Lady Diana, princesha e njerëzve Lady Diana, princesha e njerëzve

2018-09-13 17:11:33 CRI Komenti juaj Printoni

E dëshiruar dhe vlerësuar nga të gjithë, jo sepse Princi e zgjodhi si bashkëshorten e tij apo për faktin se ajo u bë një ndër emrat më të njohur në botë, si humanitare e palodhur, ajo u vlerësua me titullin më të lartë: "Princesha e Popullit", siç është quajtur nga anglezet, ajo do të mbetet në mendjen e zemrat e të gjithëve si njeriu me shpirt të madh, gruaja e sinqerte, e drejte, e pranishme kudo pranë popullit të saj, në ditë të mira e në ditë të këqija. Vdekja tragjike e princesësh Diana trishtoi miliona njerëz nga e gjithë bota të cilët e kujtojnë atë si princeshën më të dashur në histori. Me jetën që bëri, ajo i tregoi botës se çfarë do të thotë t'i duash njerëzit, tu qëndrosh atyre pranë dhe mos bësh kompromise me çfarë vlerëson si të pa drejtë. Që kur princesha Diana u bë pjesë e familjes mbretërore Britanike, historitë e familjes dhe ngjarjeve ku pjestarët e saj bënin pjesë, u bënë gjithnjë edhe më të ndjekura dhe adhuruara nga populli britanik e më gjerë.

Diana Frances Spencer lindi më 1 korrik të vitit 1961 në Park House, në një shtëpi të marrë me qera nga prindërit e saj, në pronën e Mbretëreshës Elizabetë II, në Sandringham, Angli. Ajo lindi në një familje aristokrate angleze me prejardhje mbretërore dhe u bë një figurë publike me shpalljen e fejesës së saj me Princin Çarls. Në fëmijërinë e saj, Diana kishte shoqëri me Princin Andrew dhe Princin Eduard, djemtë më të vegjël të Mbretëreshës Elizabetë. Kur babai i saj trashëgoi titullin "Earl of Spencer", në vitin 1975, Diana u njoh si Lady Diana Spencer. Pasi mbaroi shkollën, Lady Diana u bë mësuese për ciklin parashkollor në një shkollë në periferi të Londrës.

Në vitin 1980, ajo filloi një histori dashurie me Princin Çarls, djalin e madh të Mbretëreshës Elizabetë. Në shkurt të vitit 1981, 33 vjeçari, Princi i Uellsit, shpalli fejesën me 19 vjeçaren. Bukuria e Dianës dhe ndrojtja e saj u bënë objekt i medias. Më 29 korrik të vitit 1981, mbi 700 milionë shikues, nga e gjithë bota, u bënë dëshmitarë të martesës së Princit Çarls, trashëgimtar i fronit mbretëror të Britanisë, me Lady Diana Spenser. Të martuar në një ceremoni madhështore, në Katedralen "St. Paul" të Londrës, në prezencën e 2.650 të ftuarve, romanca e çiftit ishte në atë kohë lakmia e të gjithë botës. Fëmija e tyre i parë, Princi William, lindi në vitin 1982, dhe fëmija i dytë, Princi Harry, lindi në vitin 1984.

Ajo tërhoqi menjëherë vëmendjen me karakterin dhe stilin e saj, ajo e ndiqte modën por ishte gjithashtu shumë e thjeshtë, ishte e drejtpërdrejtë por edhe e tërhequr, ishte rebele por edhe shumë e përkushtuar ndaj detyrimeve të saj ndaj popullit britanik të cilët e deshën shumë. E bukur, bjonde, princeshë dhe nënë, por edhe e pakënaqur, e trishtuar, e përndjekur kudo nga mediat, ajo i hyri në zemër popullit të saj dhe ende sot, dy dekada pas vdekjes, ajo është një ikonë e pazëvendësueshme.

Çifti përrallor ishte gjithnjë nën vëzhgimin e mediave. Paparacët e pavarur e bënë Dianën një nga gratë më të fotografuara të botës, por kjo i shkaktonte asaj depresion. Ata e ndiqnin atë kudo dhe kjo ishte diçka që ajo e vuante shumë dhe i ndikoi negativisht në qetësinë e jetës së saj. Në vitin 1992, Diana dhe Çarlsi u ndanë zyrtarisht. Në gusht të vitit 1996, princi dhe princesha, pas bisedimeve të shumta dhe stërzgjatura, arritën një marrëveshje për divorcin e tyre. Në këmbim të një vendstrehimi dhe të drejtën për të mbajtur apartamentet në Pallatin Kensington, si edhe titullin e saj, si "Princesha e Uellsit", Diana pranoi të heqë dorë nga titulli "Lartësia Juaj" dhe çdo pretendim të mundshëm në të ardhmen për fronin britanik.

Pas divorcit, princesha e famshme ndihej mirë në rrugën e saj për të arritur ëndrrën e saj për t'u bërë "mbretëreshë në zemrat e njerëzve". Ajo mbeti njeri publik dhe vazhdoi të nxiste shumë kauza humanitare, duke përfshirë përkrahjen për të sëmurët me SIDA dhe fushatën kundra minave tokësore. Në prill të 1987-s, Princesha e Uellsit ishte personaliteti i parë i famshëm që preku një person të infektuar me virusin HIV. Paraqitja e saj më e ndjekur nga mediat ishte vizita e saj në Angola në janar të 1997, duke shërbyer si një vullnetare e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar. Ajo është vlerësuar se pati ndikim në nënshkrimin nga ana e qeverisë britanike e vendeve të tjera të Traktatit të Otavës, në dhjetor të vitit 1997, marrëveshjen e arritur pas vdekjës së saj, atë të ndalimit ndërkombëtar për përdorimin e minave kundër njeriut. Në fund të vitit 1996, Diana u lidh me milionerin Dodi Al Fayed, djalin e pronarit egjiptian të dyqaneve "Harrods".

Me 31 Gusht 1997, Diana, Princesha e Uellsit, vdiq në spitalin Pitie-Salpetiere të Parisit pas dëmtimeve të rënda të marra në kraharor, nga një aksident me makinë. Njëzet vjet më vonë, Diana është një mungesë e madhe dhe e përjetshme në jetën e fëmijëve të saj. Vdekja tragjike e Dianës shkaktoi një shpërthim të madh ndjenjash të britanikëve, që nuk ishin parë më që prej festimeve të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Njerëzit që bënë homazhe për të, sollën në pallatin mbretëror më shumë se një milion buqeta me lule dhe pritën në rresht më shumë se 12 orë, për të firmosur në librin e ngushëllimeve.

Princesha Diana, që donte ta bëntë botën një vend më të mirë për të jetuar, do të mbetet përgjithmonë në mendjet e zemrat e njerëzve si princesha më e dashur dhe më popullore në botë. Ajo do të mbetet përgjithnjë princesha që fitoi zemrat e mbarë britanikëve dhe jo vetëm, duke u kthyer në një ndër figurat më të ndjekura dhe influencuese të shekullit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore