A do të marrë pjesë Kina në TPP?

2017-03-14 15:48:10 CRI Komenti juaj Printoni

Kina do të dërgojë përfaqësuesin e posaçëm për çështjet e Amerikës Latine, Yin Hengmin, në takimin e Kilit mbi integrimin ekonomik të Azi-Paqësorit, që do të zhvillohet nga 14 deri më 15 mars në Kili, njoftoi të hënën Ministria e Jashtme e Kinës.

"Ky është një takim i nivelit të lartë që trajton integrimin ekonomik të rajonit të Azi-Paqësorit nga katër vende ameriko-latine dhe vende të Azi-Paqësorit," tha zëdhënësja Hua Chunying, gjatë një konference të rregullt shtypi.

Kina shpreson se takimi do të kontribuojë në nxitjen e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë dhe integrimin ekonomik rajonal e krijimin e një ekonomie të hapur, shtoi ajo.

Hua nënvizoi se takimi i Kilit do të fokusohet më shumë tek shkëmbimi i opinioneve mbi të ardhmen e bashkëpunimit të Azi-Paqësorit, sesa tek Partneriteti i Trans-Paqësorit (TPP).

Para kësaj, agjencia Reuter njoftoi se Kina ka mundësi të marrë pjesë në takimin e anëtarëve të TPP-së që zhvillohet në Kili në 14-15 mars. Çfarë lidhjeje ka Kina me TPP-in dhe a ka mundësi që Kina të marrë pjesë në këtë organizatë?

1. TPP-ja pa kreun

Kili e fton Kinën të marrë pjesë në takimin mbi integrimin ekonomik të Azi-Paqësorit. Megjithëse ky nuk është takim i anëtarëve të TPP-së, ai ka lidhje të ngushtë me TPP-në, që synon tregtinë e lirë midis vendeve të Azi-Paqësorit. Kili e e ka ftuar Kinën në këtë takim, për arsye të tërheqjes së ShBA-së nga TPP-ja, qysh ditën e parë të ardhjes në fuqi të presidentit amerikan Donald Trump. Veprimi i ShBA-së e lë TPP-në në "pa kreun", sepse vetë ShBA-ja zë 60% të shumës së përgjithshme të GDP-së së anëtarëve të TPP-së.

11 anëtarë të tjerë të TPP-së të prekur nga masa e Trumpit po bëjnë përpjekje për të shpëtuar këtë organizatë. Japonia orvatet ta bindë ShBA-në të heqë dorë nga vendimi i tërheqjes, Meksika kërkon nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe me anëtarët e tjera, kurse Australia fton Kinën të marrë pjesë në këtë organizatë.

Në fund të fundit, për 11 anëtarët e mbetur të TPP-së, ky është një traktat shumëpalësh, që e kanë pritur prej kohësh. Në vitin 2005, Brunei, Kili, Singapori dhe Zelanda e Re krijuan "Traktatin e Partneritetit Strategjik Ekonomik Trans-Paqësorit", parardhës i TPP-së. Në fillim të vitit 2008, ShBA-ja nisi bisedimet e tregtisë shumëpalëshe me këto 4 vende. Deri në shkurtin e vitit 2016, të gjithë anëtarët e TPP-së nënshkruan zyrtarisht marrëveshjen pas 19 raundeve të bisedimeve, që zgjatën mbi dhjetë vjetë. Vendet anëtare që kanë bërë shpenzime të shumta nuk duan që përpjekjet e tyre mbi dhjetëvjeçare të dështojnë. Më e rëndësishmja është se në sfondin e rënies së ekonomisë globale, anëtarët e TPP-së shpresojnë të zgjerojnë tregtinë e të shtojnë investime nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, të nxitin rritjen ekonomike dhe të krijojnë më shumë vende pune. Ashtu siç tha kryeministri australian Malcolm Turnbull, "Pa dyshim është një humbje e madhe që në TPP mungon ShBA-ja, por nuk do të heq dorë nga premtimi për vende pune në Australi."

Pas përpjekjeve shumëvjeçare, anëtarët e TPP-së dëshirojnë ta shpëtojnë këtë organizatë dhe e vetmja shpresë e mbarë globit është Kina, ekonomia e dytë në botë.

2. Shans

Pjesëmarrja e Kinës në TPP ka rëndësi të madhe për anëtarët e kësaj organizate, ndërkohë TPP-ja përbën një shans strategjik për Kinën.

Së pari, TPP-ja do të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e tregtisë së Kinës. Sipas një studimi të Komisionit të Nxitjes së Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës, nga vëllimi i përgjithshëm i tregtisë globale të Kinës, më pak se 27% u realizua me vendet që kanë shkruar marrëveshjen e tregtisë së lirë me Kinën, kurse kjo përqindje është zakonisht mbi 50% në vendet e zhvilluara.

Së dyti, pjesa dërrmuese e 11 anëtarëve të mbetur të TPP-së kanë shkëmbime të mëdha tregtare me Kinën. Si P.Sh., në vitin 2014, 8 anëtarët e TPP-së, duke përfshirë Japoninë, Malajzinë e Australinë e kishin Kinën partnerin kryesor tregtar, ndërkohë, përveç Kanadasë, Meksikës dhe Japonisë, 8 anëtarë të tjerë kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe ose shumëpalëshe me Kinën.

Si favorizues i globalizimit, Kina është bërë ekonomia e dytë në botë dhe ka pasur bashkëpunimin me leverdi reciproke me shumë vende, ndaj ajo me siguri do të vazhdojë të nxitë globalizimin dhe të konsultohet me vendet përkatëse për krijimin e zonës së tregtisë së lirë. Në këtë drejtim, TPP-ja do të jetë në ndihmë të Kinës në zgjerimin e tregtisë botërore.

Në të njëjtën kohë, TPP-ja mund të luajë rol edhe në diplomacisë ekonomike të Kinës, duke e ndihmuar Kinën në dialogun e bashkëpunimin me Azi-Paqësorin dhe në përmirësimin e marrëdhënieve me këto vende. Vitet e fundit, me ndikimin e qeverisë amerikane dhe si rrjedhim të mosmarrëveshjeve për Detin e Kinës Jugore, një pjesë vendesh të Azisë Juglindore dhe Verilindore kanë patur fërkime me Kinën dhe shumica e tyre janë anëtare të TPP-së.

3. Gjendja e përgjithshme

Nëse Kina do të marrë pjesë në TPP, kjo gjë do të ndikojë dhe në nxitjen e krijimit të Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit.

Në Forumin e Ekonomisë Botërore në fillim të vitit, presidenti Xi Jinping theksoi në fjalimin e tij, se "Kina do të formojë me forcën e saj të madhe strukturën e hapjes për zhvillimin e përbashkët, do të nxitë ndërtimin e Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit si dhe bisedimet mbi Traktatin e Partneritetin e Gjithanshëm Ekonomik në Rajon (Regional Comprehensive Economic Partnership,RCEP), që të krijojë rrjetin global të tregtisë së lirë."

Dihet nga të gjithë se në të kaluarën, TPP-ja e kryesuar nga ShBA-ja dhe RCEP-i me pjesëmarrjen e Kinës kishin kundërvënie në aspektin politik. Nëse Kina do të marrë pjesë në TPP, do ta kthejë këtë organizatë në orbitën themelore si mekanizëm i sistemimit ekonomik dhe më tej, do të nxitë bashkëpunimin e të gjithë anëtarëve të të dyja mekanizmave të tregtisë shumëpalëshe, TPP e RCEP. Synimi përfundimtar i Kinës do të jetë krijimi i një zone të tregtisë së lirë të Azi-Paqësorit, që favorizon të gjitha vendet e këtij rajoni dhe të japë kontribut real për globalizimin. (Wang Lei)

Mrekulli