Arti i Yayoi Kusamës, realiteti i saj është imagjinata jonë

2018-08-06 10:12:20 CRI Komenti juaj Printoni

Eksplorimi më i fundit i harresës, obsesioni i luleve, i artistes së famshme japoneze Yayoi Kusama, është shfaqur në Galerinë Kombëtare "Viktoria" (NVG), e njohur gjithashtu si galeria më e madhe e arteve bashkëkohore në Melburn të Australisë.

Vendosja e luleve nisi në një dhomë relativisht normale, thuajse minimaliste, të mobiluar thjeshtë, por shumë shpejt u infektua e shkatërrua nga një 'virus' i luleve të kuqe e të bukura. Kjo është një nga idetë e ekspozitës më të fundit të Yayoi Kusamës.

Pa diskutim që puna e saj lidhet ngushtë me një nga përvojat më të hershme të Kusamës, atë të pafundësisë. Një ditë, kur ajo ishte në një moshë fare të re, sytë e saj, të një fëmije të çuditshëm e të talentuar në forma krejt të ndryshme nga bashkëmoshatarët e tjerë, vërtiteshin rreth një kuzhine, duke treguar interes të veçantë për një pëlhurë tavoline të modeluar me lule të kuqe. Por më pas filluan halucinacionet.

"Hodha vështrimin lart në tavan, drejt dritareve, dhe kolonat përreth meje, të gjitha dukeshin të suvatuara me të njëjtin model me lule të kuqe", tregon Yayoi Kusama. "Pashë tërë dhomën, gjithë trupin tim dhe të gjithë universin të mbuluar me lule të kuqe dhe në atë çast shpirti im u shua ... Ajo nuk ishte një iluzion, por vetë realiteti,", vazhdoi ajo.

Në një program trevjeçar të NGV-së, i cili u nominua për Çmimin e Projektimit 2018, vizitorëve iu kërkua që të pikturonin këtë realitet ekzistencial në mënyrë që të gjithë ta shihnin, duke aplikuar një model në dukje të pafund, të vendosnin në të njëjtën kohë nga një lule kudo nëpër hapësirën e përcaktuar për këtë projekt. Natyrisht, vizitorët e ekspozitës u dyndën në instalimin e NGV-së, duke shpresuar që të shihnin atë çfarë sheh syri e mendja e Kusamës. Lule pas lulesh, ata bënë një lëmsh të vërtetë, duke mbuluar kolltukë, tualete, dritare, tavane, kolona e sende të ndryshme, me një përsëritje të pashmangshme, një dominim i së kuqes që dukej një pafundësi lulesh.

Në rininë e saj ajo ishte në përgjithësi e panjohur, por sidoqoftë fama nuk është aspak e re për Yayoi Kusamën. Kishte një kohë kur ajo ishte po aq e njohur si Andy Warhol midis admiruesve të "pop art"-it. E vlerësuar si një paraardhëse e minimalizmit, Kusama bëri tabela të dizenjuara për shfaqje në rrugë, në të cilat ajo pikturoi "pika" mbi burra e gra lakuriq.

Arti i saj u përhap kudo, nëpër muze, rrugë, parqe, bienale, restorante, bare, modë etj., që nga Azia, Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut, Europa, Australia e kudo tjetër. Por Kusama u harrua kryesisht nga bota e artit, pasi u kthye në Japoni në vitin 1973, sepse vuante nga probleme serioze mendore. Ajo u diagnostikua me sëmundjen e çrregullimit obsesiv kompulsiv dhe sot vazhdon e mbyllur në spital, nën kontrollin e plotë të mjekëve, ku edhe prodhon artin e saj, pa të cilin thotë se nuk e koncepton dot ekzistencën e saj.

Yayoi Kusama, ka lindur më 22 mars 1929. Ajo është një artiste japoneze bashkëkohore, e cila punon kryesisht në skulpturë dhe instalim, por merret gjithashtu me pikturë, performancë, film, modë, poezi, letërsi artistike dhe arte të tjera. Puna e saj bazohet në artin konceptual dhe shfaq disa tipare të feminizmit, minimalizmit, surrealizmit, "Art Brut"-it, "Pot Art"-it dhe ekspresionizmit abstrakt. Arti i saj është i mbushur me përmbajtje autobiografike, psikologjike dhe seksuale. Ajo është vlerësuar si një prej artistëve më të rëndësishëm që ka nxjerrë Japonia deri më sot.

Yayoi Kusama është rritur në Matsumoto dhe ka studiuar në Shkollën e Arteve dhe Veprave Artizanale të Kiotos, duke u specializuar në një stil pikture tradicionale japoneze të quajtur "nihonga". Kusama u frymëzua gjithashtu nga impresionizmi abstrakt amerikan. Ajo u transferua në qytetin e Nju-Jorkut në vitin 1958, ku ishte pjesë e skenës avangardë të qytetit përgjatë viteve '60, veçanërisht në lëvizjen "pop-art".

Yayoi Kusama është mbretëresha e infinitit, pikturat dhe punimet e saj "pikaloshe" janë ndër më të vizituarat dhe ndër më të vlerësuarat në botën e artit bashkëkohor dhe pop-artit.

Në një përshkrim të Edon Guraziut mbi bashkëpunimin e Kusamës me industrinë e modës, të titulluar "Zonja 84-vjeçare në arenën e artit dhe Louis Vuitton-it", ajo vlerësohet si një nga njerëzit me ndikim më të madh në artin pamor të shekullit të kaluar dhe ditëve të sotme po ashtu.

"Mund të shkruhet apo të thuhet shumçka për këtë 'gjyshe' japoneze me emrin Kusama. Këmbëngulja, 'pikat' si obsesion artistik për dekada dhe përjetimet halucinative të fëmijërisë e kanë bërë të pavdekshme si artiste, por nëse e shohim artistikisht edhe 'shpinën' e një pikture, domethënë andej diku prapa kornizës, mendoj që marrëveshja e vitit 2012 për bashkëpunim mes Kusamës dhe Louis Vuitton-it është ajo kurora e praruar, është dëshmia më bindëse, ndër faktet më të besueshme që i vë vulën stilit të saj autentik, pra lindja e një marke pikash, që tingëllon 'Kusama' kudo dhe në secilin skaj të botës, në vetvete mund të jetë më e zhurmshme sesa 'zhurma' e të gjitha muzeve së bashku", shkruan Guraziu.

Në vitin 2017, një retrospektivë pesëdhjetëvjeçare e punës së Kusamës u hap në Muzeun "Hirshhorn" të Uashingtonit. Po atë vit, në Tokio u përurua edhe muzeu që mban emrin e saj "Yusoi Kusama". Disa prej punëve të saj gjenden në muzetë e galeritë më të famshme të botës dhe puna e saj është vlerësuar gjithashtu me çmime të shumta prestigjioze në mbarë globin. Me të drejtë uebsajti "Artsy" e ka quajtur Kusamën një prej 10 artistëve më të mirë të vitit 2015.

Një ndër punët e saj më të famshme të të gjitha kohërave është ajo që quhet "Dhoma e Pasqyrave e Pafundme". Në të gjenden në mënyrë të përsëritur, në pafundësi, të reflektuar me pasqyra, shpirtrat e miliona dritë jetë larg. Çdo dhomë të jep ndjesinë e pafundësisë dhe përbëhet nga dhomëza të errëta që i ngjajnë hapësirës, të cilat janë plotësisht të veshura me pasqyra. Në të kaluarën, Kusama i ka mbushur këto dhoma me kunguj, fenerë e mjete të tjera.

Sipas një studimi të pjesëmarrjes në muze, në vitin 2014, artistja më e njohur në botë është Yayoi Kusama nga Japonia.

"Ka pasur shumë interes mbi historinë e jetës suaj si rezultat i retrospektivës suaj në Muzeun e Artit Modern. A keni frikë ndonjëherë se njerëzit mund të jenë të interesuar në biografinë tuaj në kurriz të artit tuaj?", është pyetur ajo në një intervistë nga Grady Turner për revistën "Bomb" në vitin 1999.

"Jo, nuk kam një frikë të tillë. Veprat e mia artistike janë një shprehje e jetës sime, veçanërisht e sëmundjes time mendore", është përgjigjur Yayoi Kusama.

Mrekulli