Jonida Maliqi mes përgatitjeve për Eurosong

2019-03-11 14:10:46 CRI Komenti juaj Printoni

Këngëtarja e njohur Jonida Maliqi do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në 'Eurovision 2019'. Ajo fitoi festivalin e 57-të Radiotelevizionit shqiptar me këngën 'Ktheju tokës' me tekst dhe muzike nga Eriona Rushiti.

Kënga i kushtohet emigrimit, një plagë tashmë 30 vjeçare për shqiptarët, ndaj dhe ka patur shumë reagime pozitive nga publiku në përgjithësi, por edhe nga shqiptarët jashtë ardheut në veçanti. Për mediat Jonida Maliqi ka treguar se që nga shpallja e saj fituese e festivalit të këngës kanë qenë të panumërta mesazhet e fansave, kryesisht nga jashtë Shqipërisë.

Tashmë që nga janari ekipi i punës po kryen përgatitjet për videoklipin, paraqitjen skenike e të gjithë elementët që do ta përcjellin këngën në garën europiane Eurosong.

Disa ditë më parë këngëtarja regjistroi versionin përfundimtar të këngës në një studio në Suedi. Jonida Maliqi do të prezantohet në festivalin europian me këngën 'Ktheju Tokës', që do ta këndojë në gjuhën shqipe.

Pak ditë më parë Jonida Maliqi ndërmori një nismë për përfaqësimin dinjitoz të Shqipërisë në 'Eurovision'. Ajo tha se " fondet e RTSH nuk janë të mjaftueshëm, kështu që personalisht kërkova ndihmë nga institucionet dhe bizneset shqiptare". Një kërkesë për mbështetje Jonida ia drejtoi kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili njoftoi se këtë vit, Eurovizioni do përjetohet ndryshe në Shqipëri. "Kemi një surprizë të paparë! Teksa ajo shkon të na përfaqësojë në Izrael, ne do të kemi një festë mbështetëse në sheshin "Skënderbej". FORCA JONÇE",-shkroi në mediat sociale kryebashkiaku Veliaj.

Jonida Maliqi, këngëtarja 35 vjeçare me vokalin e veçantë dhe stilin e pangatërrueshëm ka prekur skenën e Festivalit të Këngës që në moshën 13-vjeçare në duetin me Aleksandër Rrapin, "Planeti i fëmijëve", në vitin 1995 dhe dy vite më pas në duet me Kastriot Tushën, "Flas me engjëllin tim".

Me një pjekuri tjetër artistike, Jonida prezantohet në vitin 1999 me këngën "Do jetoj pa ty" dhe në tre vitet pasardhëse me këngët "Çast", "Ik" dhe "Do humbas me ty". Rikthimi i saj në vitin 2004 me këngën "Frikem se më pëlqen" do të shpërblehej me çmimin e tretë.

Dy vite më vonë Maliqi prezantohet me këngën "Pa identitet" dhe në Fest' 46 me këngën "S'ka fajtor në dashuri". Me sukses ka prezantuar edhe Festivalin e 49-të të Këngës në RTSH. Ajo u kthye në Fest '57 pas 11 vitesh. Pa bujë dhe premtime për fitore këngëtarja Jonida Maliqi flet për përgjegjësinë e madhe që ndjen duke u ngjitur në skenën europiane të këngës

Sivjet "Eurosong" do te mbahet nga 14-18 maj në Tel Aviv të Izraelit dhe "Ktheju tokës" në interpretimin e Jonida Maliqit do të konkurrojë më 16 maj, në eventin që do të ndiqet e votohet nga miliona shikues në botë.

Eda Merepeza

Mrekulli
Lajmet Kryesore