Michael Jackson, mbreti i pop-it, ylli që nuk do të shuhet kurrë

2018-06-05 16:38:45 CRI Komenti juaj Printoni

Michael Jackson njihet ndryshe edhe si mbreti i muzikës pop. Ai lindi më 29 gusht 1958, në qytetin Gary, Indiana. Ai lindi në një familje të varfër ku muzika ishte gjithçka. Michael që kur ishte i vogël iu kushtua muzikës, ndërsa nëna e tij këndonte dhe babai i binte kitarës në një grup të vogël R&B. Vëllezërit e mëdhenj të Michael-it e shoqëronin atë duke iu rënë instrumenteve e duke kënduar.

Joseph Jackson, pasi e pa talentin e djemve, vendosi të krijonte një grup. "Jackson Five", grupi i sapokrijuar, e filloi karrierën me koncerte të vogla në zonë, derisa më në fund firmosi një kontratë me shtëpinë e famshme diskografike "Motown". "Jackson Five" realizoi në vetëm shtatë vjet plot pesëmbëdhjetë albume, në katër prej të cilëve Michael Jackson ishte këngëtari solist, duke ngjitur shkallët e klasifikimeve dhe duke u përballur në koncertet e tureve të tyre me një publik masiv.

Michael e filloi karrierën si solist dhe, në vitin 1978, mori pjesë si aktor në xhirimet e filmit "The Wiz", me Diana Ross, me të cilën regjistroi edhe kolonën zanore (duke marrë pjesë në katër këngë, midis të cilave "You Can't Win" e "Easy On Down On the Road"). Gjatë regjistrimit të kolonës zanore të filmit njeh legjendarin Quincy Jones. Në vitin 1979 Michael vendosi të bashkëpunojë me Quincy Jones dhe regjistroi albumin e parë si solist për Epic Records/CBS, "Off the Wall".

Albumi lë në harresë rënien e grupit Jacksons, duke arritur majën e klasifikimeve amerikane dhe në mbarë botën. Michael nisi kështu rrugën e tij drejt suksesit absolut, duke hyrë në histori si autor i albumeve më të shitura të të gjitha kohërave. Pasi u bashkua me vëllezërit për një tjetër album dhe një tjetër tur, Michael realizon albumin tjetër si solist, me titullin "Thriller".

"Thriller" ishte një album që qëndroi në krye të klasifikimit për 37 javë rresht dhe që deri në ditët e sotme ka shitur mbi 40 milionë kopje. Videoja që do të shoqëronte albumin single me të njëjtin titull, "Thriller", një videoklip pesëmbëdhjetë minutësh, u bë pa diskutim një sukses më vete. Muzika e tij soul, funk dhe rock, talenti si kërcimtar dhe stili origjinal, e shndërruan Michael Jacskon-in në një emblemë mbarëbotërore.

Pavarësisht statusit të tij të ri si superstar, Jackson edhe një herë del në skenë me vëllezërit e tij në vitin 1984 (Victory Tour), një ngjarje që do të nxirrte edhe anëtarë të tjerë të familjes për në karrierën solistike, si motrat e tij Janet e La Toya Jackson.

Ndërkaq, më 1988, Michael bleu një fermë tejet të madhe në Kaliforni, duke e quajtur atë "Neverland". Ai e pajisi shtëpinë e tij të stërmadhe me një park lojërash, ku do t'i ftonte fëmijët e vegjël ta vizitonin dhe të ishin mysafirët e tij.

Michael pati shumë ndërhyrje plastike dhe sjelljet nganjëherë të çuditshme, si mbajtja e maskave mjekësore në publik, bënë që ai të vihej në shenjestër të mediave në të gjithë botën. Ndërkaq, ngurimi i tij për të dhënë intervista e shtoi edhe më tepër interesin mediatik për jetën e tij. Në vitin 1985 bleu "ATV Publishing", që zotëron të drejtat e shumë këngëve të "Beatles", çka prishi edhe marrëdhëniet e tij me këngëtarin Paul McCartney.

Po atë vit Michael bashkë me Lionel Ritchie-n realizuan projektin "We Are the World", një album single të ardhurat e të cilit do të shkonin për fëmijët afrikanë. Interpretuesit e këngës ishin yjet më të mëdhenj të këngës në ShBA e mbarë botën.

Në vitin 1987 do të dilte albumi i shumëpritur "Bad", i cili shiti plot 28 milionë kopje në mbarë botën, por nuk e pati suksesin e albumit "Thriller". Në vitin 1991 "Dangerous" ishte një sukses tjetër i mbretit të popit.

Në Shtetet e Bashkuara imazhi i Michael Jackson do të ridimensionohej nga zërat e ngacmimeve ndaj të vegjëlve. Dashuria e Jackson-it për fëmijët është e njohur, por veprimet e tij shpesh të pamatura do të ngjallnin tepër vëmendje dhe dyshime, çka do të bënte që, më 1993, të denoncohej nga një fëmijë "mik" i këngëtarit, i cili e akuzonte për ngacmime të turpshme. Kjo u zgjidh me një marrëveshje mes Jackson e akuzuesit (babait të vogëlushit).

Më 26 maj 1994 ai u martua me vajzën e Elvis Presley-it, Lisa Marie Presley. Por, martesa mori fund mbas dy vjetësh. Më vonë Jackson u martua me infermieren e tij dhe në vitin 1997 ata u bënë prindër për herë të parë.

Nuk u ndal për asnjë çast dëshira e tij për të bërë muzikë dhe kështu doli albumi "History", shoqëruar si kurrë më parë nga një fushatë e madhe propaganduese, ndër të cilat video të statujave gjigante të Jackson që endeshin nëpër rrugët e Europës. Albumi dyvëllimësh përbëhet nga vëllimi me "greatest hits" dhe nga një material i ri, midis të cilëve albumi single "Scream" (në duet me motrën Janet) e kënga "They Don't Care About Us". Dalja e albumit u mbështet nga një tjetër turne. Blitz-i multimedial do të vazhdonte në albumin e mëvonshëm të vitit 1997, "Blood On the Dance Floor".

Michael Jackson u rradhit në "Rock'n'Roll Hall of Fame" në marsin e vitit 2001. Po atë vit u organizua një koncert i madh në "Madison Square Garden" në Nju-Jork që shënoi edhe 30 vjet karrierë të gjeniut të muzikës. Në koncert merrnin pjesë Whitney Houston, Britney Spears, 'N Sync e Liza Minnelli. Koncerti kishte edhe pjesëmarrjen e Jacksons, së bashku në skenë pas pothuaj 20 vjetësh. Shfaqja, biletat për të cilën qenë shitur tashmë prej shumë kohësh, u transmetua nga rrjeti televiziv "CBS" dhe kaloi të gjitha rekordet e mëparshme të shikueshmërisë me mbi 25 000 000 telespektatorë.

Fill më pas do të jepej koncerti i dytë në qytetin e Nju-Yorkut, i cili ishte tronditur nga tragjedia e Kullave Binjake. Michael reagoi kundër kësaj ngjarjeje të rëndë, duke shkruar një këngë kushtuar viktimave të tragjedisë. Ai mblodhi rrotull vetes 40 superyje, si Celine Dion, Shakira, Mariah Carey, Backstreet Boys, Santana etj. dhe registroi këngën "What More Can I Give?".

Në tetor 2001 Michael publikoi albumin "Invincible", që përmbante këngën "You Rock My World", ndërsa në nëntor 2003 doli përmbledhja e këngëve të suksesshme "Number Ones", por u publikua njëkohësisht edhe lajmi se Michael Jackson do të arrestohej për disa akuza të shumëfishta ngacmimesh ndaj fëmijëve, me mundësinë e pagesës, ndaj akuzave, prej tre milionë dollarë.

Procesi u mbyll më 14 qershor 2005, pasi juria e gjykatës së Santa Marias e deklaroi Michael Jackson të pafajshëm për të gjitha akuzat e bëra.

Në muajin mars 2009, Jackson organizoi në Londër një konferencë shtypi për të paraqitur turin e tij të ri. Por ai nuk mundi ta realizonte këtë koncert madhështor që e priste jo vetëm Londra, por shumë prej admiruesve të tij nga mbarë bota, që do të vinin ta ndiqnin atë në kryeqytetin anglez.

Michael Jackson vdiq nga shkaqe shëndetësore të papritura në shtëpinë e tij në Los Anxhelos më 25 qershor 2009.

Me gjithë disa spekulime mbi jetën e tij private, disa kalvare gjyqësore dhe rënien e popullaritetit të tij, e gjithë bota mediatike u fokusua tek kjo ndarje fatale nga jeta e autorit dhe këngëtarit të madh, tashmë pjesë e rëndësishme e kujtesës dhe kulturës botërore. Vepra e tij madhështore do të jetë këtej e tutje e vetmja lidhje mes adhuruesve të tij dhe kontradiktorit Jackson, një meteor jashtëtokësor për epokën tonë, i brishtë e i hëntë, një siluetë e paharrueshme.

Mrekulli
Lajmet Kryesore