Dua Lipa me 5 nominime dhe 2 çmime në "Brit Awards" 2018

2018-03-02 16:54:10 CRI Komenti juaj Printoni

Dua Lipa, këngëtarja me origjinë shqiptare, ishte pa dyshim ylli i mbrëmjes së "Brit Awards 2018". Kjo ngjarje prestigjoze u mbajt mbrëmjen e së mërkurës në Londër. Në "Brit Awards" ishin të pranishëm emrat më në zë të muzikës britanike, të cilët merrnin pjesë jo vetëm si të ftuar, por u nderuan gjithashtu me çmime të ndryshme, të cilat konsiderohen si vlerësimi më i lartë për arritjet e artistëve britanikë.

Për çdo vit, kjo mbrëmje vë në qendër të vëmendjes të mediave britanike e botërore muzikantët më në zë të momentit. "Brit Awards" është eventi më i rëndësishëm muzikor në Britaninë e Madhe, ndaj janë të shumtë ata që dëshirojnë të arrijnë majat për të qenë pjesë e tij.

Këtë vit dy emra shumë të njohur të muzikës botërore, me origjinë shqiptare, ishin pjesë e natës magjike, Rita Ora e cila performoi krah Liam Payne 'Your Song' dhe Dua Lipa, e cila u nominua në pesë kategori dhe ishte fituese në disa prej tyre. "Brit Awards" u zhvillua në "02 Arena" të Londrës dhe u ndoq me mjaft interes edhe në trojet shqiptare.

"Brit Awards", është gjithmonë një ngjarje shumë e veçantë dhe e mbushur me surpriza e me performanca fantastike të artistëve britanikë, të cilët bëjnë gjithmonë histori në industrinë e muzikës, jo vetëm vendase por edhe asaj botërore. Këtë vit kjo ngjarje ka qenë edhe më e veçantë akoma, sidomos për shqiptarët kudo në botë, për shkak të pjesëmarrjes së dy këngëtareve me famë botërore, por që janë me origjinë shqiptare, Dua Lipa dhe Rita Ora.

Dua, e cila u nominua në disa kategori, fitoi dy prej tyre, atë si "Artistja më e mirë femër" dhe "Artistja me përparimin më të shpejtë në Britani". Performanca e saj në skenë ishte një moment mahnitës, sidomos për familjen e saj, prindërit, motrën dhe vëllain të cilët ndodheshin në sallë, ndërsa këta të fundit u ngjitën në skenë për të ndarë me të atë moment gëzimi dhe arritje të madhe në karrierën e saj. Dua interpretoi hitin "New Rules", duke krijuar një atmosferë mbresëlënëse në "O2 Arena" të Londrës.

Rita Ora nuk u nominua në asnjë kategori, pasi këngët e saj u publikuan pasi u zyrtarizuan kategoritë me emrat përkatës. Rita u bë pjesë e "Brit Awards" përmes përformancës së mrekulleshme që ngriti sallën në këmbë, e gjithashtu rriti edhe më shumë numrin e klikimeve të këngëve të saj, duke e renditur atë në një ndër këngëtaret më të dëgjuara dhe të dashura të momentit, jo vetëm në Britani, por edhe në botë.

Sukseset e Dua Lipës nuk kanë të ndalur, ndërsa nuk duhet harruar se ky është vetëm fillimi për të. 22-vjeçarja ka qenë personazhi kryesor i edicionit të sivjetshëm të "Brit Awards", ku shkëlqeu si në aspektin profesional, ashtu edhe nga pamja. Dua Lipa ishte një nga yjet e para që u shfaq në tapetin e kuq mbrëmjen e ndarjes së çmimeve më të rëndësishme të muzikës britanike. Ajo mahniti me paraqitjen e saj dhe fustanin e gjatë rozë prej tyli, që i ngjante një trëndafili. Dua mbante në dorë një trëndafil të bardhë, në nderim të viktimave të ngacmimeve seksuale në industrinë e filmit dhe muzikës në botë.

Këngëtarja e re, por tashmë me karrierë fantastike muzikore në të pesë kategoritë e nominuara, ballafaqohet me konkurrencë mjaft të rëndësishme. Ajo ka bërë histori duke u bërë femra e parë që ka konkurruar në pesë kategori, duke shkruar historinë për karrierën e saj.

Dua Lipa u nominua në disa kategori të ndryshme. Një ndër to ishte kategoria e albumit britanik të vitit për albumin e saj me titull "Dua Lipa". Kjo kategori u fitua nga Stormzy për albumin "Gang Signs & Prayer". Stormzy gjithashtu fitoi në kategorinë e këngëtarit më të mirë britanik. Dua Lipa, e nominuar si këngëtarja më e mirë britanike, së bashku me Paloma Faith, Kate Tempest, Jessie Ware dhe Laura Marling, rrëmbeu çmimin e kësaj kategorie. Dua Lipa gjithashtu u nominua për "Depërtimin britanik të vitit", kategori që u fitua po nga ajo. Në kategorinë e "Videoklipit më të mirë britanik të vitit", në të cilën u nominua edhe Dua Lipa me këngën "New Rules", fituesi ishte Harry Styles me videoklipin e "Sign Of The Times".

Në kategorinë e këngës më të mirë britanike të vitit ishte pa diskutim Dua Lipa me një ndër këngët më të dëgjuara të 2018-s, "New Rules". Për të njëjtën kategori u nominuan Liam Payne me "Strip That Down" feat. Quavo, Jax Jones feat. Raye me këngën "You Don't Know Me", Clean Bandit me "Symphony" feat. Zara Larsson, J HUS me "Did You See", Calvin Harris me "Feels" feat. Pharrell Williams, Katy Perry dhe Big Sean, Ed Sheeran me "Shape of You", Jonas Blue me "Mama" feat. William Singe, Little Mix me këngën "Touch", si dhe fituesi i kësaj kategorie, Rag'n'Bone Man me "Human".

Gorillaz ishin fituesit e kategorisë së "Grupit më të mirë britanik". "Çmimi i kritikës" u fitua nga Jorja Smith, ndërsa si këngëtarja më e mirë ndërkombëtare e vitit u vlerësua Lorde, e cila garonte me emrat më të dëgjuar femra, si Taylor Swift, Bjork, Pink dhe Alicia Keys. Për sa i përket këngëtarit më të mirë ndërkombëtar të vitit, emrat e nominuar ishin Childish Gambino, Drake, Beck, DJ Khaled dhe fituesi i kësaj kategorie, Kendrick Lamar. "Grupi më i mirë ndërkombëtar" u vlerësua Foo Fighters.

Dua Lipa ishte triumfi i mbrëmjes më të rëndësishme të muzikës britanike "Brit Awards 2018". Ajo rrëmbeu dy çmime, dhe sigurisht që nuk mund të mungonte as fjalimi i saj i fitores. Fjalimi ishte i shkurtër dhe emocionues, por mbi të gjitha me një mesazh të fortë për të gjitha femrat.

"Dua të falenderoj çdo femër që ka qenë në këtë skenë përpara meje, që u ka dhënë vajzave si unë, dhe jo vetëm vajzave në industrinë e muzikës, por çdo vajze në shoqëri, një vend për t'u frymëzuar, për t'u marrë si shembull dhe që na lejoi të ëndërronim. Faleminderit shumë. Kjo është për më shumë femra në këtë skenë, për më shumë fituese femra dhe më shumë femra që mbizotërojnë botën," u shpreh Dua Lipa.

Mrekulli
Lajmet Kryesore