Kontrolli i krizave, fokusi i takimit Xi-Trump

2017-04-11 16:59:06 CRI Komenti juaj Printoni

Takimi midis krerëve të Kinës dhe të ShBA-së në rezidencën Mar-a Lago ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të ditëve të fundit në botë. Ndër marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve të ndryshme, asnjera nuk ka më shumë ndikim se marrëdhëniet midis Kinës dhe ShBA-së.

Bisedimet

Para takimit, shumë vëzhgues bënë listën e dallimeve midis Kinës dhe ShBA-së, përfshirë problemin e Detit të Kinës Jugore, problemin e Tajvanit, mosmarrëveshjen midis Kinës dhe Japonisë rreth ishullit Diaoyu, situatën në Gadishullin Korean si dhe mosmarrëveshjen tregtare. Secili nga këto probleme mund të ngjallë kundërvënie midis dy vendeve.

Edhe liderët e të dy vendeve pranuan në bisedimet e tyre se midis Kinës dhe ShBA-së ekzistojnë divergjenca, madje ata propozuan një recetë për shmangien e shndërrimit të dallimeve në kundërvënie a përplasje, që do të thotë "kontrolli i krizave".

Duke përgjithësuar takimin midis dy presidentëve, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi përdori fjalën "bashkëpunim".

"Midis udhëheqësve të Kinës dhe të shBA-së u arrit një rezultat shumë i mirë, i cili tregon drejtimin e ardhshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe se bashkëpunimi do të jetë objektivi i përpjekjeve të përbashkëta kino-amerikane," tha ministri Wang.

Në fjalimin e tij, kreu i diplomacisë kineze bëri të ditur gjithashtu se të dyja palët vendosën të krijojnë katër mekanizmat e dialogut të nivelit të lartë, si dialogu i diplomacisë e sigurisë, dialogu i gjithanshëm ekonomik, dialogu i zbatimit të ligjit dhe i sigurisë kibernetike si dhe dialogu për shkëmbimet shoqërore e njerëzore. Ndër to, dialogu i gjithanshëm ekonomik do të zëvendësojë dialogun e mëparshëm për strategjinë e ekonominë midis Kinës dhe ShBA-së.

Këto katër mekanizma përfshijnë në përgjithësi fushat ku ka mosmarrëveshje midis dy vendeve.

Fitorja

Një pjesë e mosmarrëveshjeve midis Kinës dhe ShBA-së shkaktohen nga prirjet e ndryshme strategjike të të dy vendeve, ndërsa pjesa tjetër vjen nga mungesa e besimit reciprok dhe e shkëmbimeve. Duke u nisur nga interesat thelbësore strategjike, marrëdhëniet e qëndrueshme kino-amerikane dhe mjedisi paqësor ndërkombëtar janë në favor të të dy palëve, prandaj midis Kinës dhe ShBA-së ekziston baza për kontrollin e mosmarrëveshjeve dhe bashkëpunimin.

Nga ana e Kinës, si një vend në zhvillim, "ndërtimi" vihet në plan të parë për një kohë të gjatë, prandaj Kina kërkon me sinqeritet dhe motivim një mjedis paqësor ndërkombëtar, edhe gjatë trajtimit të mosmarrëveshjeve me ShBA-në. Gjatë vizitës së tij në Kinë, sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson pranoi në përgjithësi parimin e bashkekzistencës midis Kinës dhe ShBA-së, të paraqitur nga Kina, gjë që tregon se qëndrimi i ShBA-së nuk është larg atij të Kinës.

Nga ana e ShBA-së, presidentit Trump do ti sjellë më shumë dobi bashkëpunimi me Kinën, jo kundërvënia me të. Dihet nga të gjithë se , Trumpi u zgjodh president në mënyrë të papritur, gjë që tregon se shoqëria amerikane aspiron shumë për "përparësinë e ShBA-së" në ndërtim e zhvillim, koncept i paraqitur nga Trumpi. Por në të njëjtën kohë, disa urdhëra ekzekutivë dhe projektligje të Trumpit nuk mund të zbatohen si pasojë e pengesës së palëve, gjë që tregon se në jetën politike brenda ShBA-së, gjendja e Trumpit nuk është aq optimiste dhe ai ka nevojë për një "fitore" për të forcuar pozicionin politik.

"Fitorja" do të vijë vetëm nga preokupimet më të mëdha të publikut amerikan, siguria dhe ekonomia. Lidhur me sigurinë, konkurrenca me një shtet sovran me burime të konsiderueshme sigurisht është më e vështirë se goditja ndaj organizatave terroriste, si IS etj. Në aspektin ekonomik, ShBA-ja nuk do të fitojë më shumë nga lufta tregtare me Kinën, sesa nga bashkëpunimi ekonomiko-tregtar me të. Në fund të fundit, midis Kinës dhe ShBA-së, thelbi i marrëdhënieve ekonomiko-tregtare nuk varet thjesht nga deficiti dhe suficiti.

Gjatë takimit Xi-Trump, u paraqit "Plani 100 ditor" për zgjidhjen e çekuilibrimit tregtar prej kohësh midis Kinës dhe ShBA-së. Ky plan që do të zgjasë 100 ditë, shmang përkohësisht rrezikun e luftës tregtare midis dy vendeve dhe i jep Trumpit mundësi t'u përgjigjet përkrahësve të tij. Vendet e punës të disa industrive, të cilat Trumpi dëshiron të kthehen në territorin amerikan, ndosha nuk janë të domosdoshme për Kinën, që po ristrukturon industritë e saj.

Pavarësisht nga unanimiteti i arritur, nuk mund të shpërfillen fërkimet midis Kinës dhe ShBA-së, që do të ekzistojn për një kohë të gjatë në marrëdhëniet kino-amerikane. Kina në ngritje e sipër, pavarësisht respektit ndaj rendit ekzistues ndërkombëtar, është vështirë të zhdukë "shqetësimet" e ShBA-së për pozitën e vet sunduese. Kjo situatë tregon që ShBA-ja do të mbajë një qëndrim difensiv ndaj Kinës dhe madje, të ushtrojë bllokimin e shtypjen strategjike ndaj Kinës në disa çështje të pjesshme.

Nga ana tjetër, ShBA-ja nuk mund të ëndërrojë që Kina e fuqizuar të tregojë një qëndrim tepër të përmbajtur si në të kaluarën. Nëse ShBA-ja do të prekë vijën bazë të Kinës, reagimi i ashpër nga Kina do të jetë i pashmangshëm.

Kontrolli i krizave

Për shmangien e dallimeve dhe përplasjes së drejtpërdrejtë midis Kinës dhe ShBA-së, që mund të shkaktojë dëme për të dyja palët , "kontrolli i krizave" do të luajë një rol shumë të rëndësishëm për stabilizimin e marrëdhënieve kino-amerikane dhe për evitimin e kundërvënieve.

Për takimin Xi-Trump, të dyja palët ishin përgatitur për konsensusin lidhur me katër mekanizmat. Por kontrolli i krizave midis Kinës dhe ShBA-së nuk do të thotë se të dyja vendet do të "ndajnë sferën e influencës" në botë, ashtu si ShBA-ja dhe ish-Bashkimi Sovjetik gjatë "luftës së ftohtë".

Kina dhe ShBA-ja do të hapin dyert për bashkëpunimin në fusha të ndryshme, për të shtuar njohjen reciproke, shkëmbimet dypalëshe dhe shtimin e besimit të ndërsjellë.

Kjo do të jetë një rrugë e dobishme për marrëdhëniet kino-amerikane dhe për mbarë botën. (Wang Lei)

Mrekulli