Ceremonia e 75-të e ndarjes së çmimeve "Globi i Artë" 2018

2018-01-12 14:45:26 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën e kaluar u zhvillua në Beverly Hills të Shteteve të Bashkuara ceremonia e 75-të e ndarjes së çmimeve "Globi i Artë" 2018. Kjo ceremoni e mbajtur në muajin e parë të vitit të ri, i paraprin ceremonisë më të rëndësishme të kinematografisë në botë, asaj të ndarjes së çmimeve "Oscar".

Në mbrëmjen e çmimeve "Globi i Artë" fokusi nuk ishte tek aktorët, regjisorët dhe kompozitorët e kolonave zanore të filmave më në zë të momentit, apo se kush nga ata do të rrëmbente çmimet e filmit dhe televizionit, por se çfarë do të thoshin ata që do të ngjiteshin në podiumin e marrjes së trofeve.

Mbrëmja e së dielës kishte mbi të gjitha në fokus atmosferën e tanishme në "Hollywood" dhe fushatat si "Me too" apo "Time's Up", të cilat bëjnë thirrje për ndryshim jo vetëm tek gratë që janë pjesë e industrisë së filmit e televizionit, por edhe ato gra që nuk janë të famshme, por janë vajza, nëna e punëtore të thjeshta në të gjithë botën.

Shumë aktorë të famshëm hollivudianë, vendosën të vishen me të zeza në ceremoninë e "Globit të Artë" , në mbështetje të fushatës "Time's Up" dhe "Me Too", të cilat sensibilizojnë në luftën kundër skandaleve të ngacmimeve seksuale me të cilat është përballur industria më e fuqishme e filmit, "Hollywood"-i. Aktorja e filmit "Lady Bird", Saoirse Ronan, aktoret Allison Janney, Natalie Portman, Nicole Kidman e Emma Stone dhe këngëtarja Mary J. Blige ishin disa nga dhjetëra yjet e tapetit të kuq të veshura me të zeza, pikërisht për të nderuar viktimat e skandaleve të këtij lloji.

Aktorja Laura Dern, e cila fitoi çmimin si aktorja më e mirë në një seri televizive, i bëri thirrje "Hollywood"-it të mbështesë viktimat e abuzimeve dhe të nxitë vënien në vend të drejtësisë. "Ne mund t'u mësojmë fëmijëve tanë se të folurit pa pasur frikën e ndëshkimit është ylli i ri polar i kulturës sonë", tha ajo.

Filmi romantik "The Shape of Water" arriti të marrë shtatë kandidime, duke përfshirë edhe për filmin më të mirë dramatik. Ky film u pasua nga filmi i Steven Spielberg-ut mbi lirinë e shtypit "The Post" dhe filmi komik "Three Billboards Outside Ebbing, Missouri" me plot gjashtë kandidime. Të tre këta filma janë prodhuar nga studiot e kompanisë së famshme "Twentieth Century Fox".

Fituesja e "Globit të Artë" për interpretimin më të mirë nga një aktore në një film komik ose komedi muzikore, Saoirse Ronan, u shpreh: "Unë dua vetëm të them se sa frymëzuese ka qenë të ndodhem në këtë sallë sot". Gary Oldman u shpall fitues i çmimit "Globi i Artë" për aktorin më të mirë në një film dramatik për portretizimin e Winston Churchill-it, në filmin biografik britanik "Darkest Hour". "Winston Churchill ka thënë: 'Shijet e mia janë të thjeshta: unë kënaqem menjëherë nga më e mira', dhe unë kam qenë i rrethuar nga më të mirët", tha Oldman në fjalimin e tij të pranimit të çmimit "Globi i Artë".

"Më besoni mua, gratë në këtë dhomë sonte nuk kanë ardhur këtu për ushqimin. Ne jemi këtu për punën e bërë", tha aktorja më e mirë e mbrëmjes, Frances McDormand, pas pranimit të trofeut të saj.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve "Globi i Artë", fjalimet e yjeve të "Hollywood"-it ishin me mesazhe tejet mbresëlënëse, ku mbizotëruan deklarata të fuqishme bashkimi. Oprah Winfrey, një nga gratë më të fuqishme me ngjyrë në botën e televizionit, e cila për këtë vit u vlerësua me çmimin e karrierës, e ngriti sallën në këmbë me fjalimin e saj gati nëntë minuta të gjatë dhe emocionoi dukshëm pjesmarrësit në ceremoni, duke përlotur shumë prej tyre. "Të gjitha vajzat që po na shikojnë tani duhet ta dinë se ka një ditë të re në horizont. Askush nuk duhet të thotë më: Edhe unë!", u shpreh ajo.

Filmi më i votuar i mbrëmjes ishte "Three Billboards Outside Ebbing, Missouri", i cili çoi në

shtëpi katër çmime "Globi i Artë", përfshirë çmimin e aktores më të mirë, që i shkoi Frances McDormand. Gjithashtu fituese e çmimit "Oscar", aktorja McDormand luan rolin e një gruaje të fortë, një nëne që mban zi për humbjen e vajzës së saj dhe sfidon policinë për faktin se vrasësi i së bijës nuk është kapur e dënuar ende nga autoritetet.

Në ceremoninë e "Globit të Artë", fokusi ishte tek gratë, roli i tyre dhe pushteti në shoqëri e jetën profesionale. Nicole Kidman, me rolin e saj të një viktime të dhunës në familje, duke vënë në qendër të vëmendjes këtë fenomen të dhimbshëm, gjithmonë e më të përhapur jo vetëm në Amerikë, por në mbarë botën, u vlerësua me çmimin e interpretimit më të mirë nga një aktore në një serial ose film televiziv. "Unë shpresoj se mund të sjellim ndryshime përmes historive që tregojmë dhe mënyrës sesi i tregojmë ato", tha Kidman e cila ia kushtoi këtë çmim kolegeve, vajzave dhe nënës së saj.

Ndërsa ceremonia e çmimeve "Globi i Artë" tërheq një audiencë të madhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kinë audienca është disi e kufizuar. Një nga arsyet për këtë është se vetëm disa nga filmat kandidatë për "Globin e Artë" u shfaqën në kinematë e vendit. Për shembull, nga të gjithë filmat në listë për "Globin e Artë", vetëm katër filma: "Dunkirk", "Baby Driver", "Coco" dhe "Loving Vincent" u shfaqën në Kinë.

Për të forcuar praninë e saj në tregun kinez, "Globi i Artë" krijoi një llogari zyrtare në rrjetin shoqëror kinez "Sina Weibo", në dhjetor 2017. Fotografi dhe video të ndryshme nga ceremonia e ndrajes së çmimeve "Globi i Artë" u shfaqën në kohë reale në llogarinë zyrtare të ceremonisë në "Sina Weibo", por nga numri i klikimeve u kuptua se interesi për të ndjekur këtë ngjarje nuk ishte shumë i madh.

Menjëherë pasi e kishte zbuluar ekzistencën e faqes zyrtare të "Globit të Artë" në "Sina Weibo", një 20-vjeçare kineze nga provinca jugperëndimore e Kinës Sichuan, Li Xiaotai, u shpreh se asaj iu duk zgjidhje shumë e mirë që të lexonte mbi ngjarjet e fundit të "Globit të Artë" në një rrjet shoqëror kinez në vënd që të kërkonte sa në një faqe në tjetrën për të lexuar më shumë mbi ceremoninë hollivudiane të së dielës.

Mrekulli
Lajmet Kryesore