"Eurovizion" 2018 pushtohet nga artistët shqiptarë, Eugent Bushpepa përfaqëson Shqipërinë

2018-05-18 15:00:01 CRI Komenti juaj Printoni

"Eurovizioni" për këtë vit bëri bashkë këngëtarë të talentuar e shumë të njohur nga vende të ndryshme të Europës. Por kishte diçka vërtet shumë të veçantë që e dalloi këtë Festival nga shumë të tjerë të viteve të kaluara. Është historike për Shqipërinë që në "Eurovizion" 2018 konkurruan tre këngëtarë me origjinë shqiptare. Ata vërtet përfaqësuan vende të ndryshme, por prejardhja e tyre është nga Shqipëria.

Eugent Bushpepa është këngëtari që përfaqësoi Shqipërinë në "Eurovizion" 2018 me këngën "Mall". Veç Bushpepës, në garë ishte edhe shqiptari Ermal Meta, i cili, në një duet me këngëtarin italian Fabrizio Moro, që triumfoi në Festivalin e 68-të të Sanremos me këngën "Non mi avete fatto niente", përfaqësoi Italinë. Një tjetër këngëtare me origjinë shqiptare është Eleni Foureria, e cila konkurroi nën flamurin e Qipros dhe arriti të zinte vendin e dytë të Festivalit Europian të Këngës për këtë vit.

Të tre këta këngëtarë mbërritën në finalen e madhe të Festivalit Europian, ku konkurronin, në një garë të fortë, plot emocione e diversitet, gjithsej 26 finalistë.

Eugent Bushpepa ndezi skenën e Festivalit Europian të Këngës në Lisbonë të Portugalisë me këngën fituese të Festivalit të 56-të të Radiotelevizionit Shqiptar, "Mall", e cila në fakt, sipas komenteve në rrjetet shoqërore dhe "Youtube", ishte një ndër këngët më të dëgjuara në "Eurovizion" 2018.

Eugenti është një artist i mirëfilltë i muzikës rrok dhe me një përvojë të gjatë në skenë. Ai dhuroi një interpretim mbresëlënës në të gjitha fazat e "Eurovizionit", duke reflektuar profesionalizëm, seriozitet, forcë vokale të rrallë dhe karakter artistik të fortë.

Në intervistat e dhëna për gazetarë të ndryshëm që ndoqën nga afër Festivalin Europian në Lisbonë, Eugenti u pa entuziast, i qartë, pozitiv, i përkushtuar dhe miqësor. Mediat shqiptare dhe ato të huaja, si edhe komentet e admiruesve të "Eurovizionit" nga e gjithë Europa dhe jo vetëm, përshëndetën stilin dhe zërin e tij të veçantë. Pra, Eugenti është ai që e duan të gjithë dhe i bëri shqiptarët krenarë.

Eugent Bushpepa ka lindur në vitin 1984 dhe ka kënduar në mënyrë profesionale që nga viti 2006, kur filloi të punojë për "Top Channel". Që nga ajo kohë, Eugenti ka bërë pjesë në skenat e muzikës shqiptare dhe për vite të tëra ka kënduar me bandën e tij muzikore nëpër lokalet më të njohura të Tiranës.

Prestigjiozja "The Sun" i dedikoi një shkrim këngëtarit shqiptar, që pas fitores në Tiranë do të përfaqësonte Shqipërinë në "Eurovizion" 2018, duke e cilësuar atë si vokalin më të bukur mashkullor. "The Sun" shkruan se Shqipëria i ka vendosur shpresat për fitore tek Eugenti, i cili konkurron me këngën "Mall" të shkruar nga vetë ai.

Eugenti është shumë i njohur nga publiku shqiptar, pasi ai ka kënduar për një kohë të gjatë në emisionin televiziv "Top Show" dhe gjithashtu ka fituar disa çmime në "Top Fest", konkurs muzikor i organizuar nga televizioni "Top Channel" në Shqipëri. Në "Top Fest" ai u vlerësua si këngëtari më i mirë në vitet 2008 dhe 2011. Ai fitoi gjithashtu çmimin "Vodafone Club" në vitin 2009 dhe Çmimin e Nderit në 2015-n.

Bushpepa ka qenë pjesë e tureve të disa bandave muzikore rroku me famë botërore, si "Deep Purple" në vitin 2007, të kitaristit dhe kantautorit Duff Mckagan ("Guns N 'Roses") në 2011-n dhe turneut të "Overkill" në vitin 2014.

Eugent Bushpepa u ngjit në skenën e "Eurovizionit" i shoqëruar nga instrumentistët Denis Hima, Gerti Hima, Besnik Nikolli dhe vokalistet Erinda Agolli e Greta Radovani, të cilët dhuruan për publikun një performancë të shkëlqyer.

Kënga " Mall" u prit me duartrokitje të gjata e me shumë entuziazëm nga publiku i pranishëm në të gjitha mbrëmjet e "Eurovizionit", si gjatë provave e gjysmëfinales, ashtu edhe finales së madhe. Në rrjetet shoqërore, shqiptarët kudo që ndodhen, tregojnë se kanë votuar për Shqipërinë dhe Eugent Bushpepën.

Me "Mall" Eugent Bushpepa ia doli të siguronte një vend në finalen e madhe të "Eurovizionit" më 12 maj në Lisbonë të Portugalisë, ku Shqipëria u rendit e 11-ta. Performancat e Eugentit dhe vokali i tij u fuqishëm, para natës finale, u vlerësuan ndër më të preferuarat për publikun e gjerë, mirëpo pavarësisht kësaj, Shqipëria nuk arriti të merrte një nga çmimet e para.

Ermal Meta, përfaqësuesi i Italisë, reagoi në "Twitter" mbi faktin se Italia nuk e vlerësoi Shqipërinë me asnjë pikë. "Sinqerisht nuk i kuptoj 12 pikët e jurisë italiane. Unë do t'ia kisha dhënë Shqipërisë. Zëri i Eugentit është mbresëlënës", shkruan Ermali.

Megjithatë, vetë Eugenti ka falënderuar të gjithë ata që e kanë përkrahur përmes një statusi në faqen e tij në rrjetin shoqëror "Facebook".

"Nuk gjej fjalë që të përshkruaj ndjesinë që kam, për dashurinë, përkrahjen dhe komentet e ngrohta që më keni dhënë! Shumë faleminderit Shqipëri! Shumë faleminderit Europë", është shprehur ai.

Mrekulli
Lajmet Kryesore