Platforma 16+1 nuk është instrument magjik, por një realitet

2017-11-29 15:37:45 CRI Komenti juaj Printoni

U mbushën plot pesë vite që nga dita kur qeveria kineze shpalli platformën 16+1. Tashmë mund të themi se kjo platformë nuk është më në fazën e saj të parë. Investimet kineze në vendet pjesëmarrëse të saj janë rritur ndërkohë kur bashkpunimi i ndërsjelltë ka ardhur gjithnjë duke u forcuar.

Platforma 16+1 është një pjesë e rëndësishme e nismës "Një brez, një rrugë". Mund të thuhet se vendet Europës Qendrore dhe Lindore janë me shumë fat që janë pjesë e të dy këtyre nismave, të cilat ofrojnë një mundësi shumë të mirë për zhvillimin e ekonomive të këtyre vendeve. Për arritjen e këtij objektivi kërkohet një angazhim i të gjitha palëve. Vetëm në qoftë se ne punojme të gjithë së bashku atëhere edhe frutat e këtij bashkëpunimi mund të vijnë sa më shpejt.

Mendoj se, kur qeveria kineze vendosi të shpallë platformën 16+1 apo edhe nismën "Një brez, një rrugë", nuk është se kishte para të tepërta dhe nuk dinte ku t'i shpenzonte. Gjithashtu kjo nuk është as një ndihmë internacionaliste, siç ofronte Kina dikur. Mendoj se Kina ka shumë rajone dhe sektorë të ekonomisë që kanë nevojë për investime në para që të zhvillohen. Por, duke qenë njëra nga fuqitë më të mëdha të ekonomisë botërore, Kina ka ndarë disa para mënjanë për të asistuar zhvillimin e ekonomisë dhe rritjen e mirëqenies së popujve edhe në pjesë të tjera të globit. Kjo mund të konsiderohet si një përpjekje e Kinës për ta ndarë mundësinë e zhvillimit edhe me pjesën tjetër të botës. Duke qenë projekte të mbështetura mbi bazën e parimit që të gjithë do të jenë të fituar, edhe suksesi përfundimtar i këtyre nismave është i garantuar.

Si pjesë përbërese e vendeve të tjera të Europës Qendrore e Lindore, edhe Shqipëria është përfituese e platformës 16+1. Si të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse të kësaj platforme edhe ajo deri tani ka përfituar investime kineze të një vlere prej më shumë se 600 milionë dollarë. Disa projekte kanë filluar, por janë edhe disa projekte të tjera të rëndësishme që presin të hyjnë në planet për të ardhmen. Një gjë është e sigurtë, të dy vendet tona tashmë e kanë konsoliduar besimin reciprok, ndaj edhe Shqipëria në të ardhmen do të jetë gjithnjë e më shumë pjesë e axhendës së investimeve kineze. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se është përpara një rrugë e gjatë për t'u bërë, ndaj edhe kërkohet përkushtim e seriozitet në gjetjen dhe hartimin e projekteve. Është i njohur fakti që vende të ndryshme qasen ndaj platformës 16+1 me objektiva të ndryshme, japin kontribute të ndryshme ndaj edhe pritshmëritë ndaj saj do të jenë të ndryshme.

Çështja e papunësisë është një nga problemet më të mprehta për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera të rajonit tonë. Në mungesë të një pune të sigurtë, të rinjtë shqiptarë shpesh herë janë detyruar të shkojnë në vende të Bashkimit Europian për të kërkuar punë. Kjo në një pjesë të madhe ka shkaktuar probleme sociale jo vetëm për vetë ata dhe familjet e tyre, por edhe për vendet ku shkojnë. Unë mendoj se një nga objektivat kryesore të platformës 16+1 është që, nepërmjet investimeve në projekte të mëdha, përveç të mirave të tjera për zhvillimin ekonomik të vendeve, të krijojë edhe mundësi punësimi për popullsinë vendase, sidomos për të rinjtë. Në këtë mënyrë, ndërsa efektet e këtyre investimeve afatgjata do të shihen pas shumë vitesh, efekti i punësimit të njerzve shihet shumë shpejt. Në mënyrë që kjo të realizohet sa më mirë mendoj se, gjatë realizimit të projektit kompanitë kineze të rekrutojnë sa më shumë puntorë lokalë, përfshirë edhe një pjesë të stafit inxhiniero – teknik. Në këtë mënyre edhe rendimenti i punës do të rritej, por, mbi të gjitha, do të zgjidhej në një masë të konsiderueshme edhe çështja e papunësisë.

Nga ana tjetër, dihet se, për Kinën, Ballkani është porta kryesore jugore për të hyrë në Europë. Ndoshta kjo është edhe arsyeja kryesore pse investimet më të mëdha kineze në këtë rajon janë në fushën e infrastrukturës, si në ndërtime rrugësh, hekurudhash apo portesh detare. Padyshim që një nga objektivat parësore të Kinës është që të arrijë tregun e Bashkimit Europian sa më shpejt të jetë e mundur dhe me kosto sa më të ulët. Megjithatë unë shpresoj që rajoni i Balllkanit të mos konsiderohet thjeshtë si një rrugëkalim për në Europë. Për këtë është e domosdoshme që, përveç investimeve në fushën e infrastrukturës, të cilat janë shumë të rëndësishme e të domosdoshme, të investohet edhe në projekte të tjera të ekonomisë si parqe industriale, ne sektorin e bujqësisë e blegtorisë etj. Rrugët e hekurudhat sjellin zhvillim vetëm kur ato integrohen me të gjithë elementët e tjerë të ekonomisë të rajoneve ku ato kalojnë.

Gjithashtu, pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit Perëndimor akoma nuk janë anëtare të Bashkimit Europian. Deri tani Kina është e pranishme, diku pak më pak e diku pak më shumë, në të gjitha vendet e këtij rajoni. Në të ardhmen kjo prani do të vijë duke u shtuar. Por, për ta patur suksesin e sigurtë, mendoj se ajo duhet të vijë në këtë rajon duke kaluar më parë nga Bashkimi Europian dhe jo në kahun e kundërt. Si duhet kuptuar kjo?

Është fakt i njohur se marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis Kinës dhe Bashkimit Europian janë në një nivel mjaft të kënaqshëm. Kina njeh më së miri ligjet dhe standardet europiane, përfshirë edhe ato në fushën e investimeve. Si vende kandidate të BE edhe vendet tona po punojnë me përkushtim për t'a përshtatur legjislacionin e vendit me atë europian. Në këtë drejtim është arritur progres, por ka akoma vështirësi në implementimin e ligjeve dhe rregullave. Ndërkohë kur kushti kryesor i BE për vendet e Ballkanit Perëndimor është që investimet e huaja në këto vende të realizohen sipas procedurave europiane. Ndërkohë realizimi i një lidhjeje midis platformës 16+1 dhe Procesit të Berlinit apo programeve të tjera të ngjashme europiane do të ishte një ide e mirë. Tashmë në këtë drejtim janë instaluar disa ura bashkpunimi që, padyshim, do të japin rezultate pozitive.

Duke ardhur në Ballkanin Perëndimor nepërmjet Bashkimit Europian, do të largohet edhe një farë shqetësimi europian lidhur me forcimin e marrëdhënieve të disa vendeve të rajonit me vende të tjera, përfshirë edhe me Kinën. Kjo nuk sjell asgjë të keqe veçse është një garanci më shumë drejt suksesit. Duke trokitur në Ballkanin Perëndimor nepërmjet Brukselit Kina do të ndihmojë më shumë në përmbushjen e objektivave të vendeve tona për t'u bërë pjesë e familjes së madhe europiane. Kjo është edhe në interesin afatgjatë të vetë Kinës.

Nga ana tjetër kjo është edhe rruga më e mirë për rritjen e transparencës së investimeve dhe një forme efikase për të ulur fenomenin e korrupsionit. Rastet e disa udhëheqësve ballkanikë, të cilët i kanë përdorur favoret për investitorët kinezë duke siguruar në këmbim përfitime për vehte apo partitë e tyre politike, duhet t'i përkasin të së kaluarës. Pas vendimeve të rëndësishme të Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës për luften kundër korrupsionit edhe ky fenomen do të vijë duke u reduktuar.

Dhe, e fundit që dua të theksoj, është mungesa e shkallës së njohjes midis Kinës dhe Europës, në përgjithësi, dhe Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore, në veçanti. Për të bërë që bashkpunimi ekonomik e financiar të jetë sa më i suksesshëm duhen rritur edhe kontaktet midis njerzve nepërmjet organizimit të veprimtarive të përbashkëta kulturore, artistike e shkencore midis të gjitha palëve në vendet respektive.

Platforma 16+1 nuk mund të konsiderohet si një instrument magjik apo ilaç që mund të shërojë të gjitha problemet ekonomike me të cilat ne përballemi. Por, nëqoftë se ajo menaxhohet mirë e me seriozitetin e duhur, nuk ka asnjë dyshim se përfitimi ekonomik do të jetë i sigurtë dhe një pjesë e madhe e problemeve aktuale do të gjejnë zgjidhje.

Hajdar Muneka

Ish ambasador i Shqipërisë në Kinë

Mrekulli