Këngëtari shqiptar Ermal Meta rrëmben çmimin e madh të "Sanremos"

2018-02-14 10:50:12 CRI Komenti juaj Printoni

Këngëtari i njohur shqiptar Ermal Meta dhe ai italian Fabrizio Moro me këngën "Non mi avete fatto niente", janë triumfuesit e Festivalit të 68-të të Sanremos.

Ermal Meta shkroi një kapitull të ri në historinë e Sanremo-s, duke u bërë kështu shqiptari i parë që fiton çmimin e madh, në një garë kaq të rëndësishëm të muzikës italiane.

Në Sanremo 2018 në kategorinë "Big" garuan 20 këngëtarë të njohur italianë, ndërsa në kategorinë e këngëtarëve të rinj 8 të tjerë. Sanremo është padyshim një ngjarje që ka mbërthyer para televizorëve, për vite të tëra, njerëz, edhe nga Shqipëria, që e duan muzikën italiane dhe çdo vlerë artistike e kulturore që transmetojnë netët e Sanremos.

Festivali i 68-të i muzikës italiane "Sanremo 2018" u zhvillua prej datës 6 deri në 10 shkurt në teatrin "Ariston" të qytetit italian të luleve, Sanremo. Për pesë ditë me rradhë, ky festival ishte në qendër të vëmendjes jo vetëm në Itali, por edhe në Shqipëri e më gjerë. Festivali i Sanremos u prezantua nga një emër shumë i madh i muzikës dhe skenave italiane, këngëtari Claudio Baglioni, i cili ishte njëkohësisht dhe drejtori artistik i Festivalit. Ai u shoqërua nga prezantuasja Michelle Hunzinker dhe nga aktori Pierfrancesko Favino, të dy këta personazhe të njohur të televizionit italian.

Ermali është një kantautor shumë i talentuar, i cili po korr sukses të madh vitet e fundit në Itali. Ai është shumë i dashur për publikun italian, e po bën gjithashtu shumë krenar shqiptarët kudo që ndodhen.

Ermal Meta u prezantua në Sanremo për herë të parë në vitin 2015, në garën e të rinjve me këngën "Odio le favole" (Urrej përrallat) ku mbërriti në finale dhe u vlerësua me çmimin e tretë, ndërsa në vitin 2016 garoi gjithashtu në këtë Festival në kategorinë "Big" me këngën "Vietato di morire" (E ndaluar të vdesësh), duke fituar përsëri një tjetër çmim të rëndësishëm, atë të kritikës, trofeun "Mia Martini".

Për të tretin vit radhazi këngëtari Ermal Meta u ngjit në skenën e teatrit "Ariston", por kësaj here në një duet me këngëtarin e njohur italian, Fabrizio Moro-n. Kënga e tyre me titull "Non mi avete fatto niente" (Nuk më keni bërë asgjë), ka në qendër të saj një temë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist.

Ermal Meta publikoi një fragment prezantues të duetit në profilin e tij në "Facebook". Nga reagimet e shumta dhe pozitive ndaj postimit të Ermalit, u rritën edhe më shumë pritshmëritë ndaj këngës konkuruese në Sanremo e cila përcjell mesazhe mjaft goditëse.

"Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit", kanë deklaruar dy këngëtarët.

Kënga ka në thelb të saj një mesazh të fuqishëm e shumë domethënës për kohërat ku po jetojmë, një thirrje kundër terrorizmit. Teksti i këngës përfshin shumë raste të ndodhura në të kaluarën, por refreni kryesor, një thirrje therrëse e inkurajuese, mbetet vargu "nuk më keni bërë asgjë".

Videoklipi i këngës triumfuese "Non mi avete fatto niente", i cili është publikuar së fundmi, ilustron në imazhe qytete të ndryshme të rrënuara nga bombardimet, homazhet e njerëzve në vendngjarje dhe fëmijët e vegjël, si simbol i mosmposhtjes.

"Gjatë verës, kemi marrë mjaft mesazhe nga admiruesit tanë, të cilët ishin të frikësuar të merrnin pjesë në koncertet tona", shprehen këngëtarët. "Kështu lindi ideja dhe nevoja për të treguar dëshirën e njerëzve për t'u rebeluar ndaj asaj çka po ndodh. Kjo këngë tregon atë që njerëzit kanë vuajtur nga terrorizmi, sidomos ai mediatik i këtij viti të fundit", thanë ata.

Sipas kritikëve, artistëve të tjerë italianë dhe admiruesve të ndryshëm, kënga kishte shumë mundësi të ishte fituesja e këtij edicioni të Sanremos. Në finale të Festivalit ishin edhe këngëtarja e njohur Analissa dhe grupi "StatoSociale", por pas votimit final për këngën fituese ndër tre finalistët, festivalin e Sanremos e fitoi Ermal Meta dhe Fabrizio Moro.

Meta ka folur për herë të parë pasi rrëmbeu çmimin e madh të festivalit dhe tha se këtë këngë ia dedikon shtëpisë diskografike që e besoi atë dhe talentin e tij, kur askush nuk kishte besim te suksesi i tij.

"Është një emocion i papëshkrueshëm. Unë ia kushtoj këtë çmim shtëpisë sime diskografike, që ka besuar te unë atëherë kur askush tjetër nuk besonte", u shpreh ai.

Ndërkohë, Fabrizio tha se këngën ia kushton të birit, që ndodhej në sallë kur ai interpretoi në skenën madhështore të "Aristonit".

Në edicionin e Sanremos të këtij viti ranë në sy të ftuarit, artistë shumë të njohur të cilët ndër vite kanë mbushur plot skenat, stadiumet e sheshet e Italisë dhe Europës me turnetë e tyre, shkruajnë muzikë e tekste të cilat janë kthyer në frymëzim e himne për admiruesit e tyre të kudo ndodhur. Këto figura të njohura emocionojnë miliona njerëz dhe janë shkolla më e mirë për brezin e ri të muzikantëve në Itali.

Sanremo është gjithashtu shumë i njohur për pjesëmarrjen e këngëtarëve dhe aktorve me famë botërore në çdo vit të realizimit të tij, sidomos gjatë gjysmëfinaleve dhe finaleve. Ndër të ftuarit special ëtë "Sanremo 2018" ishin edhe këngëtari britanik Sting, reperi Shaggy, kantautori amerikan James Taylor etj.

Festivali i Sanremos 2018 i kushtoi një vëmendje të veçantë temës së dhunës ndaj grave, sikurse në shumë ngjarje të tjera të rëndësishme artistike në mbarë botën. Me nismën e kryetarit të Bashkisë së Sanremos, të gjithë këngëtarët, por dhe publiku, u ftuan të mbanin një karficë në formë luleje për të tërhequr vëmendjen ndaj një teme kaq delikate siç janë ngacmimet seksuale ndaj grave.

Teatri "Ariston" ka një histori të vjetër dhe është i njohur për yjet e mëdhenj të skenës italiane, europiane dhe botërore, prandaj edhe Festivali i Sanremos është ndër ato ngjarje që mezi pritet dhe nuk kalon lehtë pa u ndjekur. Disa janë nostalgjik të muzikës italiane dhe artistëve të vjetër, disa e kanë ndjekur gjithmonë pasi për ta ka qenë frymëzim, si për nga muzika dhe mesazhet e dhëna, ashtu edhe moda e stili. Ndërsa shqiptarët në veçanti kanë qenë gjithmonë shpirtërisht të lidhur me historikun e këtij Festivali që është prej vitesh një mit, pasi këngëtarët dhe këngët e vendit fqinj, aq të ngjashëm me kulturën tonë, janë ndjekur e admiruar në çdo shtëpi shqiptari, lokal, rrugë, festë e kudo, si një pjesë e pandarë e tyre.

Mrekulli