Sa larg shikon të kaluarën, aq larg shkon në të ardhmen

2017-12-15 15:23:16 CRI Komenti juaj Printoni

13 dhjetori i sivjetshëm është dita jubilare e 80-vjetorit të Masakrës së Nankinit dhe gjithashtu Dita e 4-t Kombëtare Përkujtimore e kësaj ngjarjeje në Kinë. Në këtë kuadër, u zhvilluan veprimtari të ndryshme përkujtimore dhe udhëheqësit e Partisë e

të shtetit morën pjesë në ceremoninë kombëtare përkujtimore për Masakrën e Nankinit.

Pa dyshim, Masakra e Nankinit është për të gjithë kinezët një kujtim shumë i rëndë dhe i hidhur. Por përkujtimi i kësaj ngjarjeje nuk synon vijimin e urrejtjes, por që t'i bëjë njerëzit të çmojnë paqen e tanishme.

Rëndësia e kujtimeve

Në nëntor 2016, një qendër tregtare në ShBA dizenjoi një bluzë, në anën e prapme të së cilës ishte e printuar një fotografi nga Masakra e Nankinit, që tregonte ushtarë japonezë duke masakruar banorë të thjeshtë kinezë të ulur në gjunj.

Megjithëse qendra tregtare dhe dizenjuesi shpjeguan se qëllimi i tyre nuk ishte fyerja e ndjenjave të popullit kinez, por qëndrimi kundër luftës dhe indiferencës, ky veprim ngjalli kritikat e shumë përdoruesve të internetit.

Më në fund, qendra tregtare e hoqi këto bluzë nga raftet e saj.

Çfarë tregon kjo ngjarje? Kjo tregon se Masakra e Nankinit është bërë pjesë e kujtimeve të shenjta të kombit kinez dhe shenjtëria mishërohet te moskomercializimi i saj.

Nga kjo ngjarje tregohet se Masakra e Nankinit ruhet në kujtesën e kinezëve dhe është me rëndësi të madhe për ta.

Kujtimet tona janë gjithashtu këmbëngulëse. Dihet nga të gjithë se gjatë asaj ngjarjeje të rëndë të 80 vjetëve më parë, shumë miq të huaj krijuan zonën e sigurisë në Nankin, dhe drejtuesi i kësaj zone ishte gjermani John Rabe.

Pas vitit 1945, në mediat e Nankinit u botuan njoftime për gjetjen e këtij zemërmiri, që kishte ndihmuar shumë kinezë. Në fakt Rabe u kthye në Gjermani pas vitit 1937, por pjesën e mbetur të jetës ai e kaloi në mënyrë tragjike, si pasojë e statusit si anëtar i Partisë Naziste, por edhe e refuzimit të bashkëpunimit me qeverinë naziste.

Historia e Rabe-s u zbulua nga shkrimtarja amerikane me prejardhje kineze Zhang Chunru, gjatë procesit të shkrimit të librit "Masakra e Nankinit". Fatkeqësisht, Zhang-u u vetëvra nën presionin shumë të madh të shkrimit të librit, që rrëfente të vërtetën e historisë.

Përgjegjësia e kujtimeve

Si plagë e një kombi, Masakra e Nankinit ka të bëjë patjetër me secilin individ të këtij kombi, por çfarë lidhjeje ka ajo me njerëzit modernë? Ose pse duhet të mbajmë këtë plagë?

Sipas studiuesit kinez Li Hongtao, bashkëpunëtor i Institutit Studimor të Historisë së Masakrës së Nankinit dhe të Paqes Botërore, mbajtja në mend e kësaj plage është një lloj përgjegjësie.

Të mbijetuarit nga Masakra e Nankinit nuk mbeten asnjë njëqind veta. Do të pakësohen gjithnjë e më shumë ata që e dëshmuan këtë histori me trupin dhe kujtimet e tyre, gjë që do të thotë që do të hyjmë në "periudhën e paskujtimeve".

Me humbjen e dëshmitarëve, kush do ta trashëgojë këtë histori? Sigurisht brezi i ri, por ata do të kenë mënyrën e hapësirën e tyre të kujtimit.

Kujtimet përfshijnë të kaluarën, por duhet të orientohen drejt së ardhmes. Në librin e tij me titull "Për ç'arsye njeriu kujton", dijetari kinez Xu Ben thotë: "Për të dalë nga hijet e katastrofës historike dhe për të realizuar pajtimin shoqëror, duhet të mos mbetemi peng i së kaluarës, por jo ta harrojmë të kaluarën."

Krahas përgjegjësisë për kujtimet, studiuesi Li Hongtao thekson se duhet të kemi kujtime personale të pasura dhe shumëllojshme në këtë drejtim.

Në zonën e sigurisë të krijuar nga Rabe dhe njerëz të tjerë zemërmirë, u pranuan mbi 200 mijë refugjatë. Në këtë azil të posaçëm me kaq shumë njerëz, mungonte ushqimi, u përhapën sëmundje dhe kishte shumë vështirësi. Me këtë rast, një i huaj dhuroi 100 tonë bathë, të cilat i shpëtuan refugjatët. Atëkohë në zonën e sigurisë, u përhap një këngë fëmijësh e tillë: "Gatuajmë mëngjesin me bathë, gatuajmë drekën me bathë, fasule të kuqe, fasule jeshile dhe bathë, çdo vakt hamë bathë."

"Kur lexova për këtë histori, u preka shumë. Nga kjo këngë shohim shpresat e fëmijëve për jetën, edhe në një jetë aq të vështirë," thotë studiuesi Li Hongtao.

"Më në fund, do të përpiqemi ta shndërrojmë Masakrën e Nankinit në një kujtim botëror," shtoi Li. Aktualisht dokumentet rreth Masakrës së Nankinit janë përfshirë në Regjistrin e Kujtesës Botërore të OKB-së.

Edhe shumë vende, duke përfshirë Kanadanë, kanë shpallur ditën përkujtimore për Masakrën e Nankinit. Por kjo nuk është e mjaftueshme, thotë studiuesi Li: "Ne duhet të bëjmë përpjekje në këtë drejtim, që më shumë perëndimorë të jenë të ndërgjegjshëm se gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte jo vetëm Lufta e Paqësorit, jo vetëm lufta e evropianëve, por dhe lufta e kinezëve në Azinë Lindore, ku kinezët paguan një çmim të shtrenjtë." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore