Mina, legjenda e muzikës italiane, surprizon me albumin "Maeba"

2018-03-30 15:17:32 CRI Komenti juaj Printoni

Mina, këngëtarja e madhe italiane e viteve '60, më e dashura për italianët, legjenda që ka thyer një numër rekordesh, por edhe shumë tabu, idhulli i periudhës së artë të muzikës italine, ka nxjerrë albumin e saj të ri pak ditë më parë, më 23 mars.

Albumi titullohet "Maeba", i cili në përmbajtje të tij, do të paraprihet nga kënga "Volevo scriverti da tanto", e cila u transmetua për herë të parë më 9 mars. Bëhet fjalë për një këngë me tekst të Maria Francesca Polli-t, me muzikë nga Moreno Ferrara dhe orkestrim nga mjeshtri më në zë i momentit i studiove muzikore në Itali, Massimiliano Pani, djali i Minës. Marrëdhënia e tyre, si nënë e bir, por edhe si dy profesionistë të cilët bashkëpunojnë prej kohësh tashmë, është jashtëzakonisht e fortë dhe e veçantë, duke sjellë hit-e që fatmirësisht do të mbeten trashëgimi e përjetshme për industrinë e muzikës, siç është edhe "Volevo scriverti da tanto".

Një "aliene" që vjen nga një galaktikë e çuditshme dhe zbret në Tokë me koleksionin e saj të gjallë, të guximshëm, të ndjeshëm, zbavitës e frymëzues të këngëve. Kjo është mënyra se si Mina shfaqet në albumin e saj të ri.

Albumi përmban 12 këngë dhe është një surprizë për adhuruesit e këngëtares italiane:

Volevo scriverti da tanto

Il mio amore disperato

Ti meriti l'inferno

Il tuo arredamento

Argini

Last Christmas

A minestrina

Heartbreak Hotel

Al di là del fiume

Troppe note

Ci vuole un po' di R'n'R

Un soffio

"Maeba" vjen pas suksesit të madh me Adriano Celentano-n, albumit me titull "Le migliori", i cili doli në treg dy vjet më parë, në vitin 2016, duke ofruar plot 12 këngë. Kënga "Amami, amami" pushtoi klasifikimet e "Hit Parade"-ve në Itali e në Shqipëri gjithashtu, ku të dy këta këngëtarë të pazëvendësueshëm, zënë një vend shumë të rëndësishëm në zemrat e admiruesve të tyre.

"Amami Amami" bëri bashkë zërat e Adriano Celentano-s dhe Minës, nën kompozimin e izraelitit Idan Raichel dhe tekstit të tij në bashkëpunim me Riccardo Sinigallia. Videoklipi i realizuar nga Gaetano Morbioli në Los Angeles, të mban mbërthyer nën ritmin e fizarmonikës duke pritur, gjatë gjithë këngës, që dy artistët të shfaqen nga momenti në moment. Në përputhje me tekstin e këngës, temën e dashurisë, klipi tregon njerëz të etnive të ndryshme, ndërsa vetë Celentano e Mina shfaqen vetëm për pak sekonda në telefonin e një vajze. Pas këngës doli edhe albumi i tyre më i ri, "Le migliori".

Kishin kaluar 18 vjet që nga suksesi i albumit të tyre të parë e ka të ngjarë që admiruesit e dy këngëtarëve, sidomos të bashkëpunimeve të tyre, që tashmë janë kthyer në himne të muzikës italiane, mbase nuk prisnin sërish projekte të reja muzikore mes Celentano-s e Minës. Pavarësisht viteve e eksperiencës së tyre, Adriano dhe Mina befasuan të gjithë. Edhe se të dy ikonat italiane janë shumë afër të 80-ave, ata sikur nuk njohin moshë e duket se koha nuk ka kaluar thuajse fare për ta.

Mina është interpretuesja e cila, prej vitit 1957 e deri në ditët e sotme, ka kryesuar në listën e disqeve më të shitura. Në këtë listë janë edhe emra të tjerë të mëdhenj të muzikës si Celentano, Gianni Morandi, Ornella Vanoni, Elvis Presley, Lucio Battisti, Richi e Poveri, etj.

Këngët e albumit "Maeba" janë të "guximshme dhe të çmendura", tha i biri dhe njëherësh producenti i saj Massimiliano Pani. "Mina eksperimenton, vokalisht, por edhe për sa i përket tingujve muzikorë, sepse kështu ajo argëtohet", shprehet ai.

"Nuk ushtrohet dhe as kujdeset për zërin, madje filloi përsëri pirjen e duhanit!", tregon Pani gjatë prezantimit të diskut. "Ajo thjesht ka një instrument të jashtëzakonshëm, ka inteligjencën dhe vizionin për ta përdorur atë dhe ka fatin që nuk e ka konsumuar zërin në miliona koncerte".

"Maeba" është koleksioni i saj i ri i këngëve, i pasur me nënshkrime të reja, me rreziqe stilistike, por gjithashtu me disa siguri të forta.

Përveç debutuesve në fakt nuk mungojnë firma të shkëlqyera në disk, edhe pas vdekjes, si në rastin e Paolo Limiti-t dhe Giorgio Calabrese-s, të cilët kanë shkruar tekstet e "Il mio amore disperato" e të "Al di là del fiume".

Por një këngë e bukur në "Maeba" është edhe ajo e shkruar nga Paolo Conte, që dueton në dialektin napolitan me Minën, "A minestrina": "Një histori dashurie përpara një supe që gatuhet; një mënyrë ku 70-vjeçarët duan të duken 30-vjeçarë është ngacmim i bukur", e përshkruan këngën Pani.

Niset pikërisht nga këtu, nga fuqia e zërit të saj me një ngjyrë karakteristike të thellë, përpjekja më e fundit diskografike e Minës, e cila, në prag të ditëlindjes së 78-të, vazhdon të qendrojë ashtu misterioze, sa e përmbajtur aq edhe rebele, e tërhequr nga skena apo reklamat e mëdha, gjithherë e motivuar nga mënyra e saj e jetesës, pa bërë asgjë të ngjashme me artistët e tjerë. Jo, ajo nuk bën kompromis me asgjë e askënd jashtë vetes e mënyrës së saj të të bërit muzikë dhe art në përgjithësi. Mina ka qenë e do të ngelet gjithmonë "grande". (ATSH/Haris)

Mrekulli