Pse bota tregon vëmendje për Kongresin e 19-të të PK të Kinës?

2017-10-17 20:59:27 CRI Komenti juaj Printoni
Kongresi i 19-të i Partisë Komuniste të Kinës, që do të hapet më 18 tetor, ka tërhequr vëmendjen e mbarë opinionit botëror. Gazeta franceze "Le Monde" në numrin e saj të 15 tetorit kishte në faqen e parë hieroglifet kineze të shkruara me të mëdha: "中国,强国崛起", që duan të thonë "Kina, fuqia në ngritje", dhe kësaj teme i kushtoheshin plot tetë faqe. Ky është preludi i rrjedhës së njoftimeve që pritet të bëjnë mediat kryesore perëndimore për Kongresin e 19-të.

Po për cilat aspekte lidhur me Kongresin e 19-të tregon më shumë vëmendje opinioni botëror? Kur bota shikon një vend, krahas udhëheqësve të atij vendi, e përqendron vëmendjen kryesisht te politika e tij e jashtme, kurse politikën e brendshme, vendet e tjera e kanë vështirë ta kuptojnë plotësisht dhe kanë interes të kufizuar. Për sa i përket Kinës, Komiteti Qendror i PKK-së, me z. Xi Jinping në qendër, po e drejton këtë vend në mënyrë të vendosur dhe politika e jashtme e Kinës është më e qëndrueshme. Kina nuk është nga ato vende ku ndodhin shumë lajme dhe zë vend në njoftimet e përditshme. Po përse mediat botërore duken të stimuluara në prag të Kongresit të 19-të?

Ata po studiojnë vijën që ndjek Kina, pra logjikën e hartimit të politikave nga Kina, që të vlerësojnë nëse ky vend është në gjendje që të përballojë sfidat e ndryshme, për ta vijuar zhvillimin e fuqishëm dhjetravjeçar, si edhe që të parashikojnë ndikimet e zhvillimit të ardhshëm të Kinës mbi sistemin ndërkombëtar. Ky është një nga problemet themelore në shekullin e 21-të, kurse Kongresi i 19-të pa dyshim do të japë informacione më të besueshme dhe më të vlefshme për këtë problem.

Bota ka vërtetuar zhvillimin e vrullshëm të Kinës dhe ka njohur edhe aftësinë e PKK-së në qeverisjen e vendit, duke mësuar nga vendet e tjera. Por ekziston gjithashtu dyshimi në mundet që Kina të jetë një shembull i jashtëzakonshëm i shmangies nga cikli i ngritjes e i rënies gjatë zhvillimit? Aftësia konkurruese e ish-Bashkimit Sovjetik ndryshoi nga lulëzimi në rënie dhe ShBA-ja në fund triumfoi. Si mund ta shmangë Kina një fat të tillë? Edhe gjatë disa dekadave të Reformës e Hapjes, janë grumbulluar shumë probleme në Kinë. A është në gjendje ky vend t'i shndërrojë këto probleme në motorin e ecjes përpara dhe jo pengesëpër zhvillimin?

Këto probleme janë shfaqur pandërprerë edhe para Kongresit të 18-të të PKK-së. Në kohën e zgjidhjes së problemeve konkrete gjatë pesë vjetëve të fundit, Kina u është përgjigjur vazhdimisht edhe këtyre shqetësimeve të mëdha. Mund të thuhet se janë përvijuar përgjigjet për disa probleme kryesore.

Së pari, udhëheqësia e PKK-së është konsoliduar e forcuar dhe vija politike e vendit është bërë më e qartë dhe është rrënjosur në gjithë shoqërinë. Disa probleme që kishin krijuar pështjellim në shoqërinë kineze janë sqaruar si kurrë më parë. Drejtimi i zhvillimit të vendit është shumë i qartë dhe është pranuar nga publiku.

Së dyti, krijimi i potencialit kompleks të Kinës është arritur duke krijuar si kurrë më parë në balancë me përmirësimin e jetesës së popullit dhe mbrojtjen ekologjike. Kina është bërë më e fortë dhe arritjet e këtij procesi i ka gëzuar gjithë populli. Me ngritjen e Kinës, edhe populli kinez ka përfituar më shumë.

Së treti, në sistemin e Kinës janë normalizuar gradualisht elementet nxitëse të një shoqërie moderne, si tregu, përparimi tekniko-shkencor, novacioni etj., si dhe elementet stabilizuese, si ligjshmëria, drejtësia, ndershmëria etj. Të gjitha këto elemente formojnë forcën dhe këmbënguljen e Kinës. U shfaqën shumë teori lidhur me "shembjen e Kinës", por në fund u shembën vetë këto teori.

Së katërti, në arenën ndërkombëtare, ngritja e Kinës gjatë pesë vjetëve të kaluar është bërë në përshtatje me vendet e tjera. Kina, si ekonomia e dytë më e madhe në botë, i ka zgjeruar interesat e saj në mënyrë të arsyeshme, dhe njëkohësisht ka marrë para sysh edhe ndjenjat e vendeve të tjera, duke e shndërruar ngritjen e vet në ndërgjegjshmëri për përfitime të përbashkëta të shumë palëve. Në krahasim me pesë vjet më parë, Kina është më e fuqishme sot dhe, njëkohësisht, ajo ka bashkëpunuar më ngushtë me botën dhe pjesa dërrmuese e mosmarrëveshjeve dypalëshe e shumëpalëshe është kontrolluar si duhet. Ndërkohë, nisma "Një brez, një rrugë" është bërë projekti më i madh i bashkëpunimit në botën e sotme.

Kina do të vazhdojë të ruajë zhvillimin e fuqishëm dhe ky zhvillim pritet të formojë edhe një strukturë botërore me përfitime të përbashkëta, gjë që është fokusi i vëmendjes së opinionit botëror. Qysh nga viti 1840, kur Kina hyri në kohën moderne, fati i saj nuk ka qenë asnjëherë aq ngushtë i lidhur si tani me fatin e të gjithë njerëzimit. PKK-ja mban një përgjegjësi të madhe dhe Kongresi i 19-të i saj mban po ashtu përgjegjësi të madhe. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore