"Forever Young", filmi kinez që ka prekur zemrat e publikut

2018-01-24 09:58:31 CRI Komenti juaj Printoni

Filmi kinez "Forever Young" ("Përgjithmonë të rinj") është bërë një ndër filmat më popullorë në Kinë. Premiera e tij në kinematë e vendit më 12 janar u prit me padurim. "Forever Young" përshkruan një periudhë njëshekullore të historisë së Kinës, duke vënë në dukje përgjegjësitë e të rinjve kinezë gjatë 100 viteve histori.

Në film luajnë aktorja kineze me famë botërore Zhang Ziyi, si dhe aktorët e tjerë shumë të njohur për mbarë publikun kinez e më gjerë, Huang Xiaoming e Leehom Wang, të cilët aktrojnë me një profesionalizëm të vërtetë dhe të kthejnë pas në kohë, duke të bërë të përjetosh në mënyrë të pashmangshme ndjesitë e asaj epoke, energjinë dhe ëndrrat e të rinjve, duke e bërë këtë film kështu një sukses të padiskutueshëm. "Forever Young" tregon historinë e katër të rinjve, studentë në Universitetin "Tsinghua" të Pekinit, të cilët presin me padurim të ardhmen, por duhet të përballen gjithashtu edhe me momente të vështira të jetës. Historitë e këtyre të rinjve janë të gjitha të shtrira në kohë të ndryshme.

Drejtori i Qendrës së Filmit dhe Televizionit të Universitetit "Tsinghua", Yin Hong, tha se "Forever Young" ka përdorur katër histori të ndryshme për të bashkuar një shekull të historisë kineze. Historitë duken sikur nuk lidhen me njëra-tjetrën, por karakteret kryesorë kanë një marrëdhënie delikate mes tyre dhe më e rëndësishmja është se filmi ka një temperament shpirtëror. Katër të rinjtë i bashkon entuziazmi dhe përgjegjësia, pa marrë parasysh situatat që ndodhin në Kinë."

"Forever Young" fillimisht u bë për të festuar 100-vjetorin e Universitetit "Tsinghua" në vitin 2011 dhe titulli i tij është marrë nga teksti i himnit të universitetit.

Që nga Lufta e Dytë Botërore, deri te Revolucioni Kulturor dhe në fund Rilindja, "Forever Young" është një film që tregon në detaje mbi këto ngjarje të rëndësishme dhe historinë e katër gjeneratave, të cilat përfshijnë njëqind vjet histori të Kinës. Çdo brez përballet me sfidat e veta unike, të cilat sa duket që ngjajnë, aq edhe ndryshojnë nga njëra-tjetra.

Korrupsioni dhe lufta kundër tij, proceset gjyqësore, gjykatat dhe sprovat gjatë Revolucionit Kulturor, si dhe detyrat ndaj kombit në kohë lufte, janë çështjet kryesore me të cilat përballen të rinjtë e "Forever Young", por në fund të fundit, ata zgjedhin rrugët e tyre, të cilat marrin drejtime krejt të ndryshme përgjatë historisë.

Meqenëse sfidat dhe trazirat e çdo brezi mund të ndryshojnë, pasi në thelb ato janë ndryshime kohore, ajo që ndodhi në të kaluarën nuk mund të ndryshojë apo të ndihmojë, por do të ndikojë në zgjedhjet që bëhen në të ardhmen, pasi të gjitha këto transmetohen nga brezi në brez. Dhe mesazhi universal është pikërisht fakti se të jesh i vërtetë me veten tënde është diçka e çmuar. Është burimi i forcës që frymëzon njeriun të bëhet personi që dëshiron të jetë, të arrijë sa më lart e të shkojë sa më larg në kërkim të ëndrrave të tij, të ndjekë zemrën dhe ta bëjë rrugën e së ardhmes sa më të shndritshme.

Filmi doli në kinema javën e kaluar, më 12 janar. Një ditë para kësaj aktorja e famshme kineze, Zhang Ziyi, mori pjesë në një takim të rëndësishëm promovues për filmin e ri "Forever Young" në Nankin, kryeqendrën e provincës Jiangsu të Kinës Lindore.

Gjatë promovimit të filmit, ylli i kinemasë Zhang Ziyi iu përgjigj gjithashtu pyetjeve të drejtuara nga shumë simpatizantë të saj. Duke folur për të ashtuquajturat "yje të internetit", duke iu referuar idhujve të pop-it që kanë për qëllim të bëhen gjithmonë e më të famshëm nëpërmjet internetit, në vend që të fokusohen në cilësinë e performancës së tyre, Zhang tha se e gjitha kjo është një çështje dhe zgjedhje personale.

Ajo sugjeroi që jo vetëm aktorët e rinj, por në përgjithësi yjet e kinemasë, duhet të zgjedhin skenarin që u përshtatet dhe jo thjesht të dëgjojnë agjentët e tyre, gjithmonë nëse paraja nuk është përparësia kryesore e tyre. Është shumë e rëndësishme që aktorët e filmave apo teatrit të përzgjedhin me kujdes dhe për detaje specifike dorëshkrimin e një skenari filmi apo pjese teatrale që do të nxirrte në pah talentin e tyre në përgjithësi dhe karakteristikat dalluese të personalitetit të tyre në veçanti.

Si një nga yjet më të famshme kineze në Perëndim, Zhang kohët e fundit luajti në dy filma të Hollywood-it, "Particle God", dhe "Godzilla: King of the Monsters". Ndër të tjera, me shumë modesti, ajo theksoi: "Kurrë nuk kam menduar se i përkas 'Hollivudit'". Zhang shtoi se nuk e konsideron aspak të vështirë të luajë për filma komercialë të "Hollivudit", pasi ajo e menaxhon siç duhet kohën, duke gjetur balancë midis jetës personale dhe asaj profesionale e duke pasur kohë për të qenë pranë vajzës së saj me nofkën Xingxing.

"Ishte mirë për mua, pasi më duhej të isha në sheshin e xhirimit vetëm pesë ditë në javë", tha Zhang gjatë premierës së filmit.

Premiera e filmit "Forever Young" u mbajt në Universitetin "Tsinghua" në 9 janar. Në premierë, regjisorja e filmit, Li Fangfang, ndau me publikun detaje të filmit dhe historive të protagonistëve kryesorë.

Në fjalën e saj gjatë premierës, Zhang Ziyi shprehu mirënjohje për punën e palodhur të ekipit që realizoi "Forever Young". Ajo tha se që nga regjisorja e deri te kameramanët bënë një punë të shkëlqyer e të palodhur për të paraqitur më të mirën e periudhave të ndryshme kohore në të cilat shtrihet filmi.

"Është një film që ia vlen ta presësh për ta parë dhe vlerësuar. Sa herë që e shoh filmin, gjatë realizimit e deri në fazën finale të tij, prekem shumë", tha aktorja e rolit kryesor Zhang.

Regjisorja e "Forever Young" tregoi se Zhang ka kaluar 14 muaj për t'u përgatitur për filmin duke shpenzuar me orë të tëra mbi dokumente historike, si dhe mijëra foto të vjetra, në mënyrë që të merrte më të mirën e mundshme nga e kaluara, momente të rëndësishme historike deri edhe nga detajet më të vogla për të realizuar një rol sa më origjinal.

Ajo gjithashtu ka filmuar një fragment të shkurtër filmi prej shtatë minutash që shfaqet në fund të "Forever Young", për ta prezantuar publikun e gjerë me figura historike dhe studiues të rëndësishëm, përfshirë Liang Sicheng, Lin Huiyin, Xu Zhimo, Qian Zhongshu dhe Zhu Ziqing.

Pak ditë pas premierës në "Tsinghua", "Forever Young", i cili përfundoi së filmuari pesë vjet më parë, u shfaq në kinema.

Sipas regjisores dhe skenaristes Li Fangfang, ky ishte momenti që ajo kishte ëndërruar prej vitesh.

"Unë e shkruajta skenarin shtatë vjet më parë dhe përfunduam xhirimet pesë vjet më parë. Dhe më në fund filmi do të shfaqet. Faleminderit për gjithë durimin tuaj", tha ajo.

Mrekulli
Lajmet Kryesore