Disa mendime mbi mekanizmin e "Bashkëpunimit 16+1"

2017-11-26 09:51:26 CRI Komenti juaj Printoni

Javën tjetër do të zhvillohet në Budapest samiti i 6-të i liderëve të Kinës dhe të vendeve të Evropës Qendrore e Lindore (EQL), ku do të marrin pjesë kryeministri i Kinës Li Keqiang dhe liderë të 16 vendeve të EQL-së. Me këtë rast, profesor Kong Hanbing, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Pekinit, ka botuar një artikull mbi problemet në mekanizmin e "Bashkëpunimit16+1".

Sfondi

Në artikullin e tij, prof. Kong shprehet se, ndër 65 vendet e rajonet e përfshira në nismën "Një Brez, Një Rrugë", 16 janë nga Evropa Qendrore e Lindore, 18 nga Azia Perëndimore, 11 nga Azia Lindore, 8 nga Azia Jugore, 5 nga Azia Qendrore dhe 7 të tjera nga Bashkësia e Vendeve të Pavarura. Është e dukshme se vendet e EQL-së zënë një vend të rëndësishëm në këtë nismë. Një vit përpara shpalljes së nismës "Një Brez, Një Rrugë", u krijua mekanizmi i "Bashkëpunimit 16+1" në samitin e liderëve të Kinës dhe të vendeve të EQL-së në Varshavë në prill 2012. Në këtë sfond, marrëdhëniet midis Kinës dhe vendeve të EQL-së janë forcuar shumë dhe janë bërë "temë e nxehtë" e studimeve dhe analizave.

Në Forumin e 6-të Ekonomiko-Tregtar midis Kinës dhe vendeve të EQL-së, që u zhvillua në nëntor 2015 në Liga, kreu i qeverisë së Kinës paraqiti katër parimet e "Bashkëpunimit 16+1": konsultimet e barabarta dhe respekti i ndërsjellë, leverdia reciproke dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta, hapja, gjithëpërfshirja dhe ecja përpara krah për krah, si dhe zhvillimi e novacioni i përbashkët. Prof. Kong Hanbing është i mendimit se këto parime pa dyshim janë të rëndësishme për zhvillimin normal të marrëdhënieve midis Kinës dhe vendeve të EQL-së dhe për bashkëpunimin efikas.

Por, marrëdhëniet e bashkëpunimit krijohen nga të dyja palët. Kina është njëra anë, kurse pala tjetër është një grup vendesh. Cilat janë dallimet midis Kinës dhe 16 vendeve të EQL-së, si dhe midis vetë këtyre vendeve? A mund të përplotësojnë njëri-tjetrën? Profesori Kong Hanbing është i mendimit se qartësimi i këtyre problemeve është shumë i domosdoshëm.

Dallimet

16 vendet e Evropës Qendrore e Lindore përfshijnë Poloninë, Hungarinë, Çekinë dhe Sllovakinë të Evropës Qendrore; Rumaninë, Bullgarinë, Shqipërinë, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Bonjë-Hercegovinën, Maqedoninë dhe Malin e Zi të Evropës Juglindore, si edhe vendet e detit Baltik: Lituaninë, Letoninë e Estoninë. Aktualisht është pranuar gjerësisht nga qarqet akademike kineze dhe të huaja koncepti "Evropë Qendrore e Lindore", i ardhur nga koncepti gjeopolitik "Evropë Lindore".

Nga këndvështrimi historik, këto 16 vende kanë karakteristikën e përbashkët që ato kanë qenë vende evropiane dhe tani janë kthyer në Evropë në shkalla të ndryshme. Para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, këto vende kishin modelin e zhvillimit shoqëror me sistem shumëpartiak e ekonomi tregu dhe ishin aleate të vendeve të mëdha të Evropës Perëndimore, dhe jo modelin e Bashkimit Sovjetik të atëhershëm me një parti dhe ekonomi të planifikuar.

Pavarësisht nga ky tipar i përbashkët, këto 16 vende kanë edhe dallime të mëdha lidhur me sipërfaqen e territorit të tyre, popullsinë, nivelin e zhvillimit ekonomik, kulturën fetare dhe shkallën e integrimit evropian. Ato nuk i përkasin një bashkësie të formuar prej një kohe të gjatë dhe në mënyrë të qëndrueshme, kanë një barrë të rëndë historike dhe ndikimi i bashkësisë ndërkombëtare tek ato është i ndërlikuar. Këto dallime do të ndikojnë në unitetin e tyre si një rajon, si dhe në fushat, nivelin, përmasat e madje rezultatin e bashkëpunimit me Kinën.

Krahas dallimeve të mëdha, si një rajon i ri i formuar në mënyrë artificiale, 16 vendet e EQL-së ndikohen edhe nga shumë elemente të ndërlikuara fetare e kulturore.

Së pari, tre vendet baltike kanë lidhje të dobëta me 13 vendet e tjera, se ato nuk i përkasin të njëjtit rajon historikisht. Së dyti, marrëdhëniet e ndërlikuara të pakicave kombëtare brenda shumë vendeve do të ushtrojnë ndikime të ndërlikuara në strukturën unike dhe zhvillimin shoqëror, si kombësia maqedonase dhe kombësia shqiptare në Maqedoni; serbët, kroatët dhe myslimanët në Bosnjë-Hercegovinë etj. Së treti, marrëdhëniet e ndërlikuara midis disa vendeve fqinje ndikojnë në bashkëpunimin dhe qëndueshmërinë rajonale, si kontradiktat midis Shqipërisë dhe Serbisë për problemin e Kosovës, problemet e pakicave kombëtare në kufirin midis Hungarisë nga njëra anë dhe Sllovakisë e Rumanisë nga ana tjetër etj. Së treti, këto vende kanë lidhje të ndërlikuara me vendet e fuqishme, si vendet e Evropës Perëndimore, ShBA-në, Rusinë, Turqinë, e gjithashtu me Kinën.

Mundësitë përplotësuese

Dallimet ekzistojnë jo vetëm midis 16 vendeve të EQL-së, por sigurisht edhe midis Kinës dhe këtyre vendeve. Sipas prof. Kong Hanbing, këto dallime mishërohen kryesisht në sistemin politik, sipërfaqen e popullsinë, si dhe vëllimin e përgjithshëm ekonomik. Kina ka një sipërfaqe 7.2 herë më të madhe se sipërfaqja e përgjithshme e këtyre 16 vendeve të marra së bashku, dhe një vëllim GDP-je 7.9 herë më të madhe.

Si pasojë e dallimeve shumë të mëdha, largësisë dhe gjeopolitikës, Kina dhe 16 vendet e EQL-së kanë mundësi të vogla përplotësuese ndërmjet tyre. Kina dhe këto vende nuk janë partnere të ndërsjella tregtare. Katër partnerët kryesorë tregtarë të Kinës janë ShBA-ja, Japonia, Koreja e Jugut dhe Gjermania. Ndër 16 vendet e EQL-së, vetëm për Shqipërinë, Kina është partnerja e tretë më e madhe tregtare, kurse për 15 vendet e tjera, Kina nuk përfshihet në katër vendet e para. Për vendet e EQL-së, partneret tregtare kryesore janë Gjermania, Italia dhe Franca.

Kina dhe vendet e EQL-së nuk janë objektiv i eksporteve të njëra-tjetrës. Dhjetë vendet e para përkatësisht të eksportit dhe importit të Kinës nuk përfshijnë asnjë vend të EQL-së.

Niveli i mundësisë përplotësuese është gjithashtu i ulët në shkëmbimet kulturore e arsimore midis Kinës dhe vendeve të EQL-së.

Sigurisht, dallimet shumë të mëdha dhe mundësia e vogël përplotësuese midis Kinës dhe vendeve të EQL janë natyrore e nuk mund e nuk duhet të ndryshojnë. Këto karakteristika objektive janë kushtet paraprake për zhvillimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve të EQL-së e një nga bazat shumë të rëndësishme për vlerësimin e këtyre marrëdhënieve të bashkëpunimit.

Hapësira

Shumëllojshmëria dhe ndërlikueshmëria janë karakteristikat e dukshme të rajonit të Evropës Qendrore e Lindore. Mekanizmi i "Bashkëpunimit 16+1" është formuar pikërisht në këto shumëllojshmëri, ndërlikueshmëri dhe dallime të mëdha. Megjithatë, marrëdhëniet politike të mira dhe të nivelit të lartë midis Kinës dhe këtyre vendeve përbëjnë parakushtin bazë dhe garancinë e besueshme për konkretizimin e këtij mekanizmi. Edhe sikur të ketë ndonjë pengesë politike midis Kinës dhe këtyre vendeve, ajo do të zgjidhet me pesë parimet e bashkekzistencës paqësore.

Përvoja historike ka vërtetuar se marrëdhëniet politike janë të brishta dhe të ndryshueshme. Në 16 vendet e EQL-së zbatohen politikat partiake. Ndërrimi i shpeshtë i partive në pushtet ndikon në njëfarë mase në vazhdueshmërinë e politikave të brendshme e të jashtme të një vendi. Kësisoj, shkëmbimet midis 16 vendeve të EQL-së dhe Kinës ndikohen nga politika e brendshme, ajo rajonale dhe ndërkombëtare. Marrëdhëniet politike duhen mbështetur nga marrëdhëniet e forta ekonomiko-tregtare. Nëse e quajmë mekanizmin e "Bashkëpunimit 16+1" një urë, kjo urë duhet të jetë e fortë e afatgjatë dhe me gurë themeli dhe shtylla mbështetëse, jo e përkohshme.

Në bashkëpunimin konkret, Kina nuk do t'i trajtojë 16 vendet si një tërësi, por 16 njësi konkrete dhe do të përcaktojë përkatësisht fushat, vëllimin dhe nivelin e bashkëpunimit me këto vende. Ky bashkëpunim "i saktë" do të mishërohet në kapacitetet përplotësuese, në përmasën e nivelin e përshtatshëm. Kjo "saktësi" është e pandarë nga analizimi dhe hetimi i thellë dhe i hollësishëm, por jo nga argumentimet politike apo akademike. Pavarësisht nga dallimet e mëdha dhe aftësitë e vogla përplotësuese midis dy palëve në ekonomi dhe kulturë, Kina dhe 16 vendet e EQL-së kanë ende hapësira të mëdha bashkëpunimi, që dëshmohet nga rezultatet e bashkëpunimit në shumë fusha vitet e fundit. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore