"Amazing China", dokumentari që pushtoi kinematë kineze

2018-04-05 10:05:51 CRI Komenti juaj Printoni

Dokumentari "Amazing China" (Kina e mrekullueshme) është një bashkëprodhim i Korporatës Kineze të Filmit (CFGC) dhe Televizionit Qendror të Kinës (CCTV). Dokumentari vë në dukje arritjet e Kinës gjatë pesë vjetëve të fundit, duke u bërë dokumentari më i ndjekur në vend, i cili ka nxjerrë fitime të mëdha që nga premiera e tij në Pekin, si edhe shfaqja në kinematë e mbarë vendit. Ky dokumentar me profil patriotik, ka fituar zemrat e shumë shikuesve në mbarë vendin.

"Amazing China" i ofron publikut të gjerë zhvillimet kryesore që Kina ka bërë që nga Kongresi Kombëtar i 18-të i Partisë Komuniste të Kinës, në vitin 2012. Arritjet më të mëdha të Kinës, të cilat pasqyrohen në këtë film dokumentar i cili zgjat 90 minuta, janë: ndërtimi i radioteleskopit më të madh në botë, "FAST", në provincën e Guizhou-t në jugperëndim të Kinës, ndërtimi i platformës së kërkimit të naftës në det "Balena Blu II", hulumtimet mbi trenin e shpejtësisë së lartë "Maglev" dhe gjithashtu zhvillimi i teknologjisë së re mobile 5G.

Premiera e filmit në Pekin u mbajt më 27 shkurt, ndërsa debutimi i tij në gjithë vendin u bë më 2 mars. Të premten e javës pasuese, që nga dita e parë e shfaqjes në kinema, dokumentari arriti që nga shitjet e biletave të kapë shumën prej mbi 300 milionë juan (47 milionë dollarë amerikanë). Këto të dhëna u bënë publike në "Maoyan", uebsajtin më të rëndësishëm dhe më të lexuar për lajmet e përditësimet e ngjarjeve nga më të ndryshmet të lidhura me industrinë e filmit, njëkohësisht platformë për shitjen e biletave në internet.

Sipas "Maoyan"-it, sportelet e biletave parashikuan që, nga shitja e tyre, fitimet të kalonin shumën prej 376 milionë juanë. Në "Maoyan", shikuesit e vlerësuan dokumentarin "Amazing China" me 9.6 pikë.

Në premierën e dokumentarit në Pekin, morën pjesë rreth 38 yje të kinematografisë kineze, si dhe persona shumë të rëndësishëm të fushës, përfshirë Wu Jing-un, drejtorin dhe aktorin kryesor të filmit "Wolf Warriors 2". Wu u kërkoi të ftuarve në premierë që të mbështesnin sa më shumë këtë dokumentar nëpërmjet reklamimit të tij ditën e premte në faqet zyrtare të tyre në "Sina Weibo".

Dokumentari më i ndjekur në Kinë, u përshtat nga një përzgjedhje e një serie dokumentarësh të CCTV-së. Gjysma e parë e filmit përmban pamjet e projekteve të disa nga arritjeve më të mëdha të Kinës, duke përfshirë ndërtimin e radioteleskopit "FAST", ndërtimin e "Balenës Blu II", hulumtimet mbi ndërtimin e "Maglev"-it, si edhe zhvillimin e rrjetit 5G.

Gjysma e dytë e "Amazing China" tregon histori të ndryshme se si zhvillimi i jashtëzakonshëm i Kinës dhe arritjet pozitive në fusha të ndryshme të jetës, transformuan jetët e njerëzve të zakonshëm. Ky dokumentar pasqyron në mënyrë krejt të natyrshme historitë personale të njerëzve, gjë që reflekton progresin që Kina ka bërë në uljen e varfërisë, zhvillimin e sistemit shëndetësor dhe ruajtjen ekologjike, si edhe punën e bërë në drejtim të sigurisë kombëtare.

"Amazing China" u bë edhe filmi më i cituar nga zyrtarët e lartë kinezë gjatë "dy sesioneve" politike vjetore që u mbajtën në Pekin në muajin mars, në sesionin e parë të legjislaturës së 13-të të Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez (KKPPK-së), si dhe sesionin e parë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës.

Ministri i Shkencës dhe Teknologjisë, Wan Gang, tha se ndihej thellësisht i prekur nga dokumentari "Amazing China" pasi sipas tij, novacioni në shkencë dhe teknologji ka luajtur një rol thelbësor në mbështetje të ndërtimit të infrastrukturës, si urat, rrugët dhe portet, si edhe zhvillimin e internetit, pikërisht ashtu si thuhet edhe në dokumentar.

Në një konferencë shtypi , ministri Wan tha se Kina do të rriste potencialet e saj në shkencë dhe teknologji në vitet e ardhshme, për të krijuar edhe më shumë mundësi zhvillimi jo vetëm për veten, por edhe për botën.

Xiao Yaqing, kreu i Komisionit të Mbikëqyrjes dhe Administrimit të Pasurive Shtetërore, ishte një tjetër zyrtar i lartë i cili gjithashtu përmëndi dokumentarin duke përshëndetur arritjet e ndërtimit të projekteve të mëdha të Kinës dhe suksesin e padiskutueshëm të tyre.

"Vitin e kaluar, Kina ka bërë përparime në zhvillimin e infrastrukturës. Nuk e di nëse ju e keni parë filmin 'Amazing China', por urat, rrugët dhe portet, subjekte në dokumentar, janë ndërtuar nga ndërmarrje shtetërore kineze," tha Xiao në një konference për shtyp.

Në të njëjtën kohë, Xiao Yaqing, tha se pala kineze po nxit investimet e huaja për të marrë pjesë në reformën e pronësisë së përzier të ndërmarrjeve shtetërore (NSH) të Kinës, e cila diversifikon strukturën e pronësisë së NSH-ve dhe konsiderohet një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të tyre.

Një tjetër zyrtar, He Lifeng, kreu i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës, u tha gazetarëve se ai donte të përdorte emrin e dokumentarit për të përshkruar arritjet e Kinës në raport me reformat ekonomike në vend.

Që kur nisi të shfaqej në të gjithë vendin, "Amazing China" është filmi dokumentar më i ndjekur në Kinë. Në 8 mars, sipas shitjeve të biletave, ai u bë dokumentari numër 1 në vend, për nga shikueshmëria, fitimet e sjella dhe vlerësimet pozitive të bëra ndaj prodhimit, cilësisë, por mbi të gjitha mesazhit të përcjellë tek njerëzit. (Haris Vongli)

Mrekulli
Lajmet Kryesore