Tirana pushtohet nga koncertet, Olen Cesari, Eugent Bushpepa, Ermal Meta dhe Rita Ora na bëjnë krenarë

2018-06-08 16:39:19 CRI Komenti juaj Printoni

Java që lamë pas e gjeti Tiranën në një varg koncertesh të mëdha të artistëve shqiptarë me famë botërore, si edhe artistë të tjerë shumë të njohur në Shqipëri e rajon. Olen Cesari, Eugent Bushpepa, Ermal Meta dhe Rita Ora etj., janë këngëtarët që pushtuan skenat e mëdha të kryeqytetit shqiptar, duke sjellë për publikun vendas koncerte të paharrueshme.

Më 30 maj u përurua Teatri i Liqenit Artificial të Tiranës. Ndërsa përurimi u bë nga kryebashkiaku Erjon Veliaj, Bashkia e Tiranës njoftoi se mbrëmja do të ishte e mbushur me surpriza e një spektakël fantastik.

Olen Cesari ishte i ftuari i nderit, i cili hapi koncertin me tingujt e tij të magjishëm e shumë të njohur tashmë kudo në botë. Mbrëmja, përveç Olenit e pjesëve të tij muzikore me violinë, u karakterizua edhe nga shfaqje të tjera muzikore, balet, simfoni, arie operistike, marshe muzikore etj.

Nën dirigjimin e Noorman Widjaja, interpretuan Orkestra e RTSh-së, Banda e Forcave të Armatosura, Fanfara Tirana, Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe balerinë solistë nga Shkolla e Baletit e Tiranës. Për herë të parë në Tiranë, me rastin e përurimit të Amfiteatrit të Tiranës, u bënë bashkë 400 artistë shqiptarë.

Ermal Meta, këngëtari shqiptar i vendosur përfundimisht në Itali, i cili fitoi çmimin e parë në festivalin e Sanremos dhe mori pjesë në "Eurovizion 2018", mbajti një koncert, më 1 qershor, në sheshin "Skënderbej" në Tiranë. Koncerti u mirëprit nga të pranishmit, për të cilët nuk munguan dhe performanca të artistëve të tjerë. Koncerti u organizua nga Bashkia e Tiranës, ndërsa para shfaqjes madhështore, Ermali u takua gjithashtu me një grup të rinjsh në tarracën e gjelbër të Bashkisë së kryeqytetit, ku të pranishëm ishin edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, si dhe stafi i ambasadës italiane në Shqipëri.

"Mbërriti jo vetëm një artist i shkëlqyer, por djali i rrallë Ermal Meta. Sot do shihni e dëgjoni më shumë për historinë e tij frymëzuese që me gjasë do prekë e do të inkurajojë pafund të rinj shqiptarë! Në darkë ju presim të gjithëve në Sheshin Skenderbe për festën madhështore", shkruan Veliaj në "twitter.

Gjatë takimit në tarracën e Bashkisë së Tiranës, Ermali rrëfeu historinë personale para të rinjve dhe admiruesve të tij. Mes të tjerash, ai tha se ishte shumë i lumtur dhe i emocionuar që ndodhej në Tiranë. "E nisa rrugëtimin tim para 24 vjetësh kur u largova nga Shqipëria duke e kaluar detin jo mbi traget por mbi nota muzikore, pasi muzikën e kisha gjithmonë brenda vetes. Kur shkova kisha vetëm një dëshirë, të bëja një gjë dhe ta bëja saktë dhe jo shumë gjëra", tregoi ai.

Para koncertit, Ermal Meta tregoi mbi jetën që ka bërë për të mbijetuar dhe se si e ka nisur muzikën. "E nisa muzikën para shumë vjetësh. Por, nuk ishte e thjeshtë pasi asnjë nuk lind i famshëm. Edhe unë si gjithë shqiptarët në Itali mundohesha të mbijetoja, duke bërë punë të ndryshme. Kur isha 14 vjeç, kam shitur gazeta e më pas kam punuar pjatalarës e deri kamarier. Duart ishin në punë, por mendja ime ishte gjithmonë atje tek muzika, pra çfarëdo lloj eksperience që bëja gjithmonë kthehesha tek muzika", u shpreh kantautori Meta.

Në koncertin e 1 qershorit, i pranishëm ishte edhe këngëtari i njohur i cili përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, Eugent Bushpepa. Fillimisht ishin Marsela Çibukaj, Vitmar Basha dhe Eugent Bushpepa, që ndezën skenën madhështore të sheshit "Skënderbej" duke kënduar disa prej këngëve të tyre më të njohura dhe më pas e gjithë skena iu la Ermal Metës.

Ku u pyet për eksperiencën në "Eurovizion", Ermali u shpreh se festivali "ishte një ngjarje e rrall,ë ku ishin tre shqiptarë që përfaqësonim vende të ndryshme. Mendoj se Eugenti ka zë të mahnitshëm. Nga të tre ne, Eugenti ishte ai që këndoi më mire", tha Meta.

Rita Ora, këngëtarja shqiptare me famë botërore, iu bashkua turit të koncerteve në Tiranë duke dhënë një koncert madhështor në sheshin "Skënderbej" të mbushur plot me admirues, të dielën më 3 qershor. Bashkia e Tiranës ishte organizatorja kryesore e këtij koncerti.

Ishte kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili nëpërmjet rrjeteve shoqërore konfirmoi se koncerti i Rita Orës do të mbahej më 3 qershor.

"A jeni gati"?

"Unë jam shumë i lumtur të mirëpres Rita Orën më 3 qershor në Tiranë, për një koncert super në sheshin 'Skënderbej'. Kjo verë nuk do të harrohet lehtë!" shkruan Veliaj.

Rita Ora është kthyer në Shqipëri pas gjashtë vjetësh. Ndërsa më 17 shkurt, ajo ishte e veshur kuq e zi në një spektakël të madh në sheshin e Prishtinës. Rita e nisi interpretimin e saj me këngën "I will never let you down" të kompozuar nga Calvin Harris. Ndërsa vijoi me hitet e saj të tjera, ajo tha se kënga "I am a survivor" është një ndër të preferuarat e saj. Ashtu si pak kohë më parë në Prishtinë, edhe në Tiranë, Rita Ora ka zgjedhur të këndojë e kërcejë, veç te tjerave, edhe "Vallen e Rugovës".

Disa nga zërat më të pëlqyer nga të rinjtë, si Ledri Vula, Arilena Ara, Yll Limani, Alban Ramosaj, Filloreta Raci, Argjentina Ramosaj, DJ Aldo etj. ndezën koncertin e Ritës me muzikën e tyre moderne, në sheshin më të madh të shqiptarëve.

Mrekulli