Synimi i aeroplanmbajtëseve kineze

2017-05-01 12:31:27 CRI Komenti juaj Printoni

Me vënien në funksionim më 26 prill të aeroplanmbajtëses së parë të prodhuar nga vetë Kina, forcat detare të Kinës hynë zyrtarisht në "epokën e aeroplanmbajtëses".

Prodhimin e aeroplanmbajtëses së re opinioni publik brenda e jashtë pjesës kontinentale të Kinës, studiues, dhe madje shumë politikanë, e lidhin në radhë të parë me mosmarrëveshjet detare me vendet fqinje dhe me ishullin e Tajvanit, duke shprehur mendimin se një gjë e tillë bëhet për rimarrjen e ishujve të pushtuar në Detin e Kinës Jugore dhe Detin e Kinës Lindore dhe për ribashkimin e Tajvanit.

Por ky opinion jo vetëm nuk përputhet me faktet, por nënvlerëson synimin e vërtetë strategjik të Kinës lidhur me aeroplanmbajtëset.

Alternativa

Në fakt, zgjidhja e mosmarrëveshjeve detare me vendet përreth nuk është në asnjë mënyrë motivi kryesor i prodhimit të aeroplanmbajtëses nga Kina, sepse ajo ka ndjekur politikën e zgjidhjes paqësore të mosmarrëveshjeve. Edhe sikur Kina të mendojë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve detare me forcë, aeroplanmbajtësja nuk do të jetë platforma kryesore e luftës, në saje të shtimit të alternativave ushtarake.

Nga ana ajrore, Forcat Ajrore Kineze dhe flota ajrore e Forcave Detare janë të pajisura aeroplanë luftarakë J-10, J-11, Su-27 dhe Su-30, rrezja e goditjes së të cilëve i kalon 1500 km. Ishujt Diaoyu në Detin e Kinës Lindore dhe Ishujt Nansha në Detin e Kinës Jugore janë nën kontrollin efikas të aeroplanëve luftarakë kinezë me bazë tokësore. Në të ardhmen, me vënien në funksionim të aeroplanëve të brezit të ri, si J-20 etj., Kina do të ketë më shumë epërsi në sundimin e hapësirës ajrore në Detin e Kinës Lindore dhe në Detin e Kinës Jugore.

Për sa u përket raketave, Kina ka epërsi absolute në krahasim me vendet përreth. Raketat kruiz kineze tokë-ajër dhe raketat me rreze të mesme dhe të shkurtër mund ta pengojnë armikun duke goditur në hapësira të caktuara detare. Njëkohësisht, bregdeti i Kinës ka kushte të ndërlikuara hidroakustike dhe gjeografike, gjë që është ideale për veprimet e nëndetëseve kineze, që mund të frenojnë me efikasitet anijet e armikut.

Për sa u përket anijeve, Forcat Detare Kineze kanë ardhur duke u fuqizuar gjithnjë e më shumë. Torpedinierat e tipave 052B, 052C, të prodhura nga vetë Kina dhe ato të importuara nga Rusia kanë aftësi të madhe antiajrore dhe kundër nëndetëseve e anijeve dhe mund të kryejnë detyra si përballje, bllokim dhe përforcim në det. Ndërkohë, torpedinieri i tipit 052D, që është në prodhim e sipër në mënyrë masive, ka aftësi më të madhe komplekse për luftimin detar dhe quhet edhe si "Aegis Cruiser" i Kinës.

Me aq shumë alternativa për betejat bregdetare, pse Kina duhet të përdorë një aeroplanmbajtëse?

Epërsitë dhe të metat

Tjetër shkak që Kina nuk mund të përdorë aeroplanmbajtësen në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve detare me vendet përreth është që luftimi në hapësirën bregdetare nuk është epësia e aeroplanmbajtëses.

Dihet nga të gjithë që aeroplanmbajtësja është platforma dhe mjeti kryesor i betejave oqeanike, kurse në Detin e Kinës Lindore dhe në Detin e Kinës Jugore, që janë hapësira ujore bregdetare, aeroplanmbajtësja e ka të vështirë të luajë rol efikas, si pasojë e kufizimit hapësinor. Në krahasim me grupet e mëdha të aeroplanëve me bazë tokësore, dhjetëra aeroplanë të mbajtur nga aeroplanmbajtësja kanë një rol të kufizuar.

Njëkohësisht, aeroplanmbajtësja ndodhet përpara rrezikut të madh në luftimet bregdetare, kur mund të gjurmohet nga radarët e aeroplanët zbulues dhe të sulmohet nga aeroplanët luftarakë me bazë tokësore, raketat kruiz dhe nëndetëset. Gjatë luftimeve, ajo ka mundësi edhe të "merret peng".

Parashikimi për përdorimin e aeroplanmbajtëses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët sigurisht nënvlerëson shumë synimin e aeroplanmbajtëses kineze. Atëherë, çfarë rol do të luajë ajo në të ardhmen?

1 2
Mrekulli
Lajmet Kryesore