Kina, përparim historik në nxjerrjen e akullit të djegshëm

2017-05-25 09:02:45 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Tokës dhe e Burimeve e Kinës shpalli më 18 maj se është arritur me sukses nxjerrja eksperimentale e akullit të djegshëm në Detin e Kinës Jugore, gjë që shënon se Kina është i pari vend që prodhon në mënyrë të vazhdueshme dhe të qëndrueshme gaz nga akulli i djegshëm në det.

Ç'është akulli i djegshëm? A ka mundësi ai ta ndryshojë strukturën e tanishme të tregut ndërkombëtar të energjisë? A do të ndikojë jetën tonë në të ardhmen jo të largët?

Ç'është akulli i djegshëm?

Emri shkencor i akullit të djegshëm është hidrati i gazit natyror, ose shkurtimisht hidrat gazi. Ai formohet nga gazi natyror dhe uji nën trysni të lartë e temperaturë të ulët dhe ka pamjen e akullit. Akulli i djegshëm zakonisht gjendet në fund të detit në të dy polet dhe në ekuator, ku trysnia dhe temperatura i krijojnë mundësi hidratit të gazit të jetë në një gjendje të ngurtë të qëndrueshme.

Në Tokë pjesa dërrmuese e akullit të djegshëm gjendet e përzier me rërë.

Akulli i djegshëm njihet gjerësisht si një energji alternative e pastër dhe efikase. Në të njëjtat kushte, energjia e lëshuar nga djegia e tij është dhjetra herë më e madhe se energjia e lëshuar nga qymyrguri, nafta dhe gazi natyror. Nëse marrim për shembull përdorimin e gazit natyror si karburant, 100 litra gaz natyror mundësojnë ecjen e një automjeti për 300 km, kurse me të njëjtin vëllim të akullit të djegshëm automjeti mund të përshkojë 50 mijë km.

Sa i vështirë është shfrytëzimi i akullit të djegshëm?

Formimi i akullit të djegshëm kërkon kushte shumë të rrepta. Së pari, temperatura nuk duhet të jetë e lartë. Temperatura në fund të detit është zakonisht 2-4oC, duke qenë kështu e përshtatshme për formimin e hidratit të gazit. Nëse temperatura ngrihet mbi 20oC, hidrati i gazit shpërbëhet. Kushti i dytë është trysnia e mjaftueshme. Për formimin e hidratit të gazit është e nevojshme një trysni atmosferike 30 paskalë. Sa më e madhe trysnia, aq më i qëndrueshëm është hidrati. Vetëm në thellësinë prej 300 metrash në det, trysnia atmosferike mund të plotësojë kërkesat për përftimin e hidratit të gazit. Kushti i tretë është prania e metanit, i cili formohet nga shpërbërja e lëndës fosile në fund të detit.

Pavarësisht nga epërsitë që ka akulli i djegshëm sa i përket pastërtisë, rezervave të mëdha të tij dhe efikasitetit të lartë në prodhimin e energjinë, nxjerrja e tij është shumë e vështirë dhe shoqërohet edhe me rreziqe, dhe madje me ndotje të mjedisit, sepse kjo lëndë nuk është e qëndrueshme në kushte normale.

Konkurrenca në kërkimin e shfrytëzimin e akullit të djegshëm ka qenë shumë e ashpër. Krahas Kinës, edhe ShBA-ja, Japonia, Kanadaja, Koreja e Jugut dhe India kanë qenë aktive dhe kanë investuar shumë në këtë drejtim. ShBA-ja dhe Kanadaja eksperimentuan nxjerrjen e akullit të djegshëm nga toka, por nuk patën rezultate të mira. Në vitin 2013, Japonia provoi nxjerrjen e akullit të djegshëm në det dhe pati sukses fillestar, por vetëm gjashtë ditë më vonë, nxjerrja u ndalua për shkak të bllokimit të pajisjeve të shpimit nga balta.

Ndryshe nga rezervat e hidratit të gazit të Japonisë, në hapësirën detare të Kinës hidrati i gazit gjendet kryesisht në shtresën ranore, dhe ky tip përbën 90 % të rezervave të akullit të djegshëm në botë. Si pasojë e imtësisë së kokrrizave të rërës, akulli i djegshëm është më i vështirë të dallohet. Njëkohësisht, për shkak se ai gjendet në thellësi të mëdha nën ujë, ndonëse cekët në shtratin e detit, shtohet vështirësia e nxjerrjes. Në shpim-kërkimin e kësaj radhe nga Kina, u nxor gaz i qëndrueshëm për 11 ditë me radhë. Arritja e Kinës ka një vlerë reference në shkallë globale.

Cila është vlera e akullit të djegshëm?

Megjithëse akulli i djegshëm shfrytëzohet me shumë vështirësi dhe me kosto të lartë, suksesi i Kinës ka entuziazmuar shumë veta. Zyrtari i Ministrisë kineze të Tokës dhe të Burimeve Li Jinfa tha se Kina synon përdorimin masiv të akullit të djegshëm. "Nga gjendja e tanishme e vazhdueshmërisë së shfrytëzimit dhe të vëllimit të prodhimit të gazit, mund të thuhet se është i mundshëm shfrytëzimi komercial i kësaj energjie para vitit 2030", bëri të ditur Li.

Rezerva e akullit të djegshëm në Tokë është kolosale. Vlerësohet se vëllimi i akullit të djegshëm në mbarë globin është i barasvlershëm me dyfishin e rezervës së përgjithshme të energjisë fosile të zbuluar deri më sot, duke përfshirë qymyrgurin, naftën, gazin natyror etj. Rezerva e akullit të djegshëm e zbuluar deri tani është afro 2100 trilionë metra kub, sasi kjo që mund të përdoret nga njeriu për 1 mijë vjet!

Rezerva e akullit të djegshëm në hapësirën detare të Kinës ka një vëllim të barasvlershëm me atë të 80 miliardë tonëve naftë. Ndërkohë, akulli i djegshëm është zbuluar edhe në brezin me ngricë të përhershme të tundrës. Kina është vendi i parë në botë që ka marrë një mostër të akullit të djegshëm nga shpimi në këtë brez.

A do të sjellë ndryshime të mëdha akulli i djegshëm në tregun botëror të energjisë?

Kryeekonomisti i Rrjetit të Energjisë të Kinës Han Xiaoping tha se, nëse do të realizohet shfrytëzimi masiv i akullit të djegshëm, Kina do të ulë mbështetjen tek energjia e importuar.

"Kina është një vend me kapacitete të mëdha industrializimi. Me të vënë në zotërim njohuritë përkatëse, shfrytëzimi i akullit të djegshëm është pak më i thjeshtë se ai i naftës dhe të gazit natyror, sepse ai nuk gjendet thellë në fund të detit, por afro 200-300 metra nën tokë dhe kryesisht afër bregdetit, kurse për shfrytëzimin e naftës në fund të detit duhet bërë shpimi zakonisht mijëra metra nën tokë. Me t'u kapërcyer vështirësitë teknike, parashikohet se do të nxirret normalisht akulli i djegshëm për industri para vitit 2030, madje në vitin 2025." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore