Katër "pluset" e vizitës së Trump-it në Kinë

2017-11-10 20:29:56 CRI Komenti juaj Printoni

Vizita e presidentit të ShBA-së Donald Trump në Kinë është vizita e tij e parë në këtë vend si individ dhe si president, ndërsa për Kinën, ai është i pari kryetar i huaj shteti i ardhur pas kongresit historik të Partisë Komuniste të Kinës.

Para vizitës së tij, pala kineze u shpreh se Kina do ta presë presidentin Trump me trajtimin "vizitë shtetërore+". Si është trajtimi "plus"? Të shohim këto hollësi gjatë vizitës së Trumpit në Kinë.

Pritja+

Kur presidenti Trump zbriti nga "Air Force One", Yang Jiechi e priti në aeroport.

Pritja në aeroport nga Yang-u, anëtar i Këshillit të Shtetit të Kinës, në rang zv.kryeministri, është e jashtëzakonshme në protokoll, sepse sipas protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, liderët e huaj priten në aeroport zakonisht nga ministri i Jashtëm dhe drejtori i Protokollit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Gjatë vizitës së tij në Kinë në vitin 2012, presidenti i Rusisë Vladimir Putin u prit në aeroport nga zv.ministri i Jashtëm Zhang Zhijun, kurse presidenti amerikan Barak Obama, që e vizitoi Kinën në vitin 2014, u prit në aeroport nga ministri i Jashtëm Wang Yi.

Për pritjen e Trumpit, shkoi në aeroport Yang Jiechi, me rang më të lartë se ministri i Jashtëm Wang Yi, gjë që është një trajtim i lartë se

për Obamën dhe Putinin, duke mishëruar vëmendjen e madhe të palës kineze kushtuar vizitës së Trump-it.

Sigurisht, ky trajtim i veçantë për Trumpin nuk është i papritur.

Në prill të këtij viti, kur presidenti i Kinës Xi Jinping vizitoi pronën e Trumpit Mar-a-Lago, sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson e priti në aeroport. Rangu i Tillersonit është barazi me të kryeministrit në vendet e tjera. Pritja në aeroport nga sekretari i Shtetit është me të vërtetë e rrallë në diplomacinë e ShBA-së vitet e fundit.

Kultura+

Sipas protokollit, liderët e huaj priten nga liderët kinezë zakonisht në sheshin "Tiananmen", ku zhvillohet ceremonia solemne, ekzekutohen himnet kombëtare, kalohen trupat në revistë dhe bëhen 21 të shtëna, për të pritur ngrohtësisht ardhjen e mysafirëve. Pas kësaj ceremonie, zhvillohen bisedime, vizita dhe banketi i mbrëmjes.

Por kësaj here, Trumpi shkoi drejtpërdrejt në Pallatin e Dimrit, me të zbritur nga avioni. Sigurisht, ky është një trajtim shumë i veçantë diplomatik.

Para vizitës, pala kineze tha se do ta priste presidentin Trump me trajtimin "vizitë shtetërore +". Cili është vendi më i përshtatshëm për pritjen e Trumpit?

Patjetër Pallati i Dimrit, sepse është vepra arkitekturore më e shkëlqyer në Kinë, dhe Trumpit i pëlqen shumë shkëlqimi.

Gjatë vizitës në Pallatin e Dimrit, Trumpi u habit nga madhështia e arkitekturës kineze të lashtë. Ai ndaloi shpeshherë, duke shijuar hollësisht muret e kuqe, tullat e arta, tavanet me vizatime të gjalla dhe duke shprehur admirimin e thellë për kulturën tradicionale kineze me përmbajtje të pasur.

Një hollësi interesante është se kur shikoi një enë të artë antike, Trumpi tregoi interes të madh dhe Xi Jinping-u, që e shoqëronte, i shpjegoi me buzëqeshje se ajo ishte e artë, krejtësisht e artë.

Duke dëgjuar se është e artë plotësisht, Trumpi i entuziazmuar e mbajti në gjoks......

Vizita e Trumpit në Pallatin e Dimrit sigurisht nuk ishte thjesht vetëm për shikimin e enëve të arta. Si pallat mbretëror i dinastive të fundit feudale të Kinës Ming dhe Qing, Pallati i Dimrit mishëron thellësisht kulturën kineze.

Duke ndjekur boshtin e Pallatit, dy çiftet presidenciale të Kinës dhe të ShBA-së vizituan me radhë Sallën "Taihe", Sallën "Zhonghe" dhe Sallën "Baohe". Emrat e të tre sallave kryesore kanë fjalën "he", që ka kuptimin "harmoni", thelbi i kulturës tradicionale kineze.

Koncepti i "harmonisë" është i rrënjosur thellë te kinezët. Kina do të ndërtojë shoqërinë harmonike, synimi i politikës së jashtme të Kinës është bota harmonike dhe në tregtinë e jashtme Kina është për fitime harmonike.

Pas vizitës në tre sallat kryesore, presidenti Xi e njohu Trumpin edhe me kulturën e historinë e lashtë kineze. Dialogu midis tyre ishte shumë interesant.

Trump: Historia e Kinës daton para pesë mijë vjetëve, ose më herët. Pra, keni një histori prej pesë mijë vjetësh.

Xi: Historia jonë e shkruar është tre mijë vjet.

Trump: Mendoj se kultura më e lashtë është ajo egjiptiane, me histori tetëmijëvjeçare.

Xi: Po, kultura egjiptiane është më e lashtë, por kultura që nuk është ndërprerë asnjëherë dhe është trashëguar deri më sot është vetëm ajo kineze.

Trump: Kjo është kultura juaj origjinale.

Xi: Po, prandaj edhe ne kinezët jemi origjinalë, me flokë të zezë dhe me ngjyrë të verdhë. Ne jemi pasardhësit e dragoit.

Trump (me buzëqeshje): Mrekulli!

"Bashkëpunim+"

Si dy ekonomitë më të mëdha në botën e sotme, marrëdhëniet ekonomiko-tregtare midis dy vendeve janë stabilizuese dhe themeli i marrëdhënieve midis dy vendeve. Thelbi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare midis Kinës dhe ShBA-së është leverdia reciproke dhe përfitimet e përbashkëta.

Si të zgjerohet bashkëpunimi dhe të nxitet zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve kino-amerikane, ishte një fokus i takimit midis Xi-ut dhe Trumpit. Të enjten, krerët e të dy vendeve ishin të pranishëm bashkërisht në nënshkrimin e kontratave tregtare në fushat e energjetikës, të manifakturës, bujqësisë, të aviacionit, energjisë elektrike, të automjeteve etj., si dhe të marrëveshjeve për investimet dypalëshe, me një vëllim të përgjithshëm prej mbi 250 miliardë dollarësh amerikanë, duke shënuar rekord në bashkëpunimin ekonomik-tregtar midis dy vendeve. Kjo vërteton gjithashtu se midis Kinës dhe ShBA-së ka hapësirë të madhe bashkëpunimi.

"Ëmbëlsia +"

Gjatë pushimit të çajit në Pallatin e Dimrit, Trump-i i tregoi z. Xi Jinping dhe bashkëshortes së tij me "iPad" një fragment video të mbesës së tij Arabela, e cila këndon në gjuhën kineze dhe reciton poema të lashta kineze.

Kjo nuk ishte hera e parë që "familja e parë" e ShBA-së shfaq paraqëlqimin për kulturën kineze. Gjatë takimit Xi-Trump në prill të këtij viti në Mar-a-Lago, nipi dhe mbesa e Trumpit dhanë shfaqje në gjuhën kineze për çiftin presidencial kinez.

Pasi pa videon, z. Xi Jinping e vlerësoi Arabelan për ngritjen e nivelit të gjuhës kineze dhe tha se mund ta vlerësohet me "A+". Xi tha se Arabela është bërë yll i vogël në Kinë dhe shpreson që edhe ajo ta vizitojë Kinën.

Kontaktet dhe shkëmbimet e përzemërta midis krerëve të të dy vendeve afrojnë distancat midis dy popujve dhe i dhanë vizitës serioze shtetërore një "shije" të ëmbël. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore