Meryl Streep, mbretëresha e Hollivudit: "Ti mund t'ia dalësh!"

2018-10-15 11:39:02 CRI Komenti juaj Printoni

"Nuk kam më durim për disa gjëra, jo për shkak se jam bërë arrogante, por thjesht sepse kam arritur në një pikë në jetën time ku nuk me pëlqen të humb kohë me atë ç'ka më lëndon.

Nuk kam durim për cinizmin, kritika të tepruara dhe kërkesa të çdo lloji.

Kam humbur dëshirën për të kënaqur njerëz që nuk janë më pranë meje, të dua atë që s'më do dhe t'i qesh atij që s'më qesh.

Nuk u kushtoj më asnjë minutë atyre që më gënjejnë apo duan të më manipulojnë. Kam vendosur të mos jetoj më me supozime, hipokrizi apo pandershmëri dhe lavdërime të tregut të lirë. Nuk toleroj më bursën selektive dhe arrogancën akademike. Nuk i përshtatem më provincializmit të thashethemeve. Nuk duroj dot më konflikte dhe përballje; unë besoj në botën e të kundërtave, kështu që unë shmang njerëzit e ngurtë dhe të pandryshueshëm.

Në miqësi nuk më pëlqen mungesa e besnikërisë dhe tradhtia.

Unë nuk shoqërohem me ata që nuk dinë të shohin të vërtetën dhe që nuk të inkurajojnë.

E mbi të gjitha, nuk kam më durim me ata që nuk e meritojnë durimin tim!"

Këto janë fjalët e yllit të kinemasë botërore, të pakrahasueshmes Meryl Streep, që kanë fuqinë të të ndryshojnë jetën përgjithmonë.

Mary Louise Streep ka lindur më 22 qershor të vitit 1949. Ajo është një aktore amerikane dhe filantropiste.

Meryl Streep-it, e njohur nga të gjithë si "Mbretëresha e Hollivudit", asnjëherë nuk i kanë munguar lëvdatat e komplimentet, por vetëm një ndër to i ka mbetur në mendje.

Ajo ka marrë shumë nominime për "Oscar", çmimet "Academy Awards", plot 21 të tilla, si edhe 31 nominime "Golden Globe", më shumë se çdo aktor tjetër dhe ka fituar tre çmime "Oscar" dhe tetë "Golden Globes".

Por për aktoren ka vetëm një kompliment që ka patur një kuptim të veçantë në jetën e saj. Është lëvdata që ajo mori fillimisht nga nëna e saj, historinë e së cilës e tregoi në konferencën e Masaçusets për Gratë, në Boston më 7 Dhjetor 2017-ë.

Po cila është fraza magjike?

"Ti mund t'ia dalësh!"

Duke folur me feministen Gloria Steinem, Streep shpjegoi se edhe gratë që me gjithë zemër besojnë në barazinë gjinore, shpesh bëhen pjesë e paragjykimeve shoqërore rreth potencialit të tyre.

 

"Është ajo ndjesia që përjeton kur piloti i një aeroplani vjen në bord dhe ndërsa u flet pasagjerëve t'i dëgjon një zë gruaje e jo një zë burri. Ndihesh e entuziazmuar, por unë mund ta ndiej menjëherë se në kabinë ka një ndryshim të vogël krahasuar me herë të tjera dhe se ne të gjithë i shtrëngojmë më fort rripat e sigurimit", tha Streep.

"Derisa të heqim dorë nga paragjykimi ynë, ai instinkti i vogël dhe i shtypur, që na vjen në mendje edhe nëse vetëm për një moment, se burrat në të vërtetë mund të jenë më të aftë dhe të kualifikuar për të pilotuar një avion se sa gratë, barazia e vërtetë nuk do të jetë e mundur."

Kjo është arsyeja përse Streep beson se është e domosdoshme t'u japësh vajzave të reja komplimentin që nëna i dha asaj.

"Nëna ime ishte një shtëpiake. Por ajo mund të kishte udhëhequr këdo e çfarëdo lloj kompanie. Ajo ishte një person me të vërtetë i jashtëzakonshëm dhe ajo kurrë nuk e kishte shansin e saj në jetë", tha Streep.

"Por ajo më tha, Meryl, ti je e aftë dhe ti mund t'ia dalësh! "Ky është komplimenti më i madh në botë."

Streep kishte disa këshilla të tjera të fuqishme për gratë e reja sot, duke përfshirë këtu edhe këshillën e mençur, për të cilën e duartrokitën shumë:

"Mos u shqetësoni për peshën tuaj!"

Audienca me mijëra femra shpërtheu në duartrokitje.

"Është një humbje e madhe e kohës. Kur mendoj se sa vite kam humbur duke menduar për këtë temë, është thjesht budallallëk", vazhdoi Streep.

"Dhe ne humbim kaq shumë njerëz gjenialë dhe idetë e tyre gjeniale, sepse ato shohin veten në pasqyrë duke thënë, "Oh zot, jam shumë e shëndoshë". Ju nuk jeni aspak të shëndosha, jeni thjesht perfekte", u shpreh ajo.

"Këshilla ime është që të mbështesni gratë. Meshkuj, mbështetni të dashurat tuaja! Ne duhet të inkurajojmë të tjerët që të kenë mirëkuptim për njerëz që nuk janë si ata. Kjo do të thotë të ndjesh atë që ndjen personi tjetër, që është një gjë që gratë bëjnë pa mundim", tha Streep.

"Por gjëja më e vështirë në punën time është të gjej një mashkull në audiencë që ndjen atë se çfarë duhet të ndiejë personazhi im. Nëse po shoh Harrison Ford-in në një film, ndihem si ai gjithashtu, ndihem si Harrison Ford", shtoi ajo.

"Kjo nuk funksionon në këtë mënyrë kur një audiencë mashkullore sheh një karakter femëror, sepse burrat i shohin përvojat e grave si përvojat "më të vogla e më pak të rëndësishme", si në filma ashtu edhe në jetën reale"."Kam shpresë se do të rritet ndërgjegjësimi për këto efekte të dëmshme të këtyre paragjykimeve. Do t'ia dalim!"

Mrekulli
Lajmet Kryesore