Pse kryeministri i Singaporit e vizitoi Kinën "papritur"

2017-09-22 20:11:37 CRI Komenti juaj Printoni

Pa asnjë shenjë paralajmërimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës dhe Kryeministria e Singaporit publikuan më 15 shtator lajmin për vizitën 3-ditore të kryeministrit të Singaporit Lee Hsien Loong në Kinë, nga 19 deri më 21 shtator.

Pse kjo ngjarje ka tërhequr vëmendjen e opinionit? Sepse pas vizitës së tij në Kinë në gusht 2013 me ftesën e kryeministrit kinez Li Keqiang, Lee Hsien Loong nuk ka bërë asnjë vizitë tjetër zyrtare në Pekin, përveç disa vizitave në krahinat kineze dhe pjesëmarrjes në Samitin e APEK-ut.

Çfarë historie ka kjo vizitë e befasishme, pas katër vjetëve?

Kthesa

Gjatë kësaj vizite në Kinë, Lee Hsien Loong-u jo vetëm dha intervistë ekskluzive për median kineze, por edhe nuk kurseu fjalët e bukura për perspektivën e Kinës, duke thënë se, për Singaporin, ngritja e Kinës është një gjë e mirë,

pasi një Kinë e suksesshme, e lulëzuar, me vetëbesim dhe me marrëdhënie paqësore e bashkëpunim me leverdi reciproke me vendet fqinje e vendet e tjera, është gjë e mirë jo vetëm për Kinën, por edhe për tërë botën.

Fjalët janë shumë të bukura, por nuk janë në përputhje me gjendjen e marrëdhënieve kino-singaporiane gjatë dy vjetëve të fundit.

Në vitin 2015, Singapori u bë vend "ndërmjetësues" i radhës i marrëdhënieve Kinë-ASEAN, me një mandat trevjeçar. Por disa veprime të tij "ndërmjetësuese" i futën marrëdhëniet midis dy vendeve në një gjendje të papërshtatshme. Veçanërisht për sa i përket çështjes së Detit të Kinës Jugore, ku Singapori nuk është palë, por ka pranuar haptazi rezultatin e "arbitrazhit" rreth kësaj çështjeje, duke qëndruar në anën e ShBA-së. Gjithashtu, me pretekstin e kësaj çështjeje, Singapori ka forcuar bashkëpunimin ushtarak me ShBA-në.

Për këto veprime të Singaporit, Kina ka shprehur qartë qëndrimin e vet. Për Samitin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë" që u zhvillua në maj në Pekin, Kina nuk i dha ftesë zyrtare kryeministrit Lee Hsien Loong. Në nëntor të vitit të kaluar, dogana e Hong-Kongut ndaloi 9 automjete ushtarake të këmbësorisë, që ishin përdorur në stërvitjet në Tajvan nga trupat singaporiane. Kina vendosi edhe t'i shiste katër anije ushtarake ushtrisë malajziane.

Të gjitha këto pasqyrojnë zigzaget në marrëdhëniet dypalëshe.

Rasti

Pse Singapori ka bërë kthesë kësaj here dhe dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Kinën?

Rasti i tanishëm ka shumë rëndësi. Mbetet më pak se një muaj nga hapja e Kongresit të 19-të të PK të Kinës, ngjarja më e rëndësishme politike e tërë vitit në Kinë, ku do të përcaktohet drejtimi i zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit.

Pranimi nga Kina i vizitës së kryeministrit së Singaporit në prag të Kongresit është një shenjë kuptimplotë. Për Singaporin, kjo vizitë në Kinë ka rëndësi të veçantë, sepse ajo u zhvillua para vizitës së kryeministrit Lee Hsien Loong në ShBA muajin e ardhshëm.

Prej kohësh, Singapori ka luajtur rolin e "lidhësit suprem" në marrëdhëniet midis Lindjes dhe Perëndimit, veçanërisht midis Kinës dhe ShBA-së. Nga një pikëpamje, Singapori, si një vend i vogël, është i brishtë në rrugën e zhvillimit, prandaj ai kërkon të jetë shumë aktiv dhe pozitiv në politikën e jashtme, që të zhdukë brenda mundësive faktorët e pasigurt përreth.

Por mjedisi i tanishëm në rajon nuk mund të plotësojë kërkesat e Singaporit për zhvillimin. Nga njëra anë, pas ardhjes në postin e presidentit amerikan, Donald Trump-i nuk e ka rikonfirmuar politikën e "riekuilibrimit në Azi-Paqësor" dhe u tërhoq nga TPP (Partneriteti i Trans-Paqësorit). Vitet e fundit ekonomia e Singaporit është dobësuar Singapori shpresonte në ndihmën e TPP-së për rritjen e ekonomisë. Por kjo dëshirë dështoi.

Nga ana tjetër, problemi bërthamor i Gadishullit Korean e ka shqetësuar shumë Singaporin. Pavarësisht nga përpjekjet e vazhdueshme të Kinës për zgjidhjen paqësore nëpërmjet dialogut, nuk janë ndërprerë veprimet e palëve, si shumë lëshime raketash nga Koreja e Veriut, dislokimi i sistemit amerikan THAAD në Korenë e Jugut, vazhdimi i manovrave ushtarake amerikano-koreanojugore etj.

Të gjitha këto përbëjnë sfida për paqen dhe zhvillimin e rajonit të Azi-Paqësorit. Gjatë këtij procesi, ShBA-ja ka fajësuar Kinën për problemin bërthamor të Gadishullit Korean dhe është orvatur ta frenojë Korenë e Veriut nëpërmjet Kinës.

Megjihëse presidenti kinez Xi Jinping ka zhvilluar disa biseda telefonike me homologun e vet amerikan Trump, nuk janë arritur përparime të dukshme në situatën në Gadishullin Korean.

Kjo gjendje e tensionuar pa dyshim krijon "pasigurinë " e madhe për Singaporin. Në këtë kuadër, alternativa më reale dhe pragmatike e tij është të luajë edhe një herë rolin e "lidhësit suprem", që t'i nxitë Kinën dhe ShBA-në të kontrollojnë krizën.

Orbita

Sigurisht, vizitat e udhëheqësve të vendeve të ndryshme nuk janë të papritura dhe të njëanshme, por rezultat i konsultimeve midis dy palëve.

Duke u hedhur një vështrim kontakteve midis Kinës dhe Singaporit gjatë dy vjetëve të kaluar, pavarësisht nga mosmarrëveshjet në disa çështje, të dyja vendet kanë luajtur marrëdhënie relativisht miqësore.

Të paktën, pala kineze nuk ka kritikuar haptazi liderin e Singaporit.

Ashtu siç njoftojnë mediat singaporiane, megjithëse Lee Hsien Loong-u nuk ka bërë vizitë zyrtare të nivelit të lartë në Kinë, ai nuk i ka ndërprerë vizitat e punës në krahinat kineze dhe ka pasur shkëmbime pozitive me liderët kinezë në takimet ndërkombëtare shumëpalëshe.

Pritshmëria

Si do të ecin marrëdhëniet kino-singaporiane?

Objektivisht, marrëdhëniet midis Kinës dhe Singaporit nuk janë shkëputur nga orbita e duhur dhe kjo bazohet në interesat e gjera të përbashkëta midis dy vendeve.

Së pari, Singapori do të jetë vend kryetar i radhës i ASEAN-it. Trajtimi i marrëdhënieve midis dy vendeve do të jetë shumë i rëndësishëm për të dyja vendet dhe madje për tërë ASEAN-in.

Së dyti, gjatë kësaj vizite të Lee Hsien Loong-ut, kishte shumë tema për bashkëpunimin ekonomik.

Sipas kryeministrit të Singaporit, nisma "Një brez, një rrugë" është gjithashtu motori i ri i bashkëpunimit rajonal dhe i zhvillimit të vendeve aziatike.

Në gjendjen e pasigurt ndërkombëtare, Kina dhe Singapori kanë interesa të përbashkëta të dukshme, të cilat do të bëjnë që të dy vendet t'i kapërcejnë mosmarrëveshjet. (Wang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore