Mbyllet Festivali Ndërkombëtar i Filmit "Rruga e Mëndafshit"

2018-01-03 15:31:01 CRI Komenti juaj Printoni

Më 3 dhjetor u mbyll në Fuzhou të provincës Fujian të Kinës Juglindore edicioni i katërt i Festivalit të Filmit "Rruga e Mëndafshit". Ekipet ndërkombëtare të filmit dhe disa nga yjet më të njohura të showbiz-it kinez pushtuan tapetin e kuq në ceremoninë e mbylljes së këtij Festivali prestigjoz.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit "Rruga e Mëndafshit" mbahet çdo vit në Kinë, duke u alternuar në dy qytete të ndryshme, herë në Fuzhou dhe herë në Xian. Ky festival kaq i rëndësishëm bashkësponsorizohet nga Administrata Shtetërore e Shtypit, Botimeve, Radios, Filmit dhe Televizionit e Kinës dhe pushteti vendor i provincave Fujian dhe Shaanxi.

Festivali i 4-t Ndërkombëtar i Filmit "Rruga e Mëndafshit" nisi më 28 nëntor. Gjatë festivalit u zhvilluan një sërë aktivitetesh, duke përfshirë ceremonitë e hapjes dhe mbylljes, shfaqjet e filmave, forumet për filmat pjesëmarrës në Festival, bashkëpunime të ndryshme, ndërveprime dhe nënshkrime kontratash, xhirime spontane etj.

Zgjedhja e qindra filmave që do të xhirohen është e hapur për të gjithë, si për kineastët kinezë, ashtu edhe ata të huaj, veçanërisht të vendeve përgjatë Rrugës së Mëndafshit. Pas përzgjedhjes dhe punës me filmat që do të realizohen në të ardhmen, ato shfaqen në kinematë kryesore të Fuzhou-t.

Qëllimi i këtij Festivali Ndërkombëtar të Filmit është zbatimi në mënyrë gjithëpërfshirëse i ideve strategjike kombëtare të Rrugës së Mëndafshit, Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të, dhe Projektit të Urës së Imazheve për të promovuar kështu shkëmbimet kulturore dhe bashkëpunimin midis vendeve përgjatë Rrugës së Mëndafshit. Kjo nismë kulturore ka për qëllim përhapjen e frymës së Rrugës së Mëndafshit, kulturës dhe tipareve kryesore dalluese të saj, për të siguruar një platformë ndërkombëtare për shkëmbimin e tregtimin e filmave dhe për të rritur ndikimin e filmave kinezë në industrinë e filmit kudo në botë. Kina përpiqet ta kthejë këtë ngjarje në një festival ndërkombëtar filmi me ndikim global.

Nëpërmjet aktiviteteve ndërkombëtare, gjithëpërfshirëse, inovative dhe të hapura për filmat, themeluesit dhe organizatorët e Festivalit synojnë të ndërtojnë tre platforma për filmat kinezë dhe të huaj, përkatësisht platformën për performancën e artit, platformën për bashkëpunim dhe platformën për tregti, për nxitjen e ndërveprimit kinematografik ndërmjet Kinës dhe vendeve përgjatë Rrugës së Mëndafshit.

Rruga e Mëndafshit është si një premtim. Nga dinastia Han e deri më sot, gjatë më shumë se dy mijë vjetësh, shpirti i Rrugës së Mëndafshit nuk ka humbur kurrë. Logoja e Festivalit është e krijuar me kaligrafi kineze dhe simbolizon udhëtimin përgjatë Rrugës së Mëndafshit, duke krijuar në të disa thyerje vizuale, pasi vetë Rruga e Mëndafshit ishte e vështirë, por e plotë dhe e përsosur si një fjongo mëndafshi, një rrugë që lidh vende të ndryshme.

Fuzhou, si një pikënisje e rëndësishme dhe portë e Rrugës së lashtë Detare të Mëndafshit, ka përparësitë e veta unike në ndërtimin e Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullin të 21-të. Festivali Ndërkombëtar i Filmit "Rruga e Mëndafshit" jo rastësisht mbahet aty dhe ku filloi gjithçka.

Për sa u përket fituesve të këtij Festivali, filmi iranian "Salesman", prodhimi sllovako-çek "Little Harbour" dhe filmi gjerman "Bye Bye Germany" morën çmimin e "Filmit më të mirë".

Jackie Chan u duartrokit gjatë gjatë marrjes së çmimit si "Aktori më i mirë".

"Jam shumë i nderuar që jam përsëri ambasadori i Festivalit të Filmit", tha Jackie Chan. "Kjo është hera e dytë që ndjek këtë festival kinematografik. Unë shpresoj se më shumë vende do të marrin pjesë në këtë Festival në të ardhmen, dhe falënderoj audiencën e gjerë dhe të gjithë admiruesit e filmit, brenda dhe jashtë vendit, për mbështetjen ndaj filmave kinezë. Filmat kinezë po bëhen gjithnjë e më me ndikim në mbarë botën."

Jackie Chan është aktori kinez më i njohur në botë. Ai është gjithashtu regjisor e këngëtar, një artist i kompletuar, me të cilin krenohet e gjithë Kina. Karriera e tij kinematografike ka qenë e larmishme si në Kinë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mësuesi i tij në shkollë e trajnoi më së miri Chan-in në akrobaci, artet marciale dhe aktrim. Gjatë xhirimeve të filmave të tij ai është dëmtuar shpesh duke përfunduar edhe në komë, por e ka marrë veten përsëri dhe gëzon shëndet të plotë.

Jackie Chan pati një karrierë shumë të suksesshme në ShBA me filmat "The Cannonball Run", në vitin 1980, "Mbrojtësi" etj. Megjithatë ai do të fitonte famë jashtë Azisë vetëm mbas filmit "Superpolici" në vitin 1985. Filmi i vitit 1995, "Tërmet në Bronks" do t'i jepte atij edhe më tepër emër në Amerikën e Veriut e më gjerë në botë. Filmi "I huaji" i vitit 2017, ku Jackie luan rolin e një babai që merr hak për vajzën e tij të vrarë gjatë një shpërthimi, është një thriller që nuk duhet humbur.

Yao Chen, ambasadorja tjetër e Festivalit të Filmit, tha se ky festival është përmirësuar çdo vit e më shumë.

Filmi i animuar francezo-kanadez "Louise by the Shore" fitoi si filmi më i mirë i animuar i vitit. Ekipi i intervistuar nga organizatorët, tha se ata shpresojnë se mund të ketë më shumë bashkëpunim midis animatorëve kinezë dhe atyre francezë dhe se ata dëshirojnë të shohin më shumë filma të animuar kineze të pavarur të hyjnë në treg.

Çmimi për dokumentarin më të mirë është marrë nga seria kineze "Një brez, një rrugë".

Regjisori dhe skenaristi i njohur kinez, Huang Jianzhong, gjithashtu kryetar i jurisë, tha se industria kineze e filmit vazhdon të zhvillohet me ritme të shpejta, dhe se prodhuesit e filmave në vend duhet të marrin përgjegjësinë për të treguar historinë e Kinës në botë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore