Mendimi i Kinës për ndërhyrjen e NATO-s në Azi-Paqësor

2017-11-04 14:04:07 CRI Komenti juaj Printoni

Në prag të vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Azi, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg vizitoi Japoninë dhe Korenë e Jugut. Lidhur me problemin bërthamor të Gadishullit Korean, ai tha haptazi se do të ushtrojë presion ndaj vendeve të ndryshme për të vënë sanksione të përbashkëta ndaj Koresë së Veriut, që të zgjidhet problemi i kërcënimit nga ky vend ndaj sigurisë globale.

Pas marrjes së postit në fillim të vitit, presidenti Trump u shpreh se NATO-s i ka kaluar koha, duke sjellë tensionimin e marrëdhënieve midis ShBA-së dhe NATO-s. Në këtë rrethanë, pse po koordinohet NATO-ja me ShBA-në në rajonin e Azi-Paqësorit?

Në fakt, masat e NATO-s janë vijimi i politikës së saj të disa vjetëve më parë. Në periudhën e Obamës, ShBA-ja predikonte me forcë "rikthimin në Azi-Paqësor", ndërsa NATO-ja bashkërendohej aktivisht me strategjinë e ShBA-së dhe orvatej të demonstronte praninë e vet në çështjet me interes botëror. Njëkohësisht, nëpërmjet ndërhyrjes në punët e Azi-Paqësorit, NATO-ja përpiqet të nxitë ndryshime strategjike dhe të realizojë qëllimin për prani më të madhe të çështjet globale.

Simboli i ndërhyrjes së NATO-s në punët e Azi-Paqësorit ishte deklarata e njëanshme e ministrave të Jashtëm të vendeve të NATO-s për dënimin e "provokimit" të Koresë së Veriut, të bërë më 23 prill 2013. Kjo ishte deklarata e dytë e bërë nga NATO-ja mbi situatën në Gadishullin Korean, pas eksperimentit të tretë bërthamor të Koresë së Veriut, dhe ishte një deklaratë e jashtëzakonshme. Po në atë muaj, Sekretari i Përgjithshëm i atëhershëm i Aleancës Anders Fogh Rasmussen vizitoi Japoninë dhe Korenë e Jugut dhe u konsultua me partnerët globalë për problemet e nxehta të Azi-Paqësorit, përfshirë dhe situatën në Gadishullin Korean.

Profesori kinez i marrëdhënieve ndërkombëtare Wang Yiwei vizitoi selinë e NATO-s po në vitin 2013 dhe bisedoi me pesë personat e ngarkuar me hartimin e projektraportit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s mbi çështjet e Azi-Paqesorit. Ata e pyetën profesorin kinez kryesisht për mendimet e Kinës për ndërhyrjen e NATO-s në çështjet e Azi-Paqesorit, gjë që pasqyron se NATO-ja i kushton rëndësi të madhe çështjes së Azi-Paqesorit dhe po kërkon rrugëdalje.

Pse NATO-ja nxiton në ndërhyrjet në punët e Azi-Paqësorit? Mbijetesa dhe zhvillimi kanë qenë dy temat kryesore të NATO-s pas lindjes së kësaj organizate. Pas Luftës së Ftohtë, ligjshmëria është bërë një problem i vazhdueshëm e Aleancës. Vitet e fundit, pas "rikthimit" të ShBA-së në Azi-Paqësor, edhe NATO-ja tregon vëmendje ndaj këtij rajoni.

Pas Luftës së Ftohtë, NATO-ja është gjendur para dilemës: "Ose të dalë jashtë rajoneve tradicionale, ose të shpërndahet". Në fund të vitit 2014, NATO-ja tërhoqi trupat nga Afganistani dhe po shpreson të përballet aktivisht me sfidat e sigurisë në Azi-Paqësor, duke e vlerësuar këtë rajon si drejtimin e ri strategjik.

Krahas shqetësimeve për përligjjen e ekzistencës së vet, ndërhyrja e NATO-s në çështjet e Azi-Paqësorit është gjithashtu rezultat i përpjekjeve të ShBA-së. Ish-sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Klinton tha hapur se rikthimi i ShBA-së në Azi-Paqësor nuk është bërë i veçuar, por bashkërisht me Evropën. ShBA-ja shpreson ta ndërkombëtarizojë çështjet e Azi-Paqësorit, me përfshirjen e NATO-s.

NATO-ja është krenuar si organizata më e madhe ushtarake në botë. Pas Luftës së Ftohtë, ajo e ka përshkruar veten si organizata shumëpalëshe e sigurisë më e fuqishme në botë. Mënyra kryesore e ndërhyrjes së NATO-s në çështjet e Azi-Paqësorit janë planet e partneritetit global me Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Zelandën e Re, Mongolinë etj., që të eksportojë konceptin e saj të sigurisë shumëpalëshe. Kundrejt propozimit të Kinës kundër ndërkombëtarizimit të mosmarrëveshjeve territoriale dhe të sovranitetit të Azisë, vendet anëtare europiane të NATO-s e kanë nxitur aktivisht organizatën e tyre të përhapë konceptin e sigurisë shumëpalëshe në vendet aziatike, duke demonstruar konceptin e vlerave të NATO-s në administrimin e krizave, parandalimin e konflikteve dhe në bashkëpunimin e sigurisë.

NATO-ja e ka të qartë se në ndërhyrjen në çështjet e Azi-Paqësorit nuk mund të shmangë Kinën, prandaj i ka paraqitur Kinës kërkesa në tre nivele: niveli më i ulët është moskundërshtimi nga Kina, i mesit është miratimi e mirëkuptimi nga Kina dhe niveli më i lartë është bashkëpunimi me Kinën. Në Singapor zhvillohet një herë në vit Dialogu i Shangrilasë për Sigurinë, ku ka marrë pjesë çdo vit përfaqësuesi i lartë i NATO-s, që të zhvillonte bisedime me përfaqësuesin kinez. Zhvillimi i dialogut me Kinën nëpërmjet takimeve shumëpalëshe ka mundësi të bëhet një model i kontakteve midis Kinës dhe NATO-s në të ardhmen.

Ndërhyrja e NATO-s në çështjet e Azi-Paqësorit pa dyshim ka më shumë elemente të dëmshme për Kinën në krahasim me ato të favorshme. Të dëmshme janë shtimi i forcës së ShBA-së dhe ndërkombëtarizimi e ndërlikimi i çështjeve të rajonit dhe një pjesë vendesh aziatike mund të përpiqen për të siguruar mbështetje nga NATO-ja. Ndërkohë, në vendet anëtare të NATO-s ka edhe shumë miq të Kinës, të cilat do të bëhen frenim kundër ShBA-së. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore