Festivali i 8-të Ndërkombëtar i Filmit i Pekinit

2018-04-25 15:56:13 CRI Komenti juaj Printoni

Festivali i 8-të Ndërkombëtar i Filmit i Pekinit, i cili mbyllet sot, u hap një javë më parë, mbrëmjen e 15 prillit, me një ceremoni mbresëlënëse ku morën pjesë aktorë e regjisorë shumë të njohur nga pjesa kontinentale e Kinës, Hong-Kongu, ShBA-ja etj.

Që nga themelimi i këtij Festivali në vitin 2010, vit pas viti, kjo ngjarje është kthyer ndër më të mirëpriturat në Kinë dhe ndiqet me kuriozitet të madh nga ekspertë të industrisë së filmit në vend e më gjerë.

Festivali organizohet nga Bashkia e Pekinit dhe Administrata Shtetërore e Radios dhe Televizionit e Kinës. Drejtori i përgjithshëm i Televizionit Qendror të Kinës (CCTV), Shen Haixiong, shpalli hapjen e festivalit.

Ky festival është i një rëndësie të madhe, pasi në një kohë kur industria e filmit e Kinës po zhvillohet me ritme të shpejta, një ngjarje e tillë rrit konkretisht mundësitë e bashkëpunimit midis industrisë vendase të filmit dhe industrisë botërore, shkëmbime të cilat janë gjithnjë e më të dukshme në filmat e shfaqur kohët e fundit në kinematë kineze dhe ato të huaja.

"Filmi është një gjuhë botërore. Festivali i këtij viti pret 15 mijë mysafirë të ardhur nga mbi 50 vende e rajone të botës. Jam i bindur se ky takim do të nxitë zhvillimin të artit të filmit botëror," tha Du Feijin, nënkryetari i komisionit organizator të Festivalit.

Ceremonia e hapjes së Festivalit u mbajt në Qendrën e Ekspozitave Ndërkombëtare në periferinë Yanqihu të Pekinit. Gjatë ceremonisë së hapjes doli në skenë juria e festivalit, me kryetar Wang Jiawei-n, e cila përbëhej gjithashtu nga gjashtë anëtarë të tjerë. Në këtë ceremoni po ashtu u ngjitën bashkë në skenë edhe aktorët e disa prej filmave të njohur kinezë, si "Walf Worrier 2", "Operacioni 'Deti i kuq'" etj., duke përfshirë Wu Jing, Lin Chaoxian dhe Chen Sicheng, të cilët kujtuan rrugën e tyre artistike.

Juria ndërkombëtare e çmimeve "Tiantan" e Festivalit e 8-të Ndërkombëtar të Filmit në Pekin, u mblodh në një konferencë për shtyp më 13 prill. Në këtë konferencë morën pjesë yje të industrisë së kinematografisë në vend e në botë, si aktorja Shu Qi, aktori Duan Yihong, regjisori Wong Karwai, si dhe kompozitori i mirënjohur hollivudian Jan A.P. Kaczmarek, i cili ndër të tjera kolona zanore shumë të dëgjuara, ka kompozuar edhe kolonën zanore të titulluar "Goodbye" të filmit që preku zemrat e miliona shikuesve, "Hachi", me aktor kryesor Rechard Geere.

Në ceremoninë e hapjes së Festivalit të 8-të Ndërkombëtar të Filmit në Pekin interpretuan artistë me emër, si Zhao Lixin, Dicky Cheung, të cilët ishin ndër prezantuesit e kësaj ngjarjeje të madhe të industrisë së filmit, si edhe këngëtarët Wang Lihong, Mo Wenwei etj.

Në Festivalin e 8-të Ndërkombëtar të Filmit në Pekin u planifikuan të shfaqeshin 36 filma me efekte speciale nga 10 vende të ndryshme të botës, përfshirë Kinën, Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Kanadanë. 19 prej këtyre filmave janë duke u shfaqur në ekranet e Kinës për herë të parë, duke përfshirë filmin "Oceans" të prodhuar nga Korporata Britanike e Transmetimeve (BBC), i cili u shfaq të dielën e kaluar në ekranin e madh të teatrit të Muzeut të Shkencës dhe Teknologjisë të Kinës në Pekin.

Kjo është edhe shfaqja e tetë e një filmi me efekte speciale pranë këtij Muzeu, e cila përkon me seksionin shkencor e teknologjik të Festivalit të 8-të Ndërkombëtar të Filmit në Pekin.

Ndërsa ky Festival filloi zyrtarisht më 15 prill e mbyllet sot, seksioni panoramik u hap më 6 prill. Kjo javë e rëndësishme e Festivalit të 8-të Ndërkombëtar të Filmit në Pekin, përfshiu konkursin për çmimin "Tiantan", për të cilin garuan 15 filma të shkëlqyeshëm kinezë e të huaj, si edhe një sërë aktivitetesh të tjera si zhvillimin e ekspozitave të filmave, zhvillimin e forumeve, etj. Sipas të dhënave zyrtare mbi organizimin e Festivalit, mbi 328 filma ishin planifikuar të shfaqeshin në ekranet e kinemave në Pekin, nga data 6 deri në 22 prill.

Çmimet "Tempulli i Qiellit" (Tiantan) tërhoqi pjesëmarrjen në këtë festival të 659 filmave nga 71 vende të botës. Nëpërmjet vlerësimeve të 5 raundeve, 15 filma u nominuan për çmimet "Tempulli i Qiellit", 13 filma të huaj dhe dy vendas. Në ceremoninë e mbylljes së Festivalit, u publikuan 10 vlerësimet e çmimeve "Tempulli i Qiellit".

Filmi "Scary Mother", prodhim i përbashkët i kinematografisë gjeorgjiane dhe estoneze, fitoi çmimin "Filmi më i mirë", ndërsa filmi kinez "Operacioni 'Deti i kuq'" fitoi çmimin për "Efektin më të mirë pamor".

Regjisorët e huaj Fedor Bondarchuk, Renny Harlin dhe Rob Minkoff morën pjesë në një Forum Bashkëpunimi që synon diskutime të rëndësishme për partneritetin midis Kinës dhe vendeve të huaja në fushën e kinematografisë, që u mbajt në kuadër të Festivalit të 8-të Ndërkombëtar të Filmit në Pekin.

Natyrisht, tema e përshtatjes së filmave në tregun kinez ishte një temë kryesore diskutimi në këtë Forum.

Aktualisht, tregu i dytë më i madh në botë i filmit, Kina, është bërë një treg tërheqës ku prodhuesit e huaj të filmave po përpiqen të hyjnë gjithnjë e më shumë. Megjithatë, përfshirja e "elementeve kineze" në filma të huaj ose bashkëprodhime me Kinën, duket se nuk ka funksionuar ashtu siç kanë shpresuar studiot kinematografike.

Prandaj, a ka një formulë që do të sigurojë sukses kur bëhet fjalë për të fituar tregun kinez dhe tregjet gjetkë? Me siguri që jo!

"Ne gjithmonë presim e shpresojmë që të kemi sukses të vazhdueshëm dhe të fitojmë para për filmat që prodhojmë, por nuk kemi një formulë tipike për këtë," tha në forum Steven O'Dell, president i Shpërndarjes Ndërkombëtare për "Sony Pictures".

Por cilat janë elementët kryesorë që duhet të ketë një film në mënyrë që të jetë i suksesshëm globalisht?

"Një histori e mirë", ishte përgjigja që pesë nga gjashtë folësit dhanë në forum.

Siç tha regjisori i famshëm kinez, Wong Karwai, në ceremoninë e hapjes së Festivalit të 8-të Ndërkombëtar të Filmit në Pekin, "prodhimi i filmave ka të bëjë me historitë njerëzore, sido që ne t'i tregojmë ato". E megjithatë, shfaqja e këtyre historive, për publikun e gjërë, është në fakt një sfidë më vete.

Mrekulli
Lajmet Kryesore