Suksesi i madh i aktorit indian Aamir Khan në Kinë

2018-02-05 14:39:06 CRI Komenti juaj Printoni

Aktori indian Aamir Khan është rikthyer në ekranet e kinemave kineze me filmin e tij të fundit, "Secret Superstar", i cili është një tjetër sukses i aktorit.

Filmi, i cili u shfaq në kinematë e vendit të premten më 19 janar, tregon historinë e 14-vjeçares së talentuar Insia, e cila ndjek ëndrrën e saj të madhe për t'u bërë këngëtare. Një ëndërr të cilën ajo dëshironte ta bënte realitet me çdo kusht, kundër shumë diskriminimeve dhe pengesave në jetë.

Aamir Khan është një nga aktorët më të njohur indianë në Kinë dhe gjithashtu ndër më të dashurit nga audienca kineze. Filmi i tij i fundit, "Dangal", ishte një sukses i papritur për sa u përket të ardhurave nga shitja e biletave në kinematë kineze në vitin 2017, që arritën shifrën prej rreth 1.3 miliardë juanësh (afro 190 milionë dollarë amerikanë).

Filmi "Secret Superstar", me aktorin e Bollywood-it Aamir Khan, dominoi tregun e kinemasë kineze gjatë gjithë javës së fundit të muajit janar, duke fituar 223 milionë juanë (rreth 35.2 milionë dollarë amerikanë), njoftoi "China Film News" të martën.

"Secret Superstar" e rrëmbeu vëmendjen e audiencës kineze si një stuhi dhe performanca e Aamir Khan-it u vlerësua maksimalisht nga kritikët dhe gjithashtu nga njerëzit e thjeshtë. Filmat e aktorit shumë të suksesshëm në Kinë kanë pasqyruar përpjekjet e përbashkëta të të dyja vendeve për të bashkëpunuar edhe më shumë, jo vetëm në aspektin kulturor e zhvillimin e mëtejshëm të kinematografisë, por gjithashtu në fushën politike dhe ekonomike.

Në një intervistë të fundit për "Xinhua"-n, aktori indian Aamir Khan tha se Kina dhe India duhet patjetër të bashkëpunojnë në industrinë e filmit. Ai është i bindur se suksesi do të jetë i padiskutueshëm nëse Kina dhe India shkrijnë kulturat e tyre në një film të përbashkët dhe vënë në dukje tema shoqërore shumë të ndjeshme për publikun e gjerë të të dyja vendeve.

Gjatë intervistës, Khan dukej shumë i gëzuar për vizitën e tij të ardhshme në Kinë dhe shprehu dëshirën e vet të madhe për të bashkëpunuar me talentet kineze në industrinë e filmit.

Khan, aktori i filmit "Secret Superstar", i cili pushtoi kinematë kineze që të premten e 19 janarit, mbërriti fillimisht në qytetin e Shangait e më pas, nga 23 deri më 26 janar, vijoi në Pekin udhëtimin e vet njëjavor në Kinë.

Gjatë intervistës, Khan foli për dy filmat e tij shumë të ndjekur në Kinë. "Në 'Dangal' unë jam shumë serioz, ndërsa në 'Secret Superstar' shumë shakatar," tha ai.

"Dangal", filmi tjetër që u bë një super hit në Kinë dhe theu rekordet e shitjes së biletave në kinematë e vendit për vitin 2017, është ndër filmat që e bënë aktorin indian shumë të famshëm në Kinë. Në "Dangal", Khan-i luan rolin e një babai të rreptë të tre vajzave. Filmi shiti një numër të madh biletash, duke arritur shifrën prej afërsisht 1.3 miliardë juanësh, ose 190 milionë dollarë amerikanë.

Për të kuptuar se çfarë ndodh në kinematë e Kinës kur një film pëlqehet shumë, duhet rikujtuar se filmi indian "Dangal" fitoi më shumë se 450 milionë juanë (65 milionë dollarë amerikanë) për vetëm 11 ditë, duke u kthyer në filmin më të famshëm indian në Kinë.

Filmi bazohet në historinë e vërtetë të një babai indian (Aamir Khan), i cili sfidoi diskriminimin gjinor dhe stërviti të bijat si të luftonin në një sport si mundja. Vajzat e tij u bënë dy nga mundëset më të mira femra në botë, duke fituar medalje për vendin e tyre në ngjarjet më në zë botërore të sportit.

Filmi me një buxhet të ulët shiti rreth 100 milionë juanë bileta në një ditë të vetme, më saktë më 13 maj 2017.

Khan tha se priste me padurim të takohej me admiruesit e tij në Kinë dhe rikujtoi gjithashtu vizitën e tij të fundit në vend, e cila i ka lënë përshtypje shumë pozitive. Ai përmendi vizitën në Chengdu, qytetin jugperëndimor të Kinës, arinjtë e bukur panda dhe hotpotin e shijshëm të Kinës.

Duke iu referuar Chengdu-së si një "qytet parajse", Khan tha: "Jashtë Indisë, ushqimi kinez është i preferuari im. Normalisht, unë kam një dietë ushqimore shumë të rreptë, por kur të shkoj në Kinë, nuk ka më asnjë dietë ... Njerëzit janë gjithashtu shumë të ngrohtë dhe të dashur. Mendoj se kjo është pikërisht ajo që më tërheq më shumë."

Si një nga aktorët më të njohur indianë në Kinë, Khan ka vizituar Kinën dy herë që nga viti 2015. Ai tha se populli kinez dhe ai indian kanë shumë gjëra të përbashkëta, duke iu referuar kështu karaktereve njerëzore dhe kulturës shoqërore.

Të dy vendet gëzojnë një nivel të lartë të qytetërimit me një larmi kulturash dhe një histori të gjatë. Gjithashtu, të dy popujt i kushtojnë rëndësi të madhe familjes, shpjegoi ai.

"Ka shumë aktorë kinezë, të cilët janë shumë të talentuar ... Unë me të vërtetë dëshiroj të bëj filma me artistë të talentuar nga Kina. Talentet tuaja kineze dhe ata indianë, duhet të bëjnë një film së bashku, besoj se do të jetë i mrekullueshëm", tha Khan i vendosur.

Duke vënë në dukje industrinë e zhvilluar të "Bollywood"-it dhe tregun e madh të kinematografisë të Kinës, Khan tha: "Do të doja të shihja shumë bashkëpunim mes krijuesve, regjisorëve dhe aktorëve, nga Kina dhe India, duke sjellë për publikun histori të cilat njerëzit nga të dy vendet do të donin vërtet t'i shihnin".

"Mendoj se kjo do t'i afronte edhe më shumë vendet tona, do të jetë shumë e veçantë për audiencën indiane që të shohë aktorët kinezë dhe talentet kineze", shtoi ai.

I lindur në vitin 1965, Khan është afirmuar si një nga aktorët më të njohur dhe me ndikim të kinemasë indiane. Ndërkohë, ai punon gjithashtu si producent filmash, regjisor dhe prezantues programesh të famshme televizive. Për këtë arsye, Khan prodhon vetëm një film çdo një ose dy vjet, ndërsa i gjithë produktiviteti i industrisë së "Bollywood"-it kalon 2.000 filma në vit.

"Unë ia dedikoj gjysmën e kohës sime filmit, ndërsa gjysmën tjetër jetës private dhe çështjeve shoqërore", shpjegoi Khan.

Të prodhosh diçka të bukur kërkon "shumë kohë" dhe "filmat duhen të bëhen me zemër", tha ylli indian i kinemasë.

Në përfundim të intervistës, Khan-i i kërkoi gazetarit të "Xinhua"-së t'i mësojë si thuhet "Ju dua" në kinezishte. "Wo ai ni men"..."Mezi pres ta vizitoj Kinën përsëri," tha ai.

Mrekulli
Lajmet Kryesore