Dasma mbretërore e vitit, Harry dhe Meghan treguan se dashuria e vërtetë ekziston

2018-05-30 14:29:39 CRI Komenti juaj Printoni

Princi Harry dhe aktorja amerikane, Meghan Markle, lidhën kurorë të shtunën më 19 maj, në kishën e Shën Gjergjit në kështjellën Windsor, 40 km larg Londrës.

Në mesditë, vëmendja e botës u kthye drejt Kishës së kështjellës Windsor ku u zhvillua ceremonia martesore. Miliona shikues nga e gjithë bota ndoqën nëpërmjet TV-së ose në internet momentin kur Princi Charles, i dorëzoi Meghan-in djalit të tij, Harry-t. Meghan ishte ndoshta nusja më e thjeshtë mbretërore në histori, fustani i saj aspak i ngarkuar, me vellon prej 5 metrash të gjatë, i dhanë asaj hijeshinë e magjishme e të vërtetë të një princeshe.

Ceremonia martesore, që zgjati rreth një orë, e drejtuar nga Kryepeshkopi i Canterbury-t, Justin Welby, u zhvillua para 600 të ftuarve të familjes mbretërore që kishin ardhur në Windsor për të ndjekur nga afër dasmën e vitit.

Princi Harry dhe Meghan Markle janë tashmë Duka dhe Dukesha e Sussex-it. Mbretëresha i dhuroi titujt nipit dhe nuses së tij, ndërsa ata përgatiteshin të shkonin drejt altarit për të kurorëzuar dashurinë e tyre.

Meghan-i u shoqërua në altar nga Princi Charles, babai i Harry-t, pasi babai i saj, Thomas-i, nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në ceremoninë e vajzës së tij, për shkak se iu nënshtrua një operacioni në zemër.

Të gjithë shoqërueset dhe shoqëruesit e Meghan-it ishin fëmijë, duke përfshirë Princeshën Charlotte dhe vëllain e saj, Princin George. Princi William ishte shoqëruesi i Harry-t, ndërkohë që Markle nuk kishte asnjë shoqëruese nderi, pasi ajo nuk donte të përzgjidhte mes mikeshave të saj më të ngushta. Ato ishin të gjitha të ftuara në dasmën më të pritur të vitit. E në fakt kush e ndoqi ceremoninë martesore mbretërore, u shpreh se ajo ishte një ceremoni përrallore.

Pas ceremonisë, çifti i sapomartuar përshkoi, për rreth 25-minuta, rrugët e Windsor-it, në një karrocë të hapur, moment ky i njohur në traditën e gjatë mbretërore. Gjatë xhiros së gjatë e spektakolare të Harry-t dhe Meghan-it me karrocë e kuaj, shoqëruar nga kalorësit e oborrit mbretëror, ajo që ra shumë në sy ishte pjesëmarrja e madhe e admiruesve që kishin ardhur nga mbarë vendi e më gjerë për të përshëndetur e nderuar çiftin më të ri mbretëror.

Rreth 100,000 njerëz ishin rreshtuar rrugëve të Windsor-it duke duartrokitur, brohoritur, valëvitur flamujt kombëtarë dhe duke përshëndetur çiftin me simbole mbretërore nga më të ndryshmet. Disa admirues kishin mbërritur në Windsor disa ditë më pare, për të siguruar vendet më të mira me pamjen më të mirë.

Nicholas Pervez udhëtoi për pesë orë nga Yorkshire për në Windsor për të ndjekur nga afër ceremoninë martesore të Harry-t dhe Meghanit. Ai tha se Markle, në njëfarë mënyre përfaqëson një "fener drite" për shumë njerëz të zakonshëm të cilët gjithashtu mund të ndryshojnë jetët e tyre nëse përpiqen të lënë pas pengesat në jetë. "Kjo është një ngjarje historike, kështu që unë jam këtu për ta ndjekur atë", tha ai.

Jimmy Lee fluturoi nga Teksasi i Shteteve të Bashkuara, katër ditë më parë, vetëm për të parë dasmën mbretërore që u zhvillua në Windsor. Ai u shpreh se ishte i emocionuar që Markle, një vajzë amerikane, ishte me fat që do të martohej me një djalë nga familja mbretërore britanike. "Është një ndryshim i madh dhe po ndodh," tha ai, duke treguar se monarkia është më e hapur se dy dekada më parë.

Admiruesit e monarkisë, shumë prej tyre të veshur me kurora ose veshmbathje me flamuj kombëtarë, ndoqën nga afër dasmën mbretërore që u shfaq në ekranet e mëdha jashtë kështjellës Windsor, një nga banesat kryesore të Mbretëreshës Elizabeta e II-të. U shënua pra, për nga shikueshmëria, si ngjarja më e ndjekur e vitit.

Pas ceremonisë pati një pritje private në Shtëpinë Frogmore në Windsor, ku çifti i sapomartuar festoi ditën më të rëndësishme të jetës së vet së bashku me 200 miq të ngushtë e familjarë.

Rreth 250 policë të armatosur ishin në patrullim gjatë momentit kur u mbajt ceremonia martesore e Harry-t dhe Meghan-it, ndërsa 3 000 policë të tjerë ishin në gatishmëri nga çdo të papritur.

Romanca mbretërore moderne e Harry-t dhe Meghan-it, një aktore e divorcuar afro-amerikane, është mirëpritur gjerësisht në Britani, si një simbol i një monarkie britanike më të hapur e gjithëpërfshirëse, që daton pothuajse 1000 vjet më parë.

Kanan Kaymakci, një turke që jeton në Londër për gjashtë vjet, tha se besonte se tashmë, pas kësaj martese, "çdo gjë është e mundur".

"Askush nuk besonte se njerëzit me ngjyrë do të bëheshin një ditë presidentë, derisa Barak Obama u zgjodh president i ShBA-së. Tani kemi një princeshë me rrënjë afrikane në fronin mbretëror britanik, kështu që unë besoj se çdo gjë është e ndryshueshme", tha ajo.

Ross Antony, një prezantues televiziv britanik, tha se fakti që Meghan-i u bashkua familjes mbretërore duket se e bën publikun britanik të shpresojë më shumë.

"Ne duam ta vendosim familjen mbretërore lart mbi re, por kjo gjë do t'i sjellë ata më afër njerëzve normalë dhe kjo është fantastike, " tha ai.

Sipas "Entertainment Weekly", historia e dashurisë së Harry-t dhe Meghan-it planifikohet të bëhet film. Filmi thuhet se do të tregojë lidhjen e tyre nga takimi i parë deri në zyrtarizimin e historisë së tyre me fejesën që u shpall më nëntor 2017. Filmi do të tregojë ngjarjet më të përfolura të këtij çifti të veçantë: që nga njohja me njëri-tjetrin, lidhja e tyre dashurore, ndërhyrja e mediave në lidhjen e çiftit dhe fantazmat e së kaluarës të Meghan-it, e cila vjen nga një divorc i mëparshëm. Nuk dihet ende se cilët do të jenë aktorët kryesorë të filmit, por do të jetë një prodhim kinematografik i shumëpritur nga të gjithë.

Meghan Markle tregoi shkurtimisht se si e sheh rolin e ri të saj si Dukeshë e Sussex-it në një biografi të publikuar në uebsajtin e Mbretërisë britanike. Aty nuk përmendet roli i saj, prej shtatë vjetësh, si Rachel Zane në dramën televizive amerikane "Suits".

Markle do të përqendrohet në çështjet shoqërore, përmendet në uebsajt. "Jam krenare që jam grua dhe feministe", ka thënë Markle.

Harry i bëri një dhuratë të rrallë martese nuses së tij, një unazë me gur smeraldi bojë qielli, e cila dikur i përkiste nënës së tij të ndjerë, princeshës së Uellsit, Diana.

Mrekulli
Lajmet Kryesore