Stilistët e rinj kinezë garantojnë një të ardhme të ndritshme për modën kineze CHRISTOPHER BU nga Bu Kewen

2018-05-07 15:01:25 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitet e fundit, stilistët kinezë kanë filluar të bëhen gjithnjë e më të njohur, duke shkëlqyer në shfaqjet ndërkombëtare të modës në Kinë e në mbarë botën. Nga pasarelat e modës e deri te tapetët e kuq, veshjet e skicuara nga ata, janë zgjedhur të vishen nga figura të njohura të artit e modës.

Talentet e reja në fushën e modës e krijimtarisë së saj premtojnë shumë për një të ardhme të ndritshme të modës kineze në vend e më gjerë, duke garantuar profesionalizëm, cilësi dhe vlerësim të lartë.

Bu Kewen, i njohur edhe si Christopher Bu, është stilisti i firmës me të njëjtin emër, "Christopher Bu". Ai e filloi karrierën e tij si një stilist që krijonte veçanërisht për shumë aktore kineze, përfshirë Zhang Ziyi, Sun Li, Zhao Wei dhe Zhang Jingchu. Nëse sheh modelet e tij, e kupton menjëherë se sa i ndikuar është ai nga motivet kineze dhe detaje nga veshje tradicionale kineze, si për shembull lejlekë, dragonj e lule, të cilat shfaqen shpesh në punët e tij.

Christopher Bu ka veshur personazhe të njohur të fushës së kinematografisë, muzikës e modës në Kinë e botë, si këngëtarja kineze Li Yuchun, modelja Gigi Hadid, aktoret Emma Roberts, Dita Von Teese etj.

Aktorja kineze Fan Bingbing është zgjedhur për të përfaqësuar stilin e Azisë në librin më të fundit të modës, "Një Udhëtim në Stil". Në këtë libër janë përfshirë figurat më të njohura të modës në botë, si Marilyn Monroe dhe Marlene Dietrich, aktorja elegante Audrey Hepburn, ish-zonja e parë amerikane Jackie Kennedy, muzikantët legjendarë Mick Jagger dhe "The Beatles", supermodelet Twiggy dhe Kate Moss etj.

Fan, e njohur për qëndrimin e saj të përparuar dhe të hapur ndaj modës, është ylli i vetëm nga Kina që është përzgjedhur si një nga ikonat më të rëndësishme të modës e stilit në botë, sepse ndikimi i saj në to ka qenë vërtet i madh. Përveç faktit se ajo ka qenë gjithmonë përzgjedhësja e veshjeve dhe e stilit të saj, Fan ka luajtur një rol të rëndësishëm në prezantimin dhe promovimin e stilit dhe modës kineze, së bashku me një ndër stilistët më të famshëm të ditëve të sotme, Christopher Bu. Ata janë jo vetëm ambasadorë të modës kineze në botë, por edhe bashkëpunues e miq të mirë që sjellin gjithmonë gjëra interesante për publikun e gjerë.

Aktorja spanjolle Paz Vega, e veshur me një fustan të gjatë të bardhë me lule të kuqe kumbulle, të stilit tradicional kinez dhe të stiluar nga Christopher Bu, ishte një ndër yjet e mbrëmjes së ndarjes së çmimeve "Oscar" 2018 në Los Anxheles. Ylli spanjoll u cilësua nga mediat perëndimore si një ndër pjesëmarrëset e veshura më bukur në tapetin e kuq të ngjarjes më të rëndësishme të industrisë kinematografike në botë.

Kjo shënoi edhe herën e parë që një veshje e stilit kinez, e prodhuar nga një stilist kinez, ishte pjesë e tapetit të kuq të "Oscars" 2018.

Fustani i mbrëmjes që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, i quajtur "Lulet e Kumbullës Dimërore ", është nga linja e veshjeve "Qyteti i Ndaluar" i Christopher Bu-së. Disa nga veshjet më të hershme të kësaj linje janë veshur nga aktorja kineze Fan Bingbing në Kanë dhe në Galanë e "Met Ball" në vitin 2015, ku një prej të cilave u zgjodh nga mediat amerikane si një ndër veshjet më të mira të mbrëmjes.

Bu nuk është i vetmi stilist i njohur kinez, por kontakti i tij i rregullt me ​​elitën e "Hollivudit" e ka ndihmuar atë të bëhet gjithnjë dhe më i famshëm. Kate Perry, e cila vizitoi atelienë e Christopher Bu-së në vitin 2014, është një ndër yjet e "Hollivudit" që u magjeps prej modeleve e stilit të tij.

"Unë kam një linjë të quajtur "'Chris' nga 'Christopher Bu'", për të cilën kontaktohem shpesh nga kompanitë, agjencitë dhe producentët e 'Hollivudit'," tha Bu për platformën mediatike online "Global Times". "Para mbrëmjes së 'Oscar' 2018, ekipi i aktores Paz Vega na kontaktoi dhe na pyeti nëse kishim ndonjë fustan për një rast shumë të rëndësishëm. Ne komunikuam me njëri-tjetrin kryesisht përmes postës elektronike", u shpreh ai.

Krahasuar me shumë stilistë të modës që kanë studiuar për këtë fushë, Bu mund të konsiderohet si një "i huaj" në fushën e modës, pasi ai ka studiuar për fotografi pranë Akademisë së Filmit në Pekin.

"Kur unë mendoja të zgjidhja veshje e fustane për disa ceremoni të rëndësishme me tapet të kuq, ndonjëherë më dukej sikur nuk do të gjeja dot veshjen më të mirë për një ceremoni të këtij niveli dhe thjesht imagjinoja në mendjen time të realizoja një veshje ideale", thotë Bu, duke shtuar se ndërsa ai bënte plane e kishte shumë ide për modele specifike, aktorja e famshme kineze Fan Bingbing ishte një ndër personat që më në fund e inkurajoi atë të bënte ëndrrat e tij realitet.

Në vitin 2012, katër vjet pasi ai krijoi etiketën e tij për veshjet që stilonte, Bu hapi një dyqan në platformën e tregtisë në internet "Tmall". Duke pranuar se ai ka pikëpamje të ndryshme për sa u përket marrëdhënieve me klientët, Bu shpjegon se, ndërsa ka shumë marka dhe etiketa që kërkojnë të eksplorojnë shijen e të rinjve, shumë prej tyre janë të kufizuara në përpjekjet e tyre për të sjellë stilime e modele të reja në treg.

"Ne po bëjmë pak a shumë të njëjtën gjë, por përveç planeve tona, po eksplorojmë gjithashtu edhe kanale që u shërbejnë konsumatorëve më të rinj", shprehet Bu.

"Ne kemi shumë dyqane nëpër qendrat tregtare në vend, por mendojmë se dyqanet në internet janë një rrugë e shkurtër dhe e mirë për të rinjtë e ata që përfaqësojnë stilin e ri të jetesës, të cilët duan të blejnë produkte në internet", thotë stilisti i ri, duke shtuar se tashmë marka e tij shitet edhe në platformën shoqërore "WeChat", e cila përdoret shumë nga të rinjtë.

Ndërsa etiketa "Made in China" ka kohë që është pjesë e industrisë së modës në Kinë, vitet e fundit një numër në rritje stiluesish kinezë, kanë krijuar markat e tyre, të cilat po fitojnë gjithmonë e më shumë vëmendje e vlerësime në mbarë botën.

Stilistët kinezë po bëjnë gjithçka për të përmirësuar imazhin e etiketës "Made in China", duke e bërë atë jo vetëm të njohur e me cilësi më të mirë produktesh, por edhe shumë të kërkuar nga yjet e modës, televizionit, kinematografisë e më gjerë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore