Si do të funksionojë e para bazë ushtarake kineze jashtë vendit?

2017-07-19 14:40:02 CRI Komenti juaj Printoni

Më 11 korrik, Ditën e lundrimit detar të Kinës, komandanti i Forcës Detare të Kinës Shen Jinlong shpalli në portin detar ushtarak Zhanjiang në jug të vendit formimin zyrtarisht të bazës logjistike në Xhibuti. Me pas u nisën ne lundrim anija e zbarkimit të barkave Jinggangshan dhe anija gjysmë-nëndetëse Donghaidao.

Kjo është baza e parë ushtarake kineze jashtë vendit pas krijimit të Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës, ndaj ka tërhequr vëmendjen e vendeve tëndryshme.

Shkaku

Lidhur me krijimin e bazës ushtarake kineze jashtë vendit, mediat e huaja komentojnë e analizojnë në mënyrë të ndryshme, përfshirë hamendjet se nëse Kina do të ndjekë vendet perëndimore në ekspansion ushtarak, atëhere ajo do të dislokojë më shumë trupa në Oqeanin Indian etj.

Në fakt Kina ka pasur një politikë të jashtme shumë të qartë, atë të bashkekzistencës paqësore. Vitet e fundit, me globalizimin ekonomik, në bazë të kësaj politike, është zbatuar edhe parimi "leverdi reciproke dhe bashkëpunim për zhvillimin e përbashkët".

Vëllimi kolosal i tregtisë së jashtme i ka sjellë Kinës interesa te medha jashtë vendit. Është e arsyeshme që Kina t'i mbrojë interesat e veta. Njëkohësisht, Kina e ka të qartë se bota e sotme nuk është më ajo e epokës së pushtimit dhe kolonizimit të vendeve të tjera me "anije e topa".

Vitet e fundit, duke ndjekur rezolutat përkatëse të OKB-së dhe me miratimin e vendeve përkatëse, Forca detare e Kinës ka vazhduar patrullimin dhe shoqërimin në Gjirin Aden dhe ngushticën Mandab, nga ku kalojnë afro 3.8 milionë fuçi nafte bruto në ditë, ose 20% e vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së naftës në botë. Më e rëndësishmja është se gjysma e naftës që importohet në Kinë duhet të kalojë nga Gjiri Aden. Kjo tregon përse Kina dërgon anije moderne ushtarake për patrullim të rregullt në një vend shumë larg vendit.

Garancia

Krahas mbrojtjes së linjës lundruese në hapësirën Aden dhe Detin e Kuq, flota ushtarake detare kineze ka kryer edhe disa detyra të tjera, si evakuim të emigrantëve kinezë në Libi e në Jemen, shoqërim te transportimit të armëve kimike të Sirisë, për asgjësim etj.

Meqenëse patrullimi dhe shoqërimi janë të rëndëshëm, është i domosdoshëm gjithashtu sigurimi i gjendjes së mirë të oficerëve e ushtarëve të anijeve që kryejnë këto detyra. Ushtarakët nuk janë prej çeliku. Edhe për ta duhen pushime, dëfrime, lëvizje sportive si dhe mjekime. Kurse për ushtarakë specifikë duhen edhe fusha për stërvitje të ndryshme.

Aktualisht, anijet ushtarake kineze në Gjirin Aden furnizohen me karburant, artikuj të përditshëm dhe të mjekimit nga anijet furnizuese në det. Këto materiale blihen jashtë vendit dhe transportohen në anije furnizuese me procedurë shumë të ndërlikuar. Kjo mënyrë e funksionimit është me efektivitet shumë të ulët, por me kosto shumë të lartë. Pra, Kina me të vërtetë ka nevojë për një bazë logjistike.

Funksioni

A do të bëhet kjo bazë e parë ushtarake e Kinës jashtë vendit "kërcënim i Kinës" ndaj vendeve të tjera, ashtu siç pretendojnë mediat perëndimore?

Flasim në radhë të parë për këtë bazë logjistike. Me një sipërfaqe prej 40 hektarësh baza mund të pajiset vetëm me një arsenal, një depo për ushqimet dhe për shtresat e mbulesat, një aerodrom per helikopterë, një spital dhe mol për anijet ushtarake, si dhe disa instalime për riparim.

Nga përmasa e bazës shihet se numri i ushtarakëve që do të dislokohen në Xhibuti do të jetë shumë i kufizuar. Roli i garantimit do të jetë funksioni thelbësor i kësaj baze.

Mund të bëjmë edhe një krahasim me baza të vendeve të tjera në Xhibuti.

Vetëm 10 km larg bazës kineze, gjendet baza ushtarake amerikane Lemonnier, baza më e madhe e ushtrisë amerikane në Afrikë. Aktualisht në këtë bazë janë dislokuar 4 mijë ushtarakë, duke përfshirë trupat specifike kundër organizatave terroriste në Gadishullin Arab dhe në Afrikën Lindore. Në këtë bazë amerikane përfshihet edhe një aerodrom i madh i droneve. Çdo ditë fluturimet e shumta të droneve nga kjo bazë zbatojnë detyrat e zbulimit, të vëzhgimit, të asgjësimit etj.

Krahas bazës ushtarake amerikane, në territorin e Xhibutit ndodhen dhe bazat ushtarake të Francës, Gjermanisë, Italisë, Spanjës dhe Japonisë.

Xhibuti ka një sipërfaqe prej 23 mijë kilometra katrore dhe forca e armatosur përbëhet nga 5 mijë veta. Por në këtë vend, bazat ushtarake të vendeve të tjera gjenden si "supermarketet". Nga ky aspekt shihet se baza ushtarake e Kinës nuk do të ketë synime të tjera, përveç rolit logjistik.

Sigurisht, ka gjithmonë njerëz që nuk besojnë qëllimin e Kinës. Përshembull trupat amerikane janë ankuar se nuk dëshirojnë aeroplanë ushtarakë kinezë të fluturojnë afër aerodromit të tyre për drone.

Shkaku i vëmendjes së madhe që tregojnë vendet perëndimore për këtë bazë të vogël logjistike të Kinës është se mendja e tyre është mbushur ende me idenë e vjetër të pushtimit të botës me anije. Ata gjithmonë mendojnë se Kina do ta ndjekë rrugën e tyre të vjetër.

Në fakt ata që bëjnë bujë për kërcënimin nga Kina duhet të mendojnë seriozisht se edhe ShBA-ja e fuqishme, që disponon mbi një qind baza ushtrake në mbi 40 vende dhe që ndërmerr shpesh veprime ushtarake në vende të tjera, nuk ndjehet e sigurt. Mos vallë Kina nuk do të nxjerrë mësime nga kjo?

Në të ardhmen, Kina do të ndërmarrë veprime ushtarake vetëm në disa rrethana të domosdoshme, ashtu si në Gjirin Aden. Sigurinë jashtë vendit Kina do ta garantojë kryesisht e mbështetur te politika e saj të jashtme paqësore dhe miqësore. (Wang Lei)

 

Mrekulli
Lajmet Kryesore