Elvana Gjata, ylli shqiptar që po arrin majat e suksesit në botë

2018-04-30 09:09:30 CRI Komenti juaj Printoni

Elvana Gjata i kishte munguar skenës shqiptare prej thuajse tre vjetësh. Tani ajo po kërkon të hyjë në tregun amerikan e atë europian, duke punuar për të kapur majat e skenave muzikore në botë.

Ajo është tashmë në rrugën e mbarë e të gjatë të suksesit botëror që shumë artistë e ëndërrojnë, por jo të gjithë kanë fatin ta arrijnë. Elvana e ka nisur karrierën ndërkombëtare me hitin 'Forever is over', në një bashkëpunim me Poo Bear, si dhe bashkëpunime të tjera me David Guetta-n etj.

Projekti i saj më i fundit është pjesëmarrja në një album me emra shumë të njohur të muzikës ndërkombëtare, si Jennifer Lopez, Justin Bieber dhe Ty Dolla Sign, dhe për këtë meritat i ka jo vetëm talenti dhe përkushtimi i Elvanës ndaj ëndrrës së saj më të madhe, por edhe Poo Bear, menaxheri i saj e i shumë yjeve të tjerë të industrisë muzikore ndërkombëtare, i cili i ka bërë bashkë në një album këta këngëtarë.

Rruga drejt ngjarjeve muzikore më të rëndësishme, si "Grammy Awards", "Emmy Awards", "MTV Awards" etj. për Elvanën duket se nuk është shumë e largët. Ajo u rikthye në Shqipëri pas tre vjetësh qëndrim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe po punonte me njerëz të njohur të industrisë muzikore atje. Një vajzë diskrete dhe serioze, e përkushtuar në profesionin e saj, Elvana kërkon gjithmonë cilësinë e jo sasinë, për këtë arsye intervistat, daljet publike, jeta personale apo postimet në rrjetet shoqërore të saj janë jo shumë të shpeshta. Ajo është aktive në "Instagram", ku edhe njofton publikun mbi projektet e saj të mundshme.

Intervista e fundit televizive e këngëtares ka qenë rreth tre vjetë më parë në emisionin "Top Show" në "Top Channel", ndërsa kësaj here, ajo u prit me padurim nga publiku që të shfaqej në një intervistë të gjatë e të rëndësishme, në "Xing me Ermalin". Elvana, para intervistës në televizion, së bashku me Ermalin, dha gjithashtu një varg paralajmërimesh, intervistash të shkurtra, reklamash plot humor e të veçanta, ku foli për karrierën, jetën private, ndarjen nga "Threedots", shtëpia diskografike ku u zhvillua në karrierë për rreth dhjetë vjet të rëndësishëm të formimit të saj artistik, e shumë çështje të tjera.

Këngëtarja ka deklaruar se për sa i përket bashkëpunimit me "Threedots", rrugët e tyre janë ndarë, sepse "kanë ndodhur shumë gjëra", por do të jetë gjithmonë mirënjohëse ndaj atyre që punuan me të e sollën hite shumë të pëlqyera për publikun shqiptar.

Ndër këngëtaret më të njohura në Shqipëri e më të dashura për publikun shqiptar kudo që ndodhet, Elvana Gjata i suprizoi të gjithë me koncertin e saj të parë recital.

Recitali i paralajmëruar nga këngëtarja, si një rikthim i fuqishëm në skenën shqiptare pas një mungese të gjatë, u prit me shumë dëshirë. Data që Elvana zgjodhi për këtë recital ishte pikërisht datëlindja e saj, 3 shkurti. Si një dhuratë për veten dhe për miqtë e saj të shtrenjtë, ajo zgjodhi të këndojë për herë të parë gjashtë këngët e reja të repertorit të saj, këngë që kanë arritur miliona klikime vetëm në tre muaj që nga dita e parë e paraqitjes së tyre.

Këngët janë kompozuar dhe shkruar nga kantautori shqiptar Pirro Çako, me orkestrim të muzikantit të njohur maqedonas Darko Dimitrov. Megjithatë, Elvana ka qenë edhe vetë pjesë e krijimit të melodive dhe teksteve të këngëve të saj. "Gjërat kanë ndryshuar", "Më fal", "Xheloz", "Veç një pikë" dhe "Festojmë" janë këngë të këtij koncerti, të cilat qenë një sukses i vërtetë.

Suksesi i saj tashmë po shkon drejt majave. Gjatë këtij koncerti, Elvana dha lajmin se së shpejti ajo do të jetë pjesë e një albumi ndërkombëtar për të cilin është ende duke punuar.

Në recital morën pjesë më shumë se 100 të ftuar, mes të cilëve ishin jo vetëm artistë, por edhe personazhe të fushave të tjera, si Linda Rama, Lorik Cana, Monika Kryemadhi, Timo Flloko, Ilva Tare, Alba Frangaj, Shkëlzen Berisha dhe Armina Mevlani, Majlinda Bregu, familja Kokëdhima etj.

"Jam shumë e lumtur që po i ndaj këto këngë për herë të parë me ju, njerëzit më të dashur të jetës sime", u shpreh e emocionuar Elvan

a. Nuk kanë munguar gjithashtu edhe urime zemre nga miqtë më të mirë të saj, si para, ashtu edhe pas koncertit.

Elvana Gjata ishte e ftuar në skenën e "The Voice Kids Albania" për të interpretuar hitet e saj, më 20 prill, në natën finale të këtij spektakli madhështor. Elvana e nisi performancën e saj me një këngë të ndier kushtuar Shqipërisë, duke vijuar më pas me këngët e saj më të fundit.

"Kur kam qenë tek 'Ethet' kisha shumë emocione nga të rriturit, sot kam emocione nga fëmijët. Dua të jem një shembull i mirë për ta", u shpreh Elvana pas performancës në "The Voice Kids Albania".

Mrekulli
Lajmet Kryesore