Yjet e muzikës "Pop", Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Rita në "Grammy Awards" 2018

2018-02-24 10:12:14 CRI Komenti juaj Printoni

Nju-Jorku mirëpriti mbrëmjen e 28 janarit Ceremoninë e 60-të të çmimeve "Grammy", ngjarjen më të rëndësishme në industrinë e muzikës në botë. Edicioni i vitit 2018 i ndarjes së çmimeve "Grammy" e ktheu të gjithë vëmendjen botërore në qytetin e Nju-Jorkut.

Gara mes artistëve ishte e ashpër, por këngëtari Bruno Mars triumfoi mbrëmjen e "'Oscar'-it të muzikës" me plot gjashtë çmime nga gjashtë nominime.

Ndër këngëtarët pjesëmarrës më të njohur në botë ishin edhe yjet e popit me origjinë shqiptare Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha.

Te treja këngetaret, pavarësisht se nuk ishin të nominuara për çmimet "Grammy", kanë qenë në qendër të vëmendjes, pasi vitet e fundit ato kanë pushtuar gjithmonë e më shumë ekranet botërore me hitet e tyre.

Viti 2017 ka qenë një vit shumë i suksesshëm për Duan, Ritën dhe Beben, në Europë, Amerikë e më gjerë dhe pa dyshim që Shqipëria shumë shpejt ka përhapur lajmet për sukseset e tyre të njëpasnjëshme. Këngët e yjeve të popit kanë pushtuar radiot, lokalet dhe festat e shqiptarëve kudo që ndodhen.

Këngët e tyre "hit" kanë arritur statuset e "arit" dhe "platinit" dhe kjo nuk është pak, prandaj të treja divat me origjinë shqiptare kanë pushtuar tapetin e kuq mbrëmjen e ndarjes së Çmimeve "Grammy" 2018.

Teksa Bebe u pa të takohej me Ritën në Nju-Jork, Dua mbërriti pak ditë para ceremonisë së "Grammy Awards" në Los Anxheles ku përfundoi regjistrimet e këngëve të reja në studiot më prestigjoze të qytetit. Bebe dhe Rita gjithashtu morën pjesë në festën e studios së madhe muzikore e kinematografike "Warner Bros", ndërkohë që Rita mbajti një koncert në radhën e festave të organizuara para ceremonisë finale të "Grammy"-t. Dua Lipa këndoi në Nju-Jork në një koncert bamirësie të organizuar nga "Mastercard House Sessions".

Të treja këngëtaret, shumë të dashura për publikun shqiptar dhe atë botëror, mbajtën nga një trëndafil të bardhë për të mbështetur nismën "Time's Up", e cila ka në qendër të saj luftën kundër ngacmimeve seksuale, keqtrajtimit dhe abuzimit ndaj femrave në vendin e punës.

Ceremonia e çmimeve "Grammy" u transmetua drejtpërsëdrejti në kanalin amerikan "CBS", ku u panë të mbërrinin edhe yjet e industrisë muzikore botërore, ndër to edhe Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha.

Në 27 janar në Nju-Jork u mbajt gjithashtu ceremonia "Pre- Grammys Party", e cila i paraprin natës së shpalljes së fituesve të çmimeve "Grammy". Shqiptaret me famë botërore, mes shumë yjeve të tjerë, ecën në tapetin e kuq ku u fotografuan dhe vlerësuan për famën dhe pamjen e tyre shndërritëse.

Po kush janë yjet e muzikës botërore me origjinë nga Shqipëria?

Kritikët e muzikës në Britaninë e Madhe, e kanë klasifikuar shqiptaren Dua Lipa, si një prej artisteve më premtuese të momentit. Ajo është shumë e re, e bukur dhe mbi të gjitha e talentuar. Zëri i saj ka pushtuar klasifikimet e hitparade-ve në mbarë botën dhe ajo e thotë me krenari se është shqiptare.

Dua Lipa ka lindur në Londër në vitin 1995. Familja e saj ka emigruar në Angli në fillim të viteve '90. Në moshën 11-vjeçare Dua u transferua në Prishtinë, ku qëndroi deri në moshën 15-vjeçare, kur vendosi të rikthehej në Londër për të ndjekur pasionin e saj për muzikën. Frymëzimi më i madh i këngëtares së re është babai i saj, Dukagjin Lipa, i njohur në Kosovë me bandën e tij të muzikës "rock", ODA.

Dua Lipa punoi për këngën e saj të parë "New Love" me Andrew Wyatt-in dhe Emile Hayne-in, producentë shumë të famshëm. Kënga e dytë "Be the One" është një rrëfim i këngëtares për veten. "Për mua 'Be The One' ka të bëjë me vetëbesimin, këmbënguljen dhe luftën për atë çfarë do. Kjo është ajo çka unë dua të bëj në jetën time dhe mënyra se si dua të prezantohem", ka thënë Dua.

Viti 2016 i dha një tjetër dimension ëndrrës së Dua Lipës. BBC-ja e vendosi këngëtaren e re në listën e artistëve të "Sound of 2016" (Tingulli i 2016-s). Dy vitet e fundit, Dua ka shkëlqyer në botën muzikore dhe fama e saj po ngjit shkallët e suksesit gjithnjë e më lart.

Bebe Rexha ka lindur në Bruklin të Nju-Jork, më 30 gusht të vitit 1989, nga prindër shqiptar nga Dibra e Madhe. Bebe filloi të merrej me muzikë që në moshën 4-vjeçare dhe ndoqi dashurinë e saj për muzikën duke studiuar në shkollën e mesme "Tottenville". Ajo është një kantautore e njohur shqiptare që jeton dhe punon në Shtetet e Bashkuara.

Bebe është bërë e njohur me pjesëmarrjen e saj në këngët hit "Take Me Home" nga Cash Cash dhe "Hey Mama" nga David Guetta. Ajo është gjithashtu vokalistja kryesore e grupit amerikan "Black Cards" dhe ka qenë bashkautore e këngës nr.1 në "Billboard Hot 100" në ShBA, "The Monster" nga Eminem ft. Rihanna.

Bebe Rexha ka shoqëruar nëpër turne këngëtaren e famshme Ellie Goulding, dhe bashkëpunimi i saj më Nicky Minaj, "No Broken Hearts", renditet në krye të listave, si ndër më të pëlqyerat në mbarë botën. Skenës muzikore botërore i është shtuar një tjetër yll shqiptar, suksesi i së cilës është gjithmonë e më shumë në rritje, duke pushtuar kështu diskotekat e gjithë botës.

Rita Ora është një nga këngëtaret më të suksesshme të momentit në industrinë muzikore në botë, gjithashtu aktore dhe dizenjatore, ajo është e njohur kudo e nga kushdo. Sipas "Daily Mail", ajo ia dedikon suksesin e saj katër anëtarëve të familjes së saj, mamasë Vera, babait Besnik, vëllait Don dhe motrës Elena. Rita Sahatçiu (Ora) lindi në 26 nëntor 1990 në Prishtinë. Prindërit e saj u zhvendosen ne Londër pas '90-s, kur ajo ishte fare e vogël. Rita iu përkushtua muzikës menjëherë pasi kuptoi se muzika ishte pasioni dhe ëndrra e saj e madhe në jetë.

Duke folur për "Evening Standard", Rita Ora kujton: "Ne jetonim në 'Earls Court'. Kishim një dhomë për të gjithë ne. Motra më bezdiste pasi përsëriste mësimet me zë, kurse unë doja të flija".

Suksesi i saj i madh u arrit në 2012-n, kur ajo u paraqit në "Fresh Right Now" të DJ Fresh-it, e cila arriti numrin një, ndërsa albumi i saj, në po të njëjtin vit, u bë albumi më i dëgjuar në Britaninë e Madhe. Në vitin 2014, kënga e saj "I will never let you down" u rendit në vendin e katërt dhe më pas Ora u prezantua me këngën "Black Widow" të Iggy Azalea-s, e cila arriti në pesë të parat në Mbretërinë e Bashkuar dhe ShBA. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e jurisë së "X Factor" në Britaninë e Madhe në 2015-n.

Suksesi saj është i pandalshëm dhe e pyetur për këtë fakt, ajo përgjigjet: "Duhet të kesh këshilltarë të mirë. Unë kam njerëz shumë të mirë. Motra dhe familja ime mbikëqyrin të gjithë gjërat. Është si një perandori e vogël e mirë. Po përpiqem të krijoj diçka, që familja ime të jetë mirë".

Një komb i vogël si ai shqiptar ka nxjerrë me të vërtetë talente të mëdha në muzikë si Rita, Dua e Bebe, të cilat janë ndër figurat më në zë të momentit e na bëjnë të krenohemi me to.

Mrekulli
Lajmet Kryesore