1984, bisedimet kino-britanike për të ardhmen e Hong Kongut

2017-06-30 10:10:08 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri i Kinës Zhao Ziyang dhe kryeministrja e Britanisë Margaret Thatcher u ulën në një distancë disa metra midis tyre, pranë një tavoline të gjatë me mbulesë të kadifenjtë, ngjyrë jeshile. Midis tyre ishin vendosur flamujt kombëtarë të Kinës dhe Britanisë. Lideri kinez dhe ai britanik nënshkruan me stilolaps të zi dokumentin e madh me kapak të zi dhe pastaj shtrënguan duart. Personat që ndodheshin pas tyre shpërthyen në duartrokitje të zjarrta.

Kjo ndodhi më 19 dhjetor 1984. Këtë ditë, u vendos përfundimi i sundimit mbi 150 vjeçar të Britanisë në Hong Kong dhe u përcaktua se Kina do të riushtronte sovranitetin e saj ndaj Hong Kongut, duke filluar nga 1 korriku i vitit 1997.

Një e ardhme e papërcaktuar

Britania e fitoi territorin e Hong Kongut nëpërmjet tre traktateve të pabarabarta me Dinastinë Qing, e cila humbi në Luftën e Parë të Opiumit në vitn 1842 dhe në Luftën e Dytë të Opiumit në vitin 1860. Për pasojë kjo dinasti u detyrua t'i jepte Britanisë ishullin Hong Kong dhe Gadishullin Kowloon. Në vitin 1898, Londra mori me qira nga Dinastia kineze Qing një pjesë toke në veri të gadishullit Kowloon, e njohur si "Xinjie", që do të thotë "territori i ri". Kështu u formua territori kolonial i Hong Kongut, d.m.th. Hong Kong, Kowloon dhe Xinjie, tre pjesë që përbëjnë Hong Kongun e sotëm.

Xinjie e zgjeroi shumë sipërfaqen e kolonizuar nga Britania në Hong Kong, por gjithashtu nisi procesin e përfundimit të sundimit të Britanisë në këtë territor. Afati i traktatit të marrjes me qira të Xinjie-së ishte 100 vjet dhe do të skadonte më 30 qershor 1997.

"Pushteti ynë sovran në Xinjie do të vijojë deri më 1997 dhe ky territor nuk mund të ekzistojë i veçuar." Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë përmendi kryeministren Thatcher në një memorandum të vitit 1982.

Në biografinë e tij, David Akers-Jones, drejtori i Çeshtjeve Politike të Hong Kongut gjatë viteve 1985-1987, shkruan se me përfundimin e luftës dhe me shpërbërjen graduale të Perandorisë Britanike, "Hong Kongu është i ndërgjegjshëm se me kalimin e kohës nuk do të ketë një të ardhme të caktuar, nëse nuk do të jetë e qartë gjendja në Xinjie, pas skadimit të traktatit për këtë territor, që përbën pjesën më të madhe të territorit të Hong Kongut. "

Fjala "e ardhmja" e Hong Kongut nuk do të përfshinte "pavarësinë", ashtu si shumë koloni të tjera të Britanisë. Qysh nga viti 1971, kur Republika Popullore e Kinës fitoi statusin e ligjshëm në OKB, me ndihmën e Shqipërisë dhe disa vendeve afrikane, Pekini i hoqi me sukses Hong Kongun dhe Makaon (kur ishte koloni e Portugalisë) nga lista e "territoreve jo-vetëqeverisëse", për të cilat OKB-ja do të përpiqej t'i siguronte pavarësinë dhe lirinë e plotë.

Orvajtje të Britanisë për ruajtjen e kontrollit ndaj Hong Kongut

Në vitin 1982 zonja Thatcher vizitoi Pekinin, duke u bërë e para kryeministre britanike në fuqi, që vizitonte Republikën Popullore të Kinës. Ajo nisi zyrtarisht bisedimet për të ardhmen e Hong Kongut.

Para kësaj, Londra shpresonte të ruante të drejtat kontrolluese ndaj Hong Kongut, edhe nëse do t'i dorëzonte Kinës sovranitetin nga ana ligjore. Gjatë një mbledhjeje sekrete, kabineti i zonjës Thatcher deklaroi se traktati i marrjes me qira të Xinjie-së mund të shndërrohet në paafat, në mënyrë që të drejtat administrative të Britanisë në Hong Kong, të vijonin edhe pas vitit 1997, në qoftë se pala kineze do ta pranonte.

Ky propozim u gjykua nga Pekini si "i panevojshëm dhe i papërshtatshëm". Në një memorandum të shtatorit të vitit 1979, ambasadori i atëhershëm i Britanisë në Kinë, Sir Percy Cradock e quajti përgjigjen të dëshpëruar. Tre vjet më vonë, kur zonja Thatcher bëri përgatitje për vizitën në Pekin, funksionarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Britanisë punonin në bazë të parimit se edhe sikur Britania nuk do të vijonte sundimin në Hong Kong, ajo do të vazhdonte administrimin e këtij territori. Në një memorandum të marsit 1982 thuhet: " Të vijohet qeverisja administrative sipas vijës ekzistuese në Hong Kong, d.m.th. të administrohet nga britanikët, si dhe të sigurohet besimi veçanërisht ai i investitorëve për këtë territor."

Ten Siao Pin paraqiti "një shtet me dy sisteme"

Në prill të vitit 1982, Kina dhe Britania filluan bisedimet për statusin e ligjshëm të Hong Kongut në të ardhmen dhe pikërisht atë kohë, lideri më të lartë i Kinës së atëhershme Ten Siao Pin paraqiti parimin "Një shtet, dy sisteme".

Më 6 prill 1982, takimi i Ten Siao Pinit me Edward Heath

Gjatë bisedimeve në prill të vitit 1982 me ish-kryeministrin e Britanisë Edward Heath, që erdhi në Kinë për vizitën e 5-të, Ten tha se sovraniteti i Hong Kongut i përket Kinës. Kina do të mbrojë statusin e Hong Kongut si port i lirë dhe qendër financiare ndërkombëtare, që investimet e huaja atje të mos ndikohen. Me këtë parakusht, Hong Kongu do të administrohet nga hongkongasit. Ai tha se në kushtetutën e re të Kinës do të lejohet krijimi i Rajonit të Posaçëm Administrativ, ku të ekzistojnë paralelisht sistemet e ndryshme ligjore e ekonomike. Hongkongasit do të formojnë qeverinë e tyre, stafi i së cilët do të përfshijë kinezë, britanikë ose të tjerë, ndërsa sistemi atje nuk do të ndryshojë.

Më 24 shtator 1984, gjatë takimit me zonjën Thatcher në Pekin, Ten Siao Pin paralajmëroi, "Brenda një a dy vjetëve të ardhshëm, Kina do të shpallë zyrtarisht politikën e rimarrjes së Hong Kongut."

Pas kthimit të zonjës Thatcher nga Pekini, vazhduan bisedimet midis Kinës dhe Britanisë. Më në fund, më 19 dhjetor 1984, liderët e të dy vendeve nënshkruan Deklaratën e Përbashkët Kinë-Britani. (Wang Lei)

 

Mrekulli