "shkumën" në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të parandalojë fluksin e madh. Kurse sivjet u kërkua "përmirësimi dhe nxitja e një mekanizmi afatgjatë që promovon zhvillimin e stabilizuar dhe të shëndetshëm të tregut të pasurive të paluajtshme, siguron vijueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e politikave rregulluese për tregun e pasurive të paluajtshme, ndan qartë kompetencat e pushtetit qendror dhe vendor, dhe bën rregullimin sipas gjendjes në çdo rajon."

Kalimi nga "studimi" në "përmirësimin" e "nxitjen" e mekanizmit të tillë, tregon që teoria po vihet në zbatim. Në fillim të 2017-s, një sërë masash konkrete u vënë në jetë, si shtimi i dhënies së banesave me qira dhe shitja e banesave ku blerësit dhe qeveria ose kompanitë ndajnë të drejtat e pronësisë. Qëllimi është shumë i qartë, siç përmendi raporti i Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste: "banesa është për banim, jo për spekulim".

4. Rilindja Rurale

Strategjia e "Rilindjes Rurale" është paraqitur për herë të parë në Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste të Kinës dhe u ripërmend si një prej punëve me përparësi të lartë gjatë mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PKK-së. Parashikohet që në vitin 2018 dhe etapën e ardhme, do të fillojë të zbatohet strategjia e Rilindjes Rurale që prek tjetërsimin e tokës, shtimin e të ardhurave dhe nxitjen e konsumit të fermerëve, forcimin e infrastrukturës në zonat rurale etj.

5. Struktura e re me hapje të gjithanshme

Ky është premtimi i Kinës përballë globalizmit dhe një prej detyrave kryesore të saj në vitin 2018. Raporti i Kongresit të Partisë Komuniste të Kinës përmendi "nxitjen e formimit të strukturës së re me hapje të gjithanshme", "dyert e hapura të Kinës nuk do të mbyllen, por do të hapen më shumë".

Mbledhja Qendrore e Punës Ekonomike përmendi objektivat dhe masat e mëposhtme: "Zgjerimi i tregtisë së jashtme, inkurajimi i modelit të ri të tregtisë, nxitja e krijimit të një vendi të fuqishëm tregtar"; "dhënia e një autonomie më të madhe zonave pilot të tregtisë së lirë, eksperimentimi i ndërtimit të porteve të tregtisë së lirë"; "në kuadër të nismës 'Një Brez, Një Rrugë', Kina do t'i kushtojë të njëjtën rëndësi importit dhe eksportit, do të respektojë parimet e konsultimeve, ndërtimit dhe ndarjes së përbashkët, do të ruajë frymën e inovacionit gjatë bashkëpunimit të hapur, që të formohet struktura e re të hapjes, e cila lidh tokën me detin dhe nxit shkëmbimet". Në të njëjtën kohë, mbledhja ka dhënë premtimin e saj që "çdo biznes i huaj i regjistruar në Kinë do të trajtohet si biznes vendës..."

(Wang Xianya)

Kryeministri kinez Li Keqiang në në Mbledhja Qendrore e Punës Ekonomike 2017

Mrekulli
Lajmet Kryesore