Suksesi i filmit "Star Wars" në Kinë

2018-01-27 11:16:04 CRI Komenti juaj Printoni

Saga fantastiko-shkencore "Star Wars" ("Lufta e yjeve") është një histori që ka mahnitur breza të tërë dhe entuziazmi me të cilin ky film është pritur gjithmonë, vërteton më së miri fuqinë e tij për të na bërë bashkë në luftën klasike të së Mirës kundër së Keqes.

"Star Wars: The Last Jedi", filmi i zhanrit epik më se i njohur nga publiku në Kinë e kudo në botë, ka vijuar të thyejë rekordin e shitjes së biletave në kinematë botërore, që nga momenti kur u shfaq për herë të parë, për këtë sezon, në ShBA dhe Kanada në muajin dhjetor. Episodi i tetë i sagës fantastiko-shkencore "Star Wars" fitoi rreth 220 milionë juanë (33.7 milionë dollarë amerikanë) nga 5 janari deri në pasditen e 10 janarit.

Premiera botërore e "The Last Jedi" u mbajt në Los Anxheles më 9 dhjetor 2017, ndërsa premiera europiane më 12 dhjetor në "Royal Albert Hall" të Londrës. Gjatë premierës së filmit në Londër, në një ndër teatrot më të njohura të kryeqytetit anglez, filmi mori vlerësimin absolut nga kritika, kjo edhe për shkak të fitimeve të grumbulluara që prej shfaqjes së tij. Duket se saga fantastiko-shkencore ecën mëse e sigurt në rrugën e suksesit të kapitullit të saj më të ri.

Filmi u publikua 40 vjet pas "Star Wars: Episode IV – A New Hope" (1977), duke shënuar 40-vjetorin e sagës "Star Wars". Filmi i vijon ngjarjet pikërisht aty ku ishin lënë në episodin e vitit 2015, "Star Wars: The Force Awakens". Pasi ka bërë hapat e parë në botën Jedi, Rey bashkohet me Luke Skywalker-in në një aventurë me Leia-n, Finn-in dhe Poe-n, gjatë së cilës do të hapin misteret e Forcës dhe sekretet e të shkuarës.

"Star Wars: The Last Jedi", i njohur gjithashtu me emrin "Star Wars: Episod VIII – The Last Jedi", është shkruar dhe drejtuar nga regjisori Rian Johnson. "Ky film tregon ambicien e regjisorit për të treguar një histori të pazakontë të 'Star Wars', që shkund klishetë e 'Hollivudit'. Ai arrin të trajtojë tema më të komplikuara dhe më të thella për fatet e paparashikueshme", thotë Jiang Yong, një kritik filmash në Pekin.

"Star Wars: The Last Jedi" është prodhuar nga "Lucasfilm". Në rolet kryesore interpretojnë: Mark Hamill, Carrie Fisher, Adam Driver, Daisy Ridley, John Boyega, Oscar Isaac, Andy Serkis, Lupita Nyong'o, Domhnall Gleeson, Anthony Daniels, Gwendoline Christie, e të tjerë. Filmi shënon gjithashtu rolin e fundit të Carrie Fisher-it dhe është madje dedikim kushtuar asaj, e cila u nda nga jeta në dhjetor 2016. Asnjë nga skenat ku shfaqet aktorja nuk është hequr gjatë fazës finale të prodhimit të filmit.

Filmi, si çdo kapitull tjetër të sagës, është mjaft popullor, duke bërë që biletat të shiten kohë përpara se filmi të dalë në kinema. Në shumë vende, rrjeti i shërbimit u bllokua nga trafiku i prenotimeve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, ndodhi pikërisht siç kishin parashikuar ekspertët, se në rreth 4 mijë salla kinemaje përgjatë fundjavës së parë të shfaqjes, arkëtimet do të arrinin shumën prej rreth 200 milionë dollarësh.

Që kur "Star Wars" doli për herë të parë në vitin 1977, seriali jo vetëm ka ndikuar breza të tërë shikuesish në Perëndim, por ka qenë gjithashtu dëshmitar i 40 vjetëve të Reformës dhe Hapjes në industrinë e filmit kinez.

Gjatë kësaj kohe, Kina është bërë tregu i dytë më i madh i filmit në botë, duke i kaluar 55.9 miliardë juanë nga shitja e biletave në vitin 2017. Ndërsa industria e filmave është rritur vazhdimisht, edhe industria kineze e krijimtarisë fantastiko-shkencorë është zhvilluar gjithashtu, por ka ende shumë sfida përpara. Ndërkohë, konsumi i njerëzve ka ndryshuar në varësi të filmave që dalin në treg dhe imagjinata e tyre është zgjeruar po ashtu.

Duke u rikthyer pas në kohë, vlen për t'u përmendur se triologjia e parë "Star Wars", e krijuar nga regjisori amerikan George Lucas në fund të viteve 70, përshkruan Luke Skywalker-in, princeshën Leia dhe personazhe të tjerë, të cilët me aventurat e tyre në galaktika shumë të largëta, kanë arritur të fitojnë vëmendjen e kujtdo dhe të zhvillojnë imagjinatën e shumë shikuesve, në veçanti të të rinjve. Filmat ishin jashtëzakonisht të suksesshëm, duke u kthyer shumë shpejt në një fenomen kulturor në mbarë botën.

Në janar të vitit 1979, media njoftoi se revista e Studios së Filmit të Pekinit, "Movie Creation", do të rifillonte botimin dhe publikonte skenarin e përshtatur të Lao She-së, "The Rickshaw Boy", në një seri, si dhe romanin kinematografik amerikan të "Star Wars". Rastësisht, industria e filmave fantastiko-shkencorë në Kinë filloi të zhvillohej në fillim të viteve '80, me shfaqjen e letërsisë që përshkruante botën e hapësirës në shekullin e 21-të. Të rinjtë filluan të kishin shumë interes në leximin, shkrimin dhe vizatimin e llojit fantastiko-shkencor.

Një admirues i "Star Wars", Song Xuewen, i lindur në vitet '70, kujton fëmijërinë e tij, duke thënë se historia e Luke-it dhe Leia-s përdorej si material mësimor në lëndën e anglishtes në shkollë. Ai madje tregon se i dha vetes emrin anglez Luke për ta bërë atë të ndihej si një hero hapësire.

Në vitin 1993, industria kinematografike e Kinës filloi të zbulonte mënyra për t'u reformuar. Në vitin 1994, Kina importoi filmin e parë hollivudian "Fugitive" dhe industria e filmit e Kinës u përpoq të gjente mënyra të reja për t'u reformuar dhe hapur.

Seriali "Star Wars" prodhuar nga "Lucasfilm", pas disa viteve të qeta, prodhoi filmin e parë të trilogjisë së tij të dytë, pikërisht në 1999-n.

"Star Wars: The Phantom Menace" i vitit 1999 u bë filmi i parë që doli zyrtarisht në ekranet e mëdha të Kinës. Ajo periudhë përkon gjithashtu me kohën kur shkrimtari kinez i historive fantastiko-shkencore, Liu Cixin, filloi të shkruante trilogjinë e këtij zhanri me titull "The Three-Body Problem". Liu-t iu deshën gati dhjetë vjet për të përfunduar librat që prej kohës kur pati idenë e kësaj vepre.

Sot, seriali i filmave epikë fantastiko-shkencorë të George Lucas-it renditet si i dyti më i madh në botë në historinë e filmit, pas "Marvel Universe". Ai ka gjeneruar miliarda dollarë nga një mori sendesh apo idesh të lidhura me këtë zhanër, duke përfshirë romane, karikatura, lodra, lojëra dhe parqe tematike etj.

Në ceremoninë e premierës të "Star Wars: The Last Jedi" në tregun kinez në Shangai në fund të vitit 2017, shumë admirues të filmit brohorisnin të entuziazmuar kur panë, përmes imazheve holografike, karakteret klasike të "Star Wars", përfshirë Luke-n dhe Leia-n.

Jiang Xiaoyuan, profesor në Universitetin Jiaotong të Shangait, beson se "Star Wars" është një moment unik në historinë e filmit fantastiko-shkencor në botë. Ndërkohë, romanet dhe filmat kinezë të këtij lloji kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë.

"Ne duhet ta pranojmë boshllëkun që kemi, por duhet të kemi besim tek vetja", tha Jiang. "Një ditë, Kina do të ketë filmat e saj fantastiko-shkencorë".

Mrekulli
Lajmet Kryesore