5 vendet BRICS, bashkëpunim si gishtat e një dore

2017-08-31 11:32:04 CRI Komenti juaj Printoni

Gjatë një interviste për BBC-në, "Ideatori i BRICS-it" Jim O'Neill tha me emocion se vendet e BRICS-it e kanë tejkaluar parashikimin e tij të 16 viteve më parë. Si i kanë ruajtur këto vende vlerat e tyre gjatë kësaj periudhe kohe ?

"Bashkëpunimi i vendeve BRICS kapërcen rrugën e vjetër e aleancës politike e ushtarake, duke vendosur marrëdhënie të reja mes të paangazhuarve, tejkalon mendimin e vjetër të ndarjes ideologjike të vendeve, duke ndjekur rrugën e respektit reciprok dhe të përparimit të përbashkët. Ky bashkëpunim tejkalon lojën e vjetër, ku fituesi i merr të gjitha, duke realizuar leverdinë reciproke dhe fitimin e përbashkët." tha kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping më 19 qershor, gjatë takimit me ministrat e Jashtëm të vendeve BRICS, në Pekin. Fjalët e Xi-ut janë ndoshta përgjigja më e mirë ndaj kësaj pyetjeje.

5 vendet BRICS, ngjajnë me 5 gishtat e një dore, që kur është e hapur kanë gjatësi të ndryshme, por kur mblidhen bëhen një grusht i fortë. Aktualisht në atmosferën e hapjes, të gjithpërfshirjes, të bashkëpunimit dhe të fitimit të përbashkët, bashkëpunimi i vendeve BRICS zhvillohet në tre shtylla kryesore në sigurinë politike, ekonomi, financë dhe në shkëmbimet njerëzore. Me këtë bashkëpunim të ngushtë, BRICS do të jetë më i pranishëm në arenën ndërkombëtare.

Ekonomia dhe financa: platforma e fitimit të përbashkët

Partneriteti i ngushtë ka nxitur bashkëpunimin thelbësor midis vendeve BRICS, veçanërisht në fushën ekonomike e financiare, ndërsa rezultatet e arritura shpesh kanë qenë fokusi i opinionit ndërkombëtar.

Në Samitin e vitit 2015 në Ufa të Rusisë, u vu guri themeltar të bashkëpunimit të vendeve BRICS, gjatë të cilit krerët e 5 vendeve ndërmorën objektivin më të madh të atëhershëm midis këtyre vendeve, Banka e Zhvillimit të Vendeve BRICS, me kapitalin e autorizuar prej 100 miliardë dollarësh amerikanë dhe njëkohësiht krijuan Fondin e Rezervës të Vendeve BRICS me vëllimin e përgjithshëm prej 100 miliardë dollarë amerikanë.

"Është më tërheqës se Samiti i G7 të vendeve perëndimore," komentoi gazeta gjermane Die Tageszeitung, "Banka dhe Fondi do ta bëjnë BRICSin më të fuqishëm dhe këto dy rezultate përfaqësuese i tregojnë botës, se mund të veprohet dhe pa vendet perëndimore'."

Në artikullin e tij për gazetën indiane "Economy Times", nënkryetari i Fondit të Vëzhguesve të Indisë, Samir Saran theksoi një hollësi, që fill pas zhvillimit të samitit të Ufas, guvernatori i parë i Bankës së BRICS-it, indiani K.V.Kamath dhe 4 zv/guvernatorë të tjerë filluan punën në Shangai. Sipas Saranit, ky efektivitet i lartë mishëron mekanizmin e mbarë të bashkëpunimit të vendeve BRICS.

Bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta ka qenë thelbi i pandryshuar i vendeve BRICS.

5 vendet kanë epërsi të ndryshme dhe më shumë hapësirë për plotësimin e njeri-tjetrit. Në artikullin e botuar në gazetën kanadeze Global Post, bankieri Deepak Kumar shpreh mendimin se financat e Afrikës së Jugut, teknologjia e Indisë, manifaktura e Kinës, bujqësia e Brazilit dhe energjia e mineralet e Rusisë janë epërsitë e tyre të veçanta.

Në kohën e tanishme kur rryma e de-globalizimit është përhapur dhe po rritet proteksionizmi tregtar, ky shpirt i bashkëpunimit është me rëndësi të veçantë.

Siguria politike: mbrojtësja e paqes ndërkombëtare

Në shtator të vitit 2016, në prag të Samitit G20, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping zhvilloi takimin jozyrtar me krerët e Brazilit, Rusisë, Indisë dhe të Afrikës së Jugut, duke i thënë botës se Kina i kushton rëndësi mekanizmit të vendeve BRICS dhe shpreson që këto 5 vendet të bashkohen. Gazeta hongkongase South China Morning Post komentoi se pavarësisht nga diferencat ekonomike të këtyre 5 vendeve, liderët e tyre nuk do ta heqin dorë nga ky mekanizëm, veçanërisht Kina, si kryesuese e vendeve në zhvillim.

Vitet e fundit, me shtimin e bashkëpunimit midis vendeve BRICS në fushën ekonomike, edhe bashkëpunimi politik midis tyre ka tërhequr gjithnjë e më shumë vëmendjen e botës.

Nga 18 deri më 19 qershor të këtij viti, u zhvillua në Pekin takimi i ministrave të jashtëm të vendeve BRICS, ku u përgjithësuan rezultatet e përvoja të bashkëpunimit midis 5 vendeve, gjatë dekadës së fundit si dhe u diskutuan për çeshtjet e nxehta të situatës ndërkombëtare.

Sipas vëzhguesit politik rus Dmitri Kosirev,takimi i ministrave të Jashtëm kishte rëndësi të veçantë, nëse marrim parasysh se prapa tyre u ulën drejtuesit e komisioneve të sigurisë të vendeve përkatëse. " Përfaqësuesit e vendeve BRICS diskutuan tema të reja si siguria, terrorizmi, paqja dhe stabiliteti."

Krahas rolit si motor i ekonomisë botërore, 5 vendet BRICS po përpiqen të bëhen mbrojtës i paqes ndërkombëtare dhe të luajnë një rol më të madh në arenën ndërkombëtare.

"A është BRICS vetëm një etiketë për të tërhequr vëmendjen ?"

Lidhur me këtë , BBC-ja dha një përgjigje mohuese para disa vjetëve, "Megjithëse këto 5 vende nuk kanë të përbashkëta në gjeografi, politikë, ekonomi, në aspektet shoqërore e kulturore, një pakënaqësi e përbashkët dhe një dëshirë e përbashkët i bashkon 5 vendet gjithnjë e më shumë. Kjo lidhet me pakënaqësinë për rendin botëror, të drejtuar nga ShBA-ja dhe vendet e zhvilluara të BE-së, si dhe dëshira për më shumë të drejtë fjale në punët ekonomike e politike të botës."

Sot, në shumë çeshtje rajonale e globale, si lufta kundër terrorizmit, kriza e refugjatëve etj., 5 vendet BRICS kanë ngritur zërin për nxitjen e zgjidhjes së problemit.

Shkëmbimet njerëzore: zgjerimi i kontakteve dhe i bashkëpunimit

Shumë vëzhgues ndërkombëtarë theksojnë se në samitin e sivjetshëm në Xiamen, shkëmbimet njerëzore përbëjnë pjesën kryesore të rendit të ditës. Në të kaluarën, ekonomia dhe politika kanë qenë në fokus të samitit, kurse në këtë edicion shkëmbimet njerëzore janë me përparësi, çka shënon zgjerimin e bashkëpunimit të vendeve BRICS.

Më 7 qershor, fotoekspozita e përbashkët e mediave të vendeve BRICS u hap në Muzeun Kombëtar të Kinës.

Njoftohet se edhe Bibliotekat e vendeve BRICS do të bashkëpunojnë ngushtë nën kornizën e BRICS-it.

Duke folur për perspektivën e partneritetit të BRICS-it në 10 vjeçarin e ardhshëm, Evandro Carvalho, drejtor i Qendrës Kërkimore Brazil-Kinë pranë Fondacionit Getúlio Vargas shprehet: "Në bazë të rezultateve frytdhënëse të dekadës së parë, liderët e vendeve BRICS do të diskutojnë për masat dhe projektin për shtimin e mëtejshëm të vendeve, duke u nisur nga Samiti i këtij viti në Xiamen. Në këtë proces, Kina, si vend kryetar i radhës i BRICS-it këtë vit, do të luajë rol drejtues në mekanizmin BRICS dhe do të thellojë bashkëpunimin e vendeve." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore