Prof. Zheng Yongnian: Modeli i zhvillimit i Kinës ka të bëjë me botën

2017-10-11 08:53:00 CRI Komenti juaj Printoni

Në prag të Kongresit të 19-të të Partisë Komuniste të Kinës, që do të hapet më 18 tetor në Pekin, profesori Zheng Yongnian, drejtori i Institutit të Studimeve të Azisë Lindore pranë Universitetit Kombëtar të Singaporit, foli për sukseset e zhvillimit të Kinës gjatë një interviste për Radion e Jashtme të Kinës.

Aktualisht, Kina ndodhet në periudhën kyçe të ndërtimit të gjithanshëm të shoqërisë relativisht të begatë dhe të zhvillimit të socializmit me karakteristika kineze. Profesori Zheng bie dakord me këtë shprehje dhe është i mendimit se Partia Komuniste e Kinës ka paraqitur planin e saktë për zhvillimin dhe ka përballuar në kohë rënien ekonomike, si dhe probleme të tjera të rëndësishme. Ai thekson:

"Vitet e fundit të gjithë kanë folur për të ashtuquajturën rënie ekonomike të Kinës pas Kongresit të 18-të të PKK-së, d.m.th. ritmi i rritjes u ul nga mbi 10 % në 6.5-6.7 %. Por shumë njerëz harrojnë se ulja e ekonomisë kineze është një prirje e pashmangshme, pas një rritjeje të lartë vjetore shumë vjet me radhë. Më e rëndësishmja dhe gjëja më e mirë që Kina ka bërë vitet e fundit është që ajo e ka frenuar këtë rënie në mënyrë të qëndrueshme."

Profesori Zheng Yongnian mendon se ngritja e rënia e madhe në ekonomi është një gjë e keqe për një vend. Pavarësisht mendimeve në vende të tjera për "zbritjen e fortë të ekonomisë kineze", partia në pushtet në Kinë mori masa për ruajtjen e zhvillimit normal dhe të qëndrueshëm të ekonomisë.

Me përpjekjet e veta, Kina gjeti rrugën drejt modernizimit. A janë rrugëzgjidhjet e mençuria e Kinës për sa u përket çështjeve të ekonomisë një ndihmë edhe për zgjidhjen e problemeve të njerëzimit? Profesori Zheng Yongnian përgjigjet në mënyrë pohuese:

"Sipas meje, shumë pak njerëz nuk mendojnë se Kina ka kontribuuar për botën, sepse Kina është bërë ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe vendi nr.1 për vëllimin e tregtisë. Kina është plotësisht në gjendje për të kontribuuar për botën."

Zheng Yongnian-i mendon se kyçi i zgjidhjes së problemeve të njerëzimit me mençurinë e rrugëzgjidhjet e Kinës është nëse përvoja e Kinës mund të kopjohet në vende të tjera. Ai tha se modeli kinez nuk mund të kopjohet 100 për qind nga vendet e tjera, dhe gjithashtu nuk synon zëvendësimin e modelit të Perëndimit, por përvoja e zhvillimit e Kinës e meriton të mësohet nga vende të tjera. Duke iu referuar konceptit të presidentit të Kinës Xi Jinping, profesori Zheng tha:

"Sekretari i përgjithshëm i PKK-së Xi Jinping ka theksuar se modeli i zhvillimit i Kinës nuk synon zëvendësimin e atij të Perëndimit, por Kina ofron një projekt për zgjedhje, prandaj ne e quajmë atë 'projekti i Kinës'. Gjatë 40 vjetëve të Reformës e Hapjes, Kina ka pasur një përvojë shumë të mirë zhvillimi, që është e vlefshme edhe për vendet e tjera. Kina nuk do që ta përhapë me vullnetin e vet modelin e saj, por vendet e tjera mund ta marrin atë si referencë sipas nevojës së tyre."

Për shkaqe ideologjike dhe shumë faktorë të tjerë, Perëndimi e shikon në mënyrë kritike modelin kinez. Por profesori Zheng është i mendimit se përhapja dhe përvetësimi apo jo i një përvoje nuk varet nga ideologjia, por se sa relevante është ajo:

"Modeli kinez nuk është një model i 'dyerve të mbyllura', por u krijua në sfondin e globalizimit ekonomik. Në fakt, modeli kinez vetë ka thithur shumë nga përvoja e mirë e vendeve të tjera, prandaj ky model nuk buron vetëm nga Kina dhe është i hapur. Nga ky këndvështrim, modeli kinez ka shumë lidhje me vendet e tjera të botës. Në sfondin e tanishëm të globalizimit dhe rajonalizimit ekonomik, vendet e ndryshme mbështeten gjithnjë e më shumë te njëri-tjetri, prandaj përvoja e një vendi ka vlerë edhe për vendet e tjera."

Zheng Yongnian mendon se vendet e tjera duhet të mbajnë qëndrim të pavarur në mësimin e përvojës së Kinës, duke e ndërthurur edhe me përvojat e tjera. Ky qëndrim gjithëpërfshirës është thelbi i modelit të Kinës. Kur më shumë vende ta ndjekin këtë qëndrim zhvillimi, mençuria kineze do të kontribuojë me të vërtetë për zgjidhjen e problemeve të njeriut. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore