Olen Cesari, sukses i madh në Kinë

2018-01-01 09:50:23 CRI Komenti juaj Printoni

"Është kaq bukur kur fillon të performosh dhe nuk ekziston askush përreth teje, por kur në fund gjithçka mbaron, e gjithë audienca është me ty", kështu ka komentuar në një postim të tij në rrjetin shoqëror kinez "Wechat" Olen Cesari gjatë turit të tij në Kinë.

Ai beson se muzika e tij lind nga bashkimi i energjisë dhe frymëzimit. E në fakt, kush ka pasur fatin të ndjekë koncertet e tij në sheshet e botës, apo edhe performanca të tjera në salla më të vogla dhe evente më personale, e kupton fare mirë se nuk kemi të bëjmë me një djalë të zakonshëm, e aq më pak një muzikant të zakonshëm. Olen Cesari është ndër virtuozët më të ndjekur e më të pëlqyer të muzikantëve dhe artistëve me famë kudo në botë të brezit të tij.

Olen Cesari ishte i ftuar nderi në kremtimet për përvjetorin e 105-të të pavarësisë së Shqipërisë, organizuar nga Ambasada shqiptare në Pekin. Thjeshtësia, lirshmëria, energjia, talenti dhe virtuoziteti i tij e kthyen Pekinin e ftohtë të asaj mbrëmjeje në një qytet të ngrohtë e të përmalluar që i ngjasonte aq shumë shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë. Violina gjithmonë flet në emër të Olenit, që luajti pjesë të njohura klasike e me motive popullore nga pasuria artistike shqiptare, momente që u shoqëruan në sfond me pamje nga Shqipëria. Por gjithashtu, në Festën e Pavarësisë, ai solli nëpërmjet tingujve të tij kryevepra botërore të një repertori që jo çdo violinist mund t'i realizoijë në cilësinë e tij.

Olen Cesari lindi më 4 shkurt të vitit 1975 në Durrës. Ai nisi t'i bjerë violinës që në moshën trevjeçare dhe studimi intensiv, por edhe talenti i lindur, e bënë atë që sot të jetë një ndër violinistët më të njohur në botë. Kur ishte 14 vjeç përfundoi Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, ndërsa në moshën 17 vjeç Konservatorin "Santa Cecilia" në Romë me rezultate të shkëlqyra, duke u bërë kështu i diplomuari më i ri në moshë në historinë e shkollës prestigjoze të muzikës. Kur ishte i vogël Olenin e thërrisnin "gjeniu i vogël", e më pas gjatë studimeve të tij dhe koncerteve të shumta ai u cilësua edhe si "Paganini i ri" ,"Virtuozi i violinës" apo "Gjeniu i harkut".

Violinisti i njohur në skenat botërore jeton tani në Itali, por koncertet e tij në Europë, në Shtetet e Bashkuara, në Argjentinë, Brazil, Izrael, Turqi, Indi, e deri në Australi, e kanë bërë atë një ambasador të denjë të Shqipërisë në të gjithë botën. Olen Cesari gjithashtu ka bërë shumë bujë me albumin e tij "Unexpected", i cili u rendit shpejt në vendin e parë në "iTunes". Albumi "Unexpected" është një përmbledhje e pjesëve muzikore që ai ka interpretuar gjatë një udhëtimi në 13 vende të botës.

Oleni luan gjithmonë e më shumë muzikë me motive shqiptare dhe lë të kuptohet që albumi i tij i ardhshëm do t'i dedikohet padyshim kulturës shqiptare dhe pasurisë së larmishme të muzikës tradicionale, e cila me lojën virtuoze të Olenit, do të jetë suksesi i radhës i muzikës klasike. Në një nga intervistat e tij Oleni shprehet se "ka ardhur koha të promovojmë kulturën shqiptare, e të tregojmë vërtet se kush jemi".

Olen Cesari, i cili prej kohësh luan tashmë në skenat më prestigjoze jo vetëm muzikë klasike, por edhe një ndërthurje të saj me muzikën pop, xhaz dhe folk, performon vazhdimisht përkrah artistëve më të mëdhenj italianë, si Zuchero, Claudio Baglioni, Franco Califano, Anna Oxa, Lucio Dalla, Sergio Cameriere e shumë të tjerë. Artisti i madh Lucio Dalla e ka cilësuar Olenin si një nga muzikantët më të mirë në botë. Cesari ka bashkëpunuar me yje të muzikës ndërkombëtare, si Bob Dylan, Lenny Kravitz, Maroon 5, Sheryl Crow e të tjerë. Oleni ka dhënë disa shfaqe të suksesshme me artistë të tjerë Shqiptarë shumë të njohur si Inva Mula, Elsa Lila dhe shumë muzikantë e balerinë me zë në skenat moderne dhe Operat botërore.

Olen Cesari është shumë i dashur për publikun shqiptar në Shqipëri dhe më gjerë, sepse ai gjithmonë ka treguar se sa shumë e do Shqipërinë, duke qenë i pranishëm në shumë koncerte në Pallatin e Kongreseve dhe Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Sipas tij, "muzika i përket të gjithë popullit dhe jo vetëm elitës", prandaj Oleni e ka gjithmonë në planet e tij që të kthehet në Shqipëri e së bashku me grupin e instrumentistëve të tjerë që e shoqërojnë, të luajë violinë për këdo që e do muzikën në sheshet dhe vendet arkeologjike të vendit të lindjes, Shqipërisë.

Në muajt tetor dhe nëntor Olen Cesari dhe "International Clandestine Orchestra" kishin planifikuar turneun e tyre në Kinë dhe ishte një rastësi e bukur që ai gjendej së bashku me bashkëshorten e tij në kryeqytetin kinez për 105-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë e të performonte në "Kerry Hotel" në mbrëmjen e organizuar me këtë rast nga ambasada shqiptare në Pekin.

Më parë, koncerti i violinistit shqiptar me famë botërore në qytetin Chengdu më 12 nëntor ishte një sukses i garantuar, ndërsa më 23 tetor ai kishte dhënë shfaqje së bashu me muzikantë të tjerë nga Italia në Chongqing. Në datat 22 dhe 23 nëntor Olen Cesari mahniti audiencën kineze në një koncert në Meishan, ku ai performoi në dy mbremje sëbashu me artistë dhe grupe muzikore nga Kina dhe bota. Olen Cesari debutoi gjithashtu në Mbrëmjen Gala Italiane në Pekin, më 26 Nëntor.

Koncertet e mbajtura në disa qytete të Kinës, si dhe ai në Pekin për festën kombëtare të shqiptarëve, padyshim që nuk janë të fundit, pasi Oleni do të kthehet përsëri në Kinë për një numër më të madh koncertesh.

I pyetur nga CRI-ja për eksperiencën e tij në Kinë, Olen Cesari tha: "Koncertet në Kinë ishin mbresëlënëse. Publiku kinez është shumë i kujdesshëm dhe mbas dy koncerteve të para, më kishin kërkuar intensivisht të bëja diçka kineze, kështu që futa në repertorin tim edhe një pjesë kineze shumë të famshme. Është vërtet bukur të shohësh publikun kinez që 'merr flakë', gjë që të gjithë më thonë që nuk ndodh, ndërsa unë vura re se ata nga gjysma e koncertit 'ndizen'."

Olen Cesari ka një karakter vërtet të veçantë që të bën menjëherë për vete. Ai është popullor dhe shumë i thjeshtë. Nëse e takon Olenin përpara ose në përfundim të koncerteve të tij, aty të gjendur mes gjithë njerëze të tjerë, vështirë ta kuptosh se ai është pikërisht gjeniu i violinës për të cilin flasin të gjithë.

Ai, sikurse muzika e tij, është gjithmonë i qeshur, i komunikueshëm dhe i dashur me këdo.

Mrekulli
Lajmet Kryesore