Thalia, mbretëresha e muzikës dhe kinemasë latine

2018-09-14 15:55:54 CRI Komenti juaj Printoni

Ariadna Thalia Sodi Miranda, e njohur si Talia, lindi në 26 gusht 1971 në qytetin Meksiko në Meksikë dhe është një këngëtare shumë e njohur në mbarë botën, kompozitore, botuese, aktore dhe sipërmarrëse meksikane, e cila ka kënduar në gjuhë të ndryshme si spanjisht, anglisht, portugalisht, frëngjisht etj.

Talia është vajza e vogël ndër 5 fëmijë. Nëna e saj, Yolanda Miranda Mange, ishte një piktore e njohur në Meksikë e cila ishte gjithashtu edhe menaxherja e Talia-s nga viti 1980 deri në vitin 1999. Ajo ndërroi jetë në vitin 2011. Babi i Talia-s, Ernesto Sodi Pallares, ishte një shkencëtar, doktor i cili u nda nga jeta në 1977-ën kur Talia ishte vetëm 6 vjeç. Talia u shfaq për herë të parë në televizion, në një reklamë për fëmijë, që në moshën një vjeçare, ndërsa në moshën 4 vjeçare nisi mësimet e para të baletit dhe pianos.

Talia njihet si këngëtarja më e suksesshme meksikane nga shumë prej mediave latine si "Univision", "Televisa" "Azteca" etj, ndërkohë që shpesh quhet "Mbretëresha e Latine e Pop-it" jo vetëm nga mediat latine por edhe nga ato ndërkombëtare, kryesisht për shkak të trashëgimisë së saj në skenën latine dhe muzikën pop gjatë tre dekadave të fundit.

Si këngëtare, ajo ka shitur mbi 25 milionë albume në mbarë botën, duke u konsideruar si një nga këngëtaret latine më të famshme të të gjitha kohërave, për numrin e disqeve më të shitura në tregun muzikor. Ajo ka pasur 28 këngë që janë rënditur në "Top 10", 16 prej të cilave u renditën në vendet e para të hitparedeve. Talia ka marrë një numër të madh vlerësimesh duke përfshirë pesë çmime Latine "Billboard" nga 17 nominime në total për këtë çmim, disa çmime "Juventud Awards" dhe "Lo Nuestro Awards" si dhe nominime të ndryshme, plot 7 të tilla për "Latin Grammy".

Ajo ka bashkëpunuar me emra shumë të njohur ndërkombëtar të industrisë së muzikës si Tony Bennett, Michael Buble, Robbie Williams, Marc Anthony, Laura Pausini, Romeo Santos dhe Carlos Vives si dhe këngëtarë të rinj të mirënjohur si Maluma, Prince Royce, Becky G dhe Natti Natasha.

Përveç suksesit të saj si artiste, Talía ka pasur gjithashtu një karrierë të suksesshme në aktrim, pasi ajo ka aktruar në një shumëllojshmëri telenovelash që janë transmetuar në mbi 180 vende të ndryshme të botës. Gjatë dekadës së viteve 90 ajo u shndërrua në një ikonë televizive dhe njihej publikisht si "Mbretëresha e telenovelave" nga mediat kudo në botë. Ajo u cilësua gjithashtu si aktorja e telenovelave latine më e suksesshme dhe më e paguara e kohës. Në vitin 2008, revista britanike "The Sun" e quajti atë si një nga "50 këngëtaret femra që kurrë nuk do të harrohen" , ndërsa në vitin 2011, "Terra Networks" e përfshiu Talia-n në listen e saj të "grave më të suksesshme të muzikës latine". Ajo është gjithashtu një stiliste e njohur dheautore e katër librave, përfshirë edhe librin e saj autobiografik.

Talia ka qenë protagoniste e disa telenovelave të famshme të viteve 90, sidomos në rolin e Rosalindës apo dhe Marimarit. Në telenovelën "Marimar", të njohur në mbarë botën e të dubluar në shumë gjuhë të huaja, ajo ishte vetëm 20 vjeçe, ku luante rolin e një vajze të varfër e naive e cila u dashurua me një djalë pasanik të një familje shumë të njohur dhe pavarësisht pengesave të shumta shoqërore e prapaskenave , historia e dashurisë së tyre triumfoi. "Rosalinda" ishte telenovela latine që rrëmbeu në masë zemrat e publikut shqiptar.

Talia i ka kënduar vetë këngët e telenovelave ku ka interpretuar, të cilat ktheheshin menjëherë në hite.

Shumë e komentuar për bukurinë e saj të pandryshueshme, sharmin latin dhe talentin e gjithanshëm, Talia bëri për vete producentin Tomy Motola-n, me të cilin u martua në vitin 2000, i cili ishte mbi 20 vjetë më i madh se ajo, 67 vjeçar, por u bë një mbështetje e madhe për karrierën e saj. Talia ka jetë të lumtur bashkëshortore dhe nga martesa me producentin Motola ka dy fëmijë, djalin Metju dhe vajzën Sabrina. Siç dihet tashmë, pas martesës ajo hoqi dorë nga telenovelat dhe merret vetëm me muzikë si dhe një linjë veshjesh e cila pati shumë sukses që nga momenti që u hodh në treg.

Talia vazhdon të jetë një ndër ikonat e muzikës pop dhe të bukurisë në botë. Më 5 dhjetor 2013 ajo u nderua me një yll në "Walk of Fame" në Hollivud, një vlerësim i madh në emër të karrierën e saj të suksesshme në muzikë e kinematografi.

Mrekulli
Lajmet Kryesore