Pianisti me famë botërore Richard Clayderman rifillon karrierën në Kinë

2018-01-08 11:15:12 CRI Komenti juaj Printoni

Ylli i viteve 1970-1980, pianisti Richard Clayderman, rifilloi karrierën e tij pianistike në Azi dhe veçanërisht në Kinë. Pianisti me fame botërore mbetet shumë i adhuruar në Kinë dhe feston aktualisht 25-vjetorin e koncerteve.

Artisti me buzëqeshjen e përjetshme dhe flokët biond është botërisht i njohur në sajë të melodisë "Baladë për Adelinën", dalë në vitin 1976 dhe shitur në 22 milionë kopje në botë. I mësuar me skenat televizive, i kurorëzuar si "princi i romantizmit" në vitin 1985 nga ish-Zonja e Parë e SHBA-së, Nancy Reagan, ai njohu menjëherë një sukses më modest në vendin e tij të origjinës.

"Askush nuk është profet në vendin e tij", thekson Richard Clayderman, i cili ditën e Krishtlindjeve, më 25 dhjetor, performoi në një koncert në Pallatin e Popullit në Pekin.

"Në fund të viteve '80, e lashë pas pak dore Francën për t'iu përgjigjur kërkesave të shumta që merrja nga Japonia, Azia Juglindore dhe Amerika Latine. Sot, francezët 20-40 vjeç nuk më njohin, edhe pse brezat më të vjetër nuk më kanë harruar", thekson ai.

Richard Clayderman ka lindur në 28 dhjetor 1953 në Paris dhe nisi të luajë piano që në moshë shumë të vogël. Babai i tij, mësues pianoje, ishte i pari që që hodhi themelet e suksesit të të birit. Në moshën gjashtë vjeçare Richard-i, talenti i të cilit doli menjëherë në pah, mund të lexonte muzikë klasike më mirë dhe më shpejt se shumë prej bashkëmoshatarëve të tij. Në moshën 12-vjeçare ai u pranua në Konservatorin e Muzikës, ku fitoi edhe çmimin e parë në një konkurs, në moshën 16-vjeçare. Karriera e tij si pianist klasik ishte tejet premtuese, megjithatë pak më vonë ai ndaloi së praktikuari muzikën klasike, duke iu përkushtuar muzikës bashkëkohore. Dhe kishte një sërë arsyesh përse drejtimi i tij profesional ndryshoi disi.

"Doja të bëja diçka ndryshe", thotë Clayderman-i. "Prandaj, me disa miq, krijova një grup roku; kjo ishte një kohë e vështirë... dhe ato pak para që fitonim ne i harxhonim për të blerë pajisjet me të cilat krijonim e luanim muzikë.

Në atë kohë babai i tij u sëmur rëndë dhe nuk ishte në gjendje ta mbështeste financiarisht djalin e tij. Për të mbijetuar, Clayderman gjeti punë si një muzikant shoqërues, duke performuar ku t'i jepej mundësia. "Më pëlqente", thotë ai, "dhe në të njëjtën kohë paguhesha mirë. Kështu u tërhoqa nga muzika klasike dhe në fakt kjo më dha një bazë të fortë për atë që bëj sot".

Sipas një gazetari gjerman, thuhet në uebsajtin zyrtar të Richard Clayderman, "ai ka bërë më shumë se çdo artist tjetër për të popullarizuar pianon në mbarë botën që pas Bethovenit".

Në më shumë se 40 vjet karrierë, artisti 64-vjeçar thekson se ka shitur 60 milionë disqe në botë, duke e bërë një prej muzikantëve francezë më të shitur së bashku me Mireille Mathieu, Jean-Michel Jarre apo Johnny Hallyday. Richard Clayderman është pa diskutim një ndër artistët më të njohur të brezit të tij dhe kudo në botë ai është frymëzim për shumë pianistë të tjerë, sidomos për ata që njihen si romantikët e muzikës klasike.

Clayderman ka bërë atë çka asnjë artist tjetër francez nuk ka arritur të realizojë virtualisht. Vetëm nëpërmjet pianos së tij ai ka arritur të njohë një karrierë ndërkombëtare muzikore të gjatë e të suksesshme, duke u vlerësuar kështu si një artist i madh dhe interpretues që ka mahnitur me koncertet e tij. Si një pianist romantik, ai është i njohur gjithashtu për interpretimin e pjesëve pianistike të kompozitorëve më romantikë të të gjitha kohërave, që nga Shopeni, Shuberti, Moxarti, Bahu, Bethoveni, Çajkovski, Rahmaninofi e shumë të tjerë.

Muzika klasike i ka rrënjët në muzikën tradicionale perëndimore dhe shtrihet në një kohë relativisht të gjatë, që prej shekullit të 11-të e deri në ditët e sotme. Tipari që dallon në përgjithësi muzikën klasike të këtij lloji, dhe në veçanti muzikën e luajtur nga Richard Clayderman, është aftësia që kjo rrymë ka për të shkaktuar emocione të forta, veçori karakteristike kjo e një ritmi të këndshëm, melodie të ëmbël dhe harmonie qetësusese. Gjithashtu, mund të themi se Clayderman ka krijuar një stil "të ri romantik" përmes një repertori që ndërthur pjesët e krijuara origjinalisht nga ai dhe klasiket apo standardet pop. Pianisti francez ka interpretuar edhe versione instrumentale të shumë këngëve të njohura botërisht, ka rikonceptuar, rishkruar dhe interpretuar kolona zanore filmash, muzikë etnike etj.

Mund të thuhet me siguri të plotë se Epoka Romantike është e përfaqësuar denjësisht edhe nga virtuozi Richard Clayderman, që në fakt jo vetëm që ka interpretuar pjesët klasike romantike më të njohura, por edhe është paraqitur gjithmonë me kompozimet e tij të përjetshme, të cilat vazhdimisht kanë mahnitur publikun në të gjitha kontinentet.

I njohur si "princi i romantikës", Clayderman i ka mbushur plot sallat e koncerteve dhe stadiumet që nga viti 1976, kur single-i i tij e parë "Baladë për Adelinën" arriti shitje prej 22 milionë kopje në 38 vende. Jeta e Richard Clayderman-it ndryshoi dramatikisht në vitin 1976, kur mori një telefonatë nga Olivier Toussaint, një producent i njohur francez, i cili bashkë me partnerin e tij, Paul de Senneville, po kërkonte një pianist për të regjistruar një baladë muzikore në piano. Paul ia dedikonte këtë baladë vajzës së tij të sapolindur "Adeline". Clayderman ishte vetëm 23 vjeç kur u thirr për provë nga kompozitorët e "Adeline". Së bashku me Clayderman-in konkurruan edhe 20 pianistë të tjerë, por për habinë e tij, ai fitoi audicionin për të luajtur në piano pjesën e sapokompozuar.

"Ne e pëlqyem atë menjëherë", u shpreh Paul de Senneville, "Prekja e tij shumë e veçantë dhe e butë mbi tastierën e pianos, kombinuar me personalitetin e tij të rezervuar dhe pamjen e mirë, na impresionoi shumë, mua dhe Olivier Toussaint. Ne e morëm vendimin tonë menjëherë".

Prej atëherë, Clayderman ka incizuar mbi 1.000 melodi dhe është bërë një nga instrumentistët më të suksesshëm në botë, me mbi 90 milionë albume të shitura. Ndërsa në kulmin e karrierës së tij, Richard Clayderman, ka realizuar 200 koncerte për 250 ditë.

Interpretime të tij shumë të njohura, përveç "Baladë për Adelinën", janë "Love Story","Piano Concerto","Arabesque","Warsaw Concerto","Fur Elise", "Clair De Lune" dhe shumë të tjera.

Richard Clayderman është i regjistruar në Librin "Guinnes" të rekordeve si pianisti më i suksesshëm me mbi 90 milionë albume të shitura në botë, me 267 disqe ari dhe 70 disqe platini, të cilat e bëjnë atë një ndër pianistët më të ndjekur dhe të dashur anembanë globit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore