Placido Domingo dhe Ermonela Jaho mahnisin Pekinin me operën "Thais"

2018-02-12 09:51:17 CRI Komenti juaj Printoni

Kur dëgjon emra si Placido Domingo dhe Ermonela Jaho, e di që bëhet fjalë për dy yje të skenave klasike më të famshme e të lakmuara në botë të cilët do të performojnë padyshim një vepër operistike të përmasave botërore. Të kesh mundësinë të ulesh në rradhët e para përballë tenorit legjendar, maestro-s Placido Domingo, e ta dëgjosh atë nga afër, është një rast i rrallë që të jepet po aq rrallë në jetë.

Bashkëpunimi me sopranon shqiptare më në zë të viteve të fundit në mbarë botën, brilanten Ermonela Jaho, është sa i bukur edhe i pazakontë, pasi mbiemrat "të talentuar", "fantastikë", "mahnitës", etj, janë në fakt tregues jo real për Domingon dhe Jahon apo dimensionet e tyre artistike dhe emocionet që mund të përçojnë tek dëgjuesit. Ata qendrojnë shumë herë më lartë se aq.

Opera "Thais", e para vepër që çeli sezonin operistik për vitin 2018, u vu në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin nga data 2 deri më 6 shkurt. Placido Domingo në rolin kryesor të Athanael-it dhe Ermonela Jaho në atë të Thais-it, sollën për audiencën e kryeqytetit kinez një realizim pafund të bukur i cili me ndihmën e efekteve speciale mundi të na çonte në një udhëtim pas në kohë, pikërisht në Aleksandrinë e shekullit të 4-të, në një përpjekje të murgut të devotshëm Athanael-it për të konvertuar kurtizanen Thais në të krishterë, ndërsa dashurohet me të, ngjarje që të bëjnë të reflektosh thellë mbi vlerat e shoqërisë. "Thais" është një ndërthurje e emocioneve të forta shpërthyese por edhe përmbajtjes së tyre dhe meditimit të karaktereve që e bëjnë këtë një vepër paksa ndryshe nga operat e Puccini-t apo Verdi-t.

Menjëherë sapo dëgjon të flitet për Placido Domingon dhe Ermonela Jahon, e kupton se bëhet fjalë për nivelin më të lartë të artistëve të zhanrit klasik. Të jesh në rradhët e publikut në një vepër operistike të interpretuar nga artistë të tillë është një eksperiencë unike. Për njohësit e muzikës klasike, operës apo baletit, të cilët kanë qenë me fat të ndjekin nga afër figura si Domingo dhe Jaho, mund të thuhet me plot gojën se ëndrra e tyre është bërë realitet.

Unë jam një ndër ta, e rritur me muzikën klasike dhe operën në veçanti, përjetova emocione që do të mbeten me mua gjatë, përgjithmonë. Domingo, sikurse Pavarotti apo Maria Callas kanë qenë ngahera idhujt e mi dhe fati që dëgjova drejtpërdrejt Placido Domingo-n, bëri realitet një ndër ëndrrat e mia që prej vegjëlisë, ç'ka nuk mendoja se do të ndodhte ndonjëherë, por ja që e gjendur në Pekin munda të ndiqja nga afër Operën "Thais", në rolet kryesore të së cilës interpretuan pikërisht Placido Domingo dhe krenaria e vendit tim, shqiptarja Ermonela Jaho.

"Thais", është një vepër me tre akte e kompozuar nga kompozitori romantik francez Jules Massenet-i dhe e shkruajtur nga dramaturgu Louis Gallet-i, bazuar në novelën me të njëjtin titull të Anatole France-it. Shkrimtari francez është vlerësuar gjithashtu me çmimin Nobel në letërsi për novelën "Thais", në vitin 1921. "Thais" u vu për herë të parë në skenë në Operën "Garnier" të Parisit, në 16 Mars të vitit 1894.

Vepra operistrike "Thais" tregon historinë e një një murgu të ri, Athanael-it, në rolin e të cilit performon maestro Placido Domingo. Ai përpiqet të shpëtojë nga mëkatet dhe jeta e shthurur kurtizanen Thais, të interpretuar nga sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho. Pas përpjekjeve për të kthyer Thais-in në rrugën e drejtë të Zotit e krishtërimit, murgu bie në dashuri me kurtizanen e rrëmbehet plotësisht nga ndjenjat më të forta për të, duke kapërcyer çdo vlerë, normë e besim të predikuar me këmbëngulje më parë. Ndërsa Thais dergjej në shtratin e vdekjes, Athanael-i shkoi ta kërkonte për t'i thënë se asgjë në jetë nuk është aq e fuqishme dhe e vërtetë sa jeta dhe dashuria midis dy qenieve njerëzore. Vdekja e Thais e burgosi Athanael-in në një dëshpërim pa kthim, pasi jeta pa Thais për të nuk kishte më kuptim.

Të ndjekësh nga afër një histori të tillë, të interpretuar nga ikona botërore të muzikës klasike, në një vepër operistike të ndërthurur me koreografi dhe skenografi tejet të gjallë e me efekte speciale të teknologjisë më të fundit, që bën të mundur të përjetosh të kaluarën në cilësinë më të lartë, shumëdimensionale. Të njohësh operan "Thais", është jo vetëm fat e mundësi e rrallë, por një ngjarje që të frymëzon shumë dhe ndikon gjatë. Prezenca në skenë e Placido Domingos dhe Ermonela Jahos është një emocion i pazëvenëdësueshëm.

Për një kohë të gjatë, "Thais" ishte një nga veprat më të njohura, por që nga mesi i shekullit të 20-të, pak nga pak u la në harresë, por vitet e fundit kjo vepër është ringjallur duke u shfaqur në teatrot më të njohura në botë, kështu duke u përfshirë edhe njëherë në repertoin operistik.

Në pultin drejtues të "Thais" në Pekin qendron regjisori i famshëm argjentinas Hugo de Ana. Përkrah Domingos, në dy netët e tjera të shfaqes, ka interpretuar edhe sopranoja shumë e njohur spanjolle Davinia Rodrigues. Këngëtaret e njohura kinezë Li Yi, Zhang Wenwei dhe Dong Fang kanë qenë gjithashtu pjesë e rëndësishme e operas "Thais".

Takimi me Ermonela Jahon, në prapaskenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin ishte emocion më vete, pasi ndjeva pranë një pjesë të dashur të shtëpisë sime, Shqipërisë. Të jesh një artiste e madhe e skenave më të famshme të Evropës dhe botës, siç është Ermonela, por në të njëjtën kohë edhe aq e thjeshtë, e ndjeshme, e dashur dhe komunikuese, kupton se asgjë nuk është e rastësishme. Ajo ka arritur në jetë çfarë ka merituar, hap pas hapi e ëndërr pas ëndrre, një sukses absolut të arritur me aq mund, punë e optimizëm por padiskutim edhe talent, vlera këto që e bëjnë yllin e skenave operistike më prestigjoze një njeri me zë por edhe shpirt të madh.

Tenori 77 vjeçar me famë botërore, Placido Domingo u shpreh me bindje se Kina do të arrijë një zhvillim të madh të tregut të saj të muzikës klasike, njoftoi Xinhua. Pas performancës së tij në operën "Thais", e cila u ndoq me një pjesëmarrje maksimale në Qendrën Kombëtare të Arteve në Pekin, që në shfaqen e natës së parë të 2 shkurtit, Domingo tha në një intervistë të fundit se "Kina ka një audiencë të madhe". Domingo, i cili interpretoi në rolin e Athanael-it, ka krijuar një lidhje të veçantë me Qendrën Kombëtare të Arteve të Pekinit që nga viti 2012, kur u zhvillua Operalia e 20-të e Placido Domingos: Konkursi Ndërkombëtar Operistik.

"Isha i impresionuar nga entuziazmi i audiencës kineze që kur performova në Kinë, këtu e 30 vjet më parë," tha Domingo. "Miliona artdashës, audiencë prej vitesh e një qendre të tillë ku janë realizuar shumë vepra të shkëlqyera, do të jenë padyshim kontribues të një bumi të muzikën klasike në Kinë". (Haris Vongli)

Mrekulli
Lajmet Kryesore