Grace Kelly e Hollivudit dhe Princesha e Monakos

2018-03-18 14:57:21 CRI Komenti juaj Printoni

Grace Kelly, ylli i viteve '50 në kinema, televizion, modë dhe më pas princesha e Monakos, e quajtur ndryshe edhe "Graciebird", ka qenë e do të mbetet gjithmonë frymëzim për bukurinë, talentin dhe karakterin e saj shumë të veçantë.

Në filmin "Swan" (1956), Grace luan rolin e një vajze të re që u fejua me një princ. Ishte roli i saj i parafundit dhe pak kohë pas filmit ajo u fejua me të vërtetë me një princ.

Sipas "Premiere Magazine", ajo u rendit e 12-ta në listën e yjeve më të mëdha të kinematografisë të të gjitha kohërave.

Sheril Led e portretizoi figurën e saj në filmin "The Grace Kelly Story" (1983), ndërsa Oliver Dahan-i në vitin 2014 në filmin "Grace of Monaco". Në këtë të fundit personazhi i saj u interpretua me mjeshtëri nga Nicole Kidman, e cila pasqyroi në mënyre perfekte dilemat profesionale dhe personale të Grace Kelly-it, si artiste, princeshë, bashkëshorte, grua dhe një figurë e rëndësishme gjatë sfidave politike të kohës.

Grace Kelly lindi në Filadelfia të Pensilvanisë më 12 nëntor 1929. Familja e saj katolike, me origjinë irlandeze, gëzonte një status të rëndësishëm në shoqëri. Babai i saj ishte një milioner i ri. Ai ishte fitues i medaljes së artë në vozitje në Lojërat Olimpike. Vëllai i saj Jack ndoqi gjithashtu traditën e të atit, kurse xhaxhai i Grace-it ishte dramaturgu i njohur George Kelly, fituesi i çmimit "Pultizer".

Familja nuk ishte dakord që ajo të bëhej aktore. Por Grace ndoqi ëndrrën e saj, dhe pasi studioi në disa shkolla private, u pranua në Akademinë Amerikane të Arteve Dramatike të Nju-Jorkut në 1947-n. Ajo interpretori për herë të parë në "Broadway" në nëntor 1949, por shfaqja e parë në ekranin e madh u realizua vetëm në 1952-shin, kur ajo ishte 22 vjeç.

Në vitin 1953, Grace mori pjesë në një film përkrah Gary Cooper-it dhe Lloyd Bridge-it, që u pëlqye shumë nga publiku. Në 1953-shin realizoi përkrah Clark Gable-it dhe Ava Gardnerit filmin "Mogambo", i cili i dhuroi asaj një "Oskar" për rolin më të mirë dytësor.

Periudha më e suksesshme e karrierës së saj në Hollywood ishte pikërisht bashkëpunimi me Alfred Hitchcock-un. Hitchcock-u i dha asaj role të paharrueshme, si ato në filmat "Dial M for Murder", "Rear Window" apo "To catch a Thief". Grace Kelly u bë heroina perfekte e filmave të Hitchcock-ut. Në vitin 1955 ajo fitoi çmimin "Oskar" si aktorja më e mirë për rolin në filmin "The Country Girl" të regjisorit George Seaton, rol të cilin e mori rastësisht, pasi aktorja Jennifer Jones dhe e famshmja Greta Garbo e kishin refuazuar atë.

Në vitin 1956 Grace Kelly luajti rolin e saj të fundit, në komedinë muzikore "High Society", ku protagonist ishte gjithashtu dhe Frank Sinatra.

Njohja me Princin Rainier të Monakos ka qenë fare e rastësishme. Ata u takuan për herë të parë gjatë xhirimeve të filmit "To Catch a Thief" dhe më pas përsëri në prill të vitit 1955, teksa Grace kryesonte delegacionin amerikan në Festivalin e Filmit në Kanë. Atëherë ajo u ftua nga Princi Rainieri i Monakos për një album fotografish në pallatin mbretëror. Grace në këtë kohë i dha fund edhe lidhjes romantike me një stilist të quajtur Oleg Kasini.

Mes Princit Rainieri dhe Grace-it filluan korrespondencat e rregullta, derisa pas disa muajsh ata njoftuan zyrtarisht fejesën. Është quajtur nga shtypi i asokohe si "Dasma e Shekullit". Paja e Grace-it kushtoi 2 milion dollarë dhe martesa e tyre u kurorëzua në 19 prill 1956, kur princesha e ekranit u kthye në princeshën e Monakos. Për fustanin e nusërisë së Grace-it u përdorën 25 jard tafta mëndafshi dhe 100 jard tyl mëndafshi. Dantella 125-vjeçare u ble nga një muze dhe në vello u vendosën qindra perla. Fustani i saj ishte më i shtrenjti që Helen Rose, stilistja e kompanisë hollivudiane "MGM", kishte dizenjuar ndonjëherë, që edhe sot mbetet ndër fustanet më madhështore mbretërore.

Mbi 20 mijë njerëz pritën ardhjen e Grace Kelly-it në rrugën që të çonte në pallatin mbretëror. Rreth 600 të ftuar, duke përfshirë edhe figura të njohura të Hollywood-it, ishin të pranishëm në dasmën më të bujshme, ndërsa mbi 30 milionë shikues ndoqën ceremoninë martesore të shfaqur në televizion. Një nga femrat më të fotografuara të të gjitha kohërave, Grace Kelly ishte tepër e dashuruar pas veshjeve dhe mbetet një ndër figurat më të njohura të botës së modës.

Grace dhe Princi Rainieri III patën tre fëmijë: Caroline Louise Marguerite, Princeshë e Hanoverit, si dhe trashëgimtare e fronit mbretëror të Monakos, Albert II, Princi aktual i Monakos, si dhe Princesha Stéphanie Marie Elisabeth. Duke i dhënë fund karrierës të saj artistike, ajo iu dedikua tërësisht familjes dhe fëmijëve. Në vitin 1964 ajo themeloi fondacionin me emrin e saj, i cili kishte si qëllim ndihmën ndaj njerëzve në nevojë.

Thuhet se jeta e Grace si princeshë nuk ishte aspak ajo që dukej nga jashtë dhe martesa e saj nuk mund të quhej e lumtur. Miq të saj nga Filadelfia apo të njohurit nga Hollywood-i, thoshin se ajo ndihej shumë e lumtur kur fliste me ta për jetën e saj në Amerikë. Për një kthim të saj në kinematografi u fol në 1964-ën në një film të Hitchcock-ut, përkrah Shon Konerit, por si përfundim ajo nuk e realizoi kurrë këtë rol, pasi për Monakon diçka e tillë ishte e papranueshme.

Më 14 shtator 1982 teksa, udhëtonte me vajzën e vogël të saj Stéphanie, Princesha Grace bëri një aksident me makinë. Stephanie mori vetëm disa plagë të lehta. Një ditë më vonë, e pandërgjegjshme për gjendjen e saj, Grace u nda nga jeta në spitalin e Monakos në moshën 52-vjeçare. Tre vjet më vonë spitali mori emrin e saj. Përmes valëve televizive, rreth 100 milion njerëz anembanë botës ndoqën funeralin e saj.

Në nder të pasionit të princeshës për lulet, Princi Rainier përuroi në vitin 1984 kopshtin më të madh të trëndafilave në Principatën e Monakos.

Në vitin 1993, ShBA-ja dhe Monako njëherësh nxorën në qarkullim një pullë poste përkujtimore për Grece Kelly-in. Ligji federal amerikan nuk lejonte që në pullat e postës të portretizoheshin figura drejtuese të shteteve të huaja, kështu që në ShBA pulla i referohej asaj si Grece Kelly, ndërsa në Monako si Princesha Grace.

Mrekulli
Lajmet Kryesore