Pekin: Festivali i Artit, koncert me muzikë tradicionale të vendeve anëtare të OBSh-së

2018-06-20 16:13:56 CRI Komenti juaj Printoni

Një koncert me muzikë popullore tradicionale të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) u mbajt më 30 maj në Teatrin "Poly" në Pekin.

Koncerti me muzikë popullore, pjesë e Festivalit të Artit të Shteteve Anëtare të OBSh-së, u organizua nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kinës dhe u prezantua nga Grupi "Arts and Entertainment" i Kinës.

Koncerti ishte i përbërë nga tetë pjesë dhe në të interpretuan orkestra të ndryshme nga Rusia, Kirgizistani, Uzbekistani dhe Kina.

"Koncerti me muzikë tradicionale i Festivalit të Artit të Shteteve Anëtare të OBSh-së është një shkëmbim bashkëpunimi shumëpalësh, një mënyrë për t'i treguar botës më shumë mbi kulturën tonë kombëtare dhe njëkohësisht për të mësuar më shumë mbi kulturat e tjera të huaja", u shpreh Toir, drejtori artistik i Grupit të Muzikës Popullore "Sato" të Uzbekistanit në një konferencë për shtyp të mbajtur para shfaqjes.

"Ky festival siguron një platformë të rëndësishme artistike për Kinën dhe vendet e tjera. Ne shpresojmë që kjo ngjarje të kthehet në një urë komunikimi midis vendeve, për të kontribuar më shumë në zhvillimin e të gjithë anëtarëve të OBSh-së", tha Luo Shugang-u, ministri i Kulturës dhe Turizmit i Kinës në ceremoninë e hapjes të koncertit.

Gjatë pjesës së parë të koncertit, të quajtur "Gëzimi", një grup muzikantësh ndezën sallën me një interpretim tejet të gjallë të disa melodive popullore tradicionale kineze.

Në vijim, orkestra e Konservatorit të Muzikës së Kinës performoi muzikë popullore të spikatur e të gëzueshme, tipike si ajo lloj muzike që luhet zakonisht në shfaqje tradicionale me kukulla apo shfaqje të tjera të së njëjtës linjë në provincën Shaanxi të Kinës Veriperëndimore.

Pjesa e tretë u përqendrua në muzikën popullore të Kirgizistanit. I luajtur nga Ansambli "Akak" i Kirgizistanit, seksioni përbëhej nga tri pjesë virtuoze, njëra prej të cilave ishte një pjesë e muzikës "Komuz". I fuqishëm, shpërthyes dhe i shpejtë në ritmin e tij, "Komuz" zë një vend të rëndësishëm në repertorin e interpretuesve profesionistë kirgizistanas.

Gjatë interpretimit, nganjëherë një instrument i vetëm ndahet midis dy muzikantëve, të cilët interpretojnë me radhë, me të njëjtin instrument një pjesë të vetme muzikore.

Një tjetër interpretim interesant ishte ai i "Fantazisë" ruse, i realizuar nga Ansambli Akademik Shtetëror "Lyudmila Zykina" i muzikës popullore ruse. Melodia e mirënjohur klasike ruse "Moon Light" e kompozuar nga i famshmi Vasily Andreev iu përshtat notave folklorike të mbrëmjes.

Në teatër u mbajt gjithashtu një ekspozitë e vogël me fotografi nga pika historike e turistike të vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait.

--------

Më 1 qershor u zhvillua një mbrëmje gala me valle popullore të vendeve anëtare të OBSh-së në Akademinë e Pekinit.

Ky koncert, si pjesë e Festivalit të Artit i vendeve anëtare të OBSh-së, zgjati rreth 80 minuta dhe ofroi një shfaqje tejet të veçantë prej nëntë vallesh tradicionale nga vende si Kazakistani, Kirgizistani, Pakistani, Rusia dhe Kina.

Të parët që hapën siparin e mbrëmjes ishin valltarët e Departamentit të Kërcimit Klasik Kinez pranë Akademisë së Kërcimit të Pekinit, të cilët nëpërmjet një kërcimi tradicional kinez, interpretuan fillimisht këngën popullore të ashtuquajtur "Xianghe". Fillimet e vallëzimit kinez rezultojnë që nga Dinastia Han (206 p.e.s. – 220 e. s.) dhe përfshijnë këngë e vallëzime karakteristike ku valltarët luajnë me hapa të thjeshtë në përshtatje me ritmin e daulleve, duke krijuar një kombinimin të përsosur mes, vallëzimit, muzikës dhe poezisë.

Më pas u ngjitën në skenë valltarët e Kazakistanit, të ciët interpretuan vallen "Arular", që në gjuhën e tyre do të thotë "bukuritë". Kjo pjesë nxori në pah bukurinë, elegancën dhe butësinë e vajzave kazake. Me hapa delikate dhe të këndshme, kërcimtarët e veshur me kostume etnike tradicionale, kapele e vello transparente, theksuan veçantinë e vallëzimit që shoqërohet nga lëvizje të lehta të duarve, trupit e kokës.

Kina u prezantua nga pakica kombëtare dai. Një grup vajzash të kësaj kombësie kërcyen e kënduan këngë karakteristike kineze nën tingujt e këngës së shpendëve, me temë natyrën, dritën e parë të agimit, barin e njomë e këngën e zogjve që gjallëron një pyll bambuje.

Në vijim interpretoi Trupa Kombëtare e Kërcimit e Kirgizistanit, "Semetey", e cila solli në skenë një pjesë me temë "emigrimin e nomadëve". Kultura nomade ka qenë prej kohësh një pjesë e rëndësishme e historisë së popullit të Kirgistanit, pasi paraardhësit e tyre u zhvendosën nga një vend në tjetrin në kërkim të ujit të freskët dhe kullotave të gjelbra në të gjithë Azinë. Valltarët shfaqën udhëtimin e tregtarëve nomadë, duke demonstruar kështu historinë dhe kulturën kirgize përmes muzikës e valleve.

Më pas shfaqja arriti kulmin me një performancë që lidhej me ushtrinë e famshme prej terrakote të Kinës, që është vlerësuar si mrekullia e tetë e botës. Valltarët e veshur si luftëtarë të lashtë kërcyen në një skenë që i ngjante një fushëbeteje, të shoqëruar nga ritmi i zhurmshëm e i fuqishëm i muzikës popullore "Daullja e madhe" e Jiangzhou-t.

Një tjetër performancë shumë interesante e koncertit ishte ajo e trupës kombëtare të valltarëve e Pakistanit (NPAG). Ky interpretim tregoi me elegancë e thjeshtësi, një ditë normale nga jeta e një vajze fshati nga Pakistani, që nga zgjimi në mëngjes, përgatitja e ushqimit për familjarët e saj, puna e përditshme në fushat e fshatit dhe kthimi në shtëpi tek familja e saj.

Mrekulli
Lajmet Kryesore